TIRANË- Elvis Shkambi, autori i vrasjes së gjyqtarit të Apelit, Astrit Kalaja, do të qëndrojë në burg. Masa u konfirmua nga Gjykata e Tiranës paraditen e sotme, ndërsa arrest me burg u dha edhe për xhaxhanë e tij, Gjon Shkambi dhe rojën e sigurisë së Gjykatës së Apelit në Tiranë, Banush Koxhaj. Seanca u mbajt nga gjyqtarja Marinela Osmani me dyer të mbyllura, ndërsa burime për Report Tv bëjnë me dije se 30-vjeçari ka kërkuar falje.
Sipas tyre, ngjarja ka ndodhur si pasojë e tronditjes së rëndë psikike për shkak të kalvarit të gjatë të gjyqeve për pronësinë. Elvis Shkambi ka deklaruar se kishte mundësi të largohej, por dorëzoi armën dhe qëndroi. Në pamjet e para të momentit pas vrasjes, ai dallohet mjaft i qetë dhe duar në xhepa brenda oborrit të Gjykatës së Apelit.
Avokati i autorit, Kujtim Ibra tha se arma me të cilën ka qëlluar gjyqtarin në sallën e gjyqit nuk ka qenë me leje, por Elvis Shkambi pretendon ka armë pasi punuar si punonjës sigurie në disa institucione.
“Ka kërkuar falje për dy të plagosurit dhe për gjyqtarin. Është goditur një gjyqtar, është i pajustifikueshëm, gjyqtari dhe prokurori janë në zbatim të ligjit nuk mund të vriten dhe unë besoj se kjo kambanë alarmi do jetë edhe për sistemin e drejtësisë, që s’duhet të arrijnë në zvarritje të tejskajshme”, tha avokati Ibra.
Nga ana tjetër, roja i sigurisë së Apelit i cili akuzohet për shpërdorim detyre, mësohet se ka deklaruar në sallën e gjyqit se ka qenë i sëmurë. Banush Koxhaj ka pretenduar se i kishte kërkuar leje kancelares së Gjykatës 1 orë para se autori dhe xhaxhai i tij të kalonin në detektor, por nuk e kishin zëvendësuar.
Sipas hetimeve të deri më tanishme, roja nuk u çua nga karrigia për të kontrolluar Shkambin dhe xhaxhain, ndonëse detektori sinjalizoi prezencën e metaleve dhe kështu autori u fut me armë brenda në sallë. Ai nuk ka kryer kontroll fizik ndaj tyre dhe as nuk ka bërë regjistrimin në librin e protokollit, ashtu siç është detyrim për çdo qytetar që hyn dhe del në institucion.
“Kam qenë i sëmurë. Para se të kalonin palët në skaner, unë kam lajmëruar kancelaren se nuk ndihesha mirë, pasi vuaj nga diabeti. Një orë më pas, kancelarja më dha leje për t'u larguar, por nuk jam zëvendësuar”, tha ai në sallën e gjyqit.
Elvis Shkambi, 30 vjeç, Autori i vrasjes së gjyqtarit dhe plagosjes së Rakip dhe Ervis Kurtajt, babë e bir, përballet me tre akuza: vrasje e funksionarëve publikë, vrasje në rrethana të tjera cilësuese kundër palëve të përfshira kryer në bashkëpunim dhe mbetur në tentativë, si dhe mbajtje pa leje dhe prodhim i armëve, armëve shpërthyese dhe municioneve.
Për sa i përket Gjon Shkambit, prokuroria ka ndryshuar kualifikimin fillestar të veprës penale që i referoi policia, e cila e akuzonte edhe atë për vrasjen e gjyqtarit. Organi i akuzës dyshon se Gjoni kishte dijeni vetëm planin e nipit të tij ndaj palës kundërshtare në gjyq. Madje Prokuroria thekson se ka dyshime që Gjon Shkambi ka pasur rolin e nxitësit në tentativën për të vrarë babë e bir, të cilët jetojnë në pronën e pretenduar prej tij në Shkodër.
Organi i akuzës mbështet dyshimet e tij në deklaratat kërcënuese që 56-vjeçari ka bërë më herët në media, ku ka folur hapur për hakmarrje ndaj personave që ai i konsideronte si uzurpues të pronës. Madje, sipas hetuesve, edhe vetë familjarë të tij kanë paraqitur kallëzime në polici për kanosjet e vazhdueshme.
Lajm në përditësim...
Kujtim Ibra, avokati i autorit të vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja, ka deklaruar se Elvis Shkambi ka pasur armë pasi ka punuar si punonjës sigurie në disa institucione. Në cilat institucione nuk dihet, por duhet theksuar se arma e tij ishte pa leje.
“Ka vuajtur shumë sa i takon çështjeve civile, ka hyrë në shumë borxhe për shkak të një kalvari të gjatë. Tronditja ka qenë për shkak të vendimit të dhënë, duke qenë se do rikthehej edhe njëherë çështja në fillim. Arma nuk ka qenë me leje, pro shkëmbi pretendon se ka punuar në disa institucione. Ai kaq deklaroi në seancë. Duhet ti kërkojmë falje familjes Kalaja, ka kërkuar falje për dy të plagosurit dhe për gjyqtarin. Është goditur një gjyqtar, është i pajustifikueshëm, gjyqtari dhe prokurori janë në zbtim të ligjit nuk mund të vriten dhe unë besoj se kjo kambanë alarmi do jetë edhe për sistemin e drejtësisë, që s’duhet të arrijnë në zvarritje të tejskajshme”, tha avokati.
Roja i sigurisë së Gjykatës së Apelit, i cili akuzohet për shpërdorim detyre pas vrasjes në sallë të gjyqtarit të Apelit, Astrit Kalaja, është lënë në burg. Mësohet se ai ka deklaruar në sallën e gjyqit se ka qenë i sëmurë, pasi vuan nga diabeti. Para se autori, Elvis Shkambi dhe xhaxhai i tij të kalonin në detektorin metalik, ai ka deklaruar se ka njoftuar kancelarin se nuk ndihej mirë dhe pas 1 ore është larguar.
“Kam qenë i sëmurë. Para se të kalonin palët në skaner, unë kam lajmëruar kancelaren se nuk ndihesha mirë, pasi vuaj nga diabeti. Një orë më pas, kancelarja më dha leje për t'u larguar, por nuk jam zëvendësuar”, tha ai.
Komente
