Kronikë

Vrasja e Kudret Saliajt në Tiranë, bashkëshortja e vëzhgoi dhe njoftoi babain e saj për veprimet e viktimës! Dëshmitë kontradiktore të tyre para hetuesve

6 Qershor 2021, 11:05| Përditesimi: 6 Qershor 2021, 14:41

  • Share

"Report Tv" mëson detaje të reja në lidhje me vrasjen e dy ditëve më parë të Kudret Saliajt në afërsi të Gjykatës Civile të Tiranës. Ka dyshime se Dhurata Saliaj ka kryer vëzhgimin e ish-bashkëshortit para se i ati i saj ta vriste dhe ajo ka njoftuar të atin për çdo lëvizje të viktimës.

Po ashtu, babë e bijë kanë bërë deklarata kontradiktore para hetuesve, duke mos qenë koherent në deklarime. Picari ka deklaruar që në lokal ka qenë i ulur në një prej tavolinave i vetëm, përkundër nga deklarimet e Dhuratës, e cila ka deklaruar se ka qenë me të atin në tavolinë. Mexhit Picari është shprehur se kur po qëndronte në tavolinë është futur në lokal Kudreti, i cili sipas Picarit, është afruar dhe e ka sharë. Picari më tej është shprehur se duke ditur sa i dhunshëm është Kudreti, ka nxjerr armën, të cilën ka thënë se e kishte pa karikator.

"E kam mbushur, kam vendosur karikatorin dhe më pas kam qëlluar në drejtim të dhëndrit", ka thënë ai.

Ndërkohë duhet sqaruar se djali i mitur i çiftit nuk ka qenë në lokal në momentin kur vrasja ka ndodhur, por në afërsi të vendit të ngjarjes.

Kudret Saliaj ka qenë në ambientet e lokalit në shoqërinë e avokatit, që mbeti i plagosur dhe të psikologes. Kësaj të fundit, nga tronditja fillimisht i ka rënë të fikët dhe është përmendur pak momente më vonë.

Avokati Adriatik Cama është në spital, jashtë rrezikut për jetën, por plumbin që e ka marrë në afërsi të gjoksit akoma nuk i është hequr. Pritet t'i nënshtrohet një ndërhyrje pas dy javësh.

Dyshohet se ka qenë konflikti për kujdestarinë e fëmijëve të çiftit, që solli vrasjen e Kudret Saliajt. Sipas një vendimi të mëparshëm të Gjykatës që Report TV siguroi një ditë më parë, ishte vendosur që fëmijët të qëndronin me babanë dhe Dhurata Saliaj do t'i takonte në prani të psikologut, ndërkohë që në gjykatë kishte deklaruar se është fyer dhe kërcënuar nga ish-burri.

Seanca për masën e sigurisë pritet të mbahet të hënën në Gjykatën Penale të Tiranës, ndërsa Prokuroria e Tiranës pritet të kërkojë për të dy, babë e bijë, masën e sigurimit personal "arrest me burg". Burimet bëjnë me dije se akuza për Dhuratën pritet të jetë ajo e bashkëpunimit në vrasje, pasi ka pamje filmike dhe prova që janë administruar nga akuza për vëzhgimin e viktimës nga dy të arrestuarit.

Ora 13:17
'Na dhunonte vajzën' familjarët e Kudret Saliajt hedhin poshtë 'krushqit':  Djali ynë se ka prekur me dorë

Familjarët e viktimës Kudret Saliajt, jashtë kamerës së Report Tv kanë kundërshtuar deklaratat e familjes së Mexhit Picarit. Sipas tyre, Kudreti nuk e ka sulmuar asnjëherë Dhuratën, madje ka kërkuar mbrojtje prej saj. Ata shprehen se një ditë para vrasjes Mexhiti dhe Dhurata i kishin vajtur në shtëpi, ndërsa shprehen se fëmijët janë të traumatizuar nga ngjarja.

"Të merret dosja në prokurori. Dhurata është e dënuar për dhunë në familje. Ka akuza të tjera të cilat nuk janë shqyrtuar nga prokuroria, ka vendime të gjykatave. 3 fëmijët ndodhen në banesën ku jetonte Kudreti. Janë të pavërteta deklaratat e tyre (Mexhitit dhe bashkëshortes). Ditën para vrasjes na kanë ardhur në banesë, Kudreti jo vetëm nuk e ka sulmuar dhe dhunuar atë, por ka kërkuar mbrojtje prej saj. Ka kërkuar forma të ndryshme për ta larguar. Goca 9 vjeç djemtë 12 dhe 16 vjeç janë të traumatizuar. Ne nuk na duhet dalja para mediave, ajo që është bërë është bërë, çfarë zgjidh dalja jonë? Pesha më e madhe jona janë fëmijët tani, Kudretin e përcollëm të shkretin, kujdesi ndaj tyre. Ata le të dalin në media, s'di ç'të them për ta, ne i kërkojmë drejtësisë të japë drejtësi.  Pretendimi i saj se është dhunuar nga Kudreti e apo shenjat që ka treguar, s'është e vërtetë. E dimë ne dhe e di edhe ajo e prokuroria kush ia ka bërë shenjat asaj. Janë histori të vjetra. Pyeteni avokatin që u plagos, ai e njeh dosjen", thonë familjarët.

Ndërkohë që familja Picari kanë deklaruar se Kudreti ishte i dhunshëm dhe e rrihte vazhdimisht vajzën e tyre, Dhuratën.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?