Kronikë

Vrasja e Mateos në Fier/ Kurti: Nga biçikleta te buka, detajet që të çojnë te tentativa për përdhunim! Dënimi me vdekje? Të ftuarit në 'Repolitix' ndahen pro dhe kundër

17 Nëntor 2021, 22:54| Përditesimi: 17 Nëntor 2021, 23:08

  • Share

TIRANË- Xhiroja me biçikletën e autorit, detaji që ky i fundit i kishte dhënë porosi për t'i blerë në bukë në dyqan, fakti që ishte beqar, rasti i mëparshëm i pengmarrjes së vajzës, janë elementë që për ekspertët kanë shërbyer si një indice për të hedhur tezën se 38-vjeçari e ka joshur Mateon Vasiun për ta abuzuar seksualisht.  Profesori i Kriminologjisë në Universitetit të Tiranës, Skerdian Kurti është "futur" për pak minuta në mendjen e autorit" dhe ka bërë një analizë se si mund të ketë vepruar autori, mbi bazën e disa detajeve nga ngjarja.

"Janë shumë element. Kemi të bëjmë me një vrasës beqar, elementi i dytë është dëshmia e banorit që i "ka përdhunuar gruan". Dëshmia e tretë është se i mituri ngiste një biçikletë që i përkiste autorit, dhe me këtë ka dashur që ta joshë të miturin dhe mendoj që në momentin që i mituri i ka çuar biçikletën ka kërkuar që të marrë shpërblimit. I mituri ka reaguar dhe në këtë rast është bërë agresiv. Kemi të bëjmë me një person të kthjellët, vrasje jo me paramendim, por të çastit. Ai pyeste "ku është djali", kjo nuk tregon që ky ka pasur probleme të shëndetit mendor, por të një njeriu të kthjellët. Kemi të bëjmë me një tentativë për abuzim seksual që ka përfunduar me vrasjen, që në të gjitha rastet është një ngjarje e pa fjalë", është shprehur ai.

I të njëjtit mendim ka qenë edhe Mirgit Vataj, përfaqësuesi i Linjës Kombëtare e ndihmës për fëmijët "Alo 116". Në emisionin 'Repolitix' të Report Tv me gazetarin Denis Minga, ai shtoi se autorët studiojnë "prenë" e tyre duke kuptuar se çfarë i pëlqejnë dhe më pas e shfrytëzojnë këtë për ta tërhequr pranë vetes.

"Gjithmonë abuzuesit përdorin kuriozitetin e fëmijëve, e dine se çfarë i kanë qejf dhe i joshim posaçërisht me gjërat që kanë qejf, deri në momentin që i puqen rrethanat për ta abuzuar", tha ai.

Kjo ngjarje, përtej mos funksionimit të një zinxhiri institucioneve, pyetja që është shtruar në opinionin publik është rikthimi ose jo i dënimit me vdekje. A do sillte uljen e numrit të vrasjeve, a mund ta aplikojë edhe Shqipëria në një kohë kur synon integrimin në BE? Për këtë , të ftuarit në 'Repolitix', janë shprehur të dyzuar dhe vështirë se japin një përgjigje fikse.

"Regjistër të personave që kanë devijime psiqike, sepse të vrasës një fëmijë 8 vjeç është ngjarje alarmante. problemi më i madh është çfarë bëjnë organet ligjzbatuese me pushtetin lokal. Policia e fshatit nëse ka kallëzim duhet ta vlerësojë, ngjarja ka ndodhur, problemi është çdo ndodh nesër, duhet evidentuar për të gjithë personat që kanë këtë prirje. S'ka asnjë rrethanë lehtësuese nga dënimi me vdekje. Mua si avokat nuk ma lejon etika që të jep pro dënimit me vdekje, ma thotë qartë Gjykata", tha avokati Saimir Visha.

Vataj thotë se sapo ka dëgjuar ngjarjes ka qenë pro dënimit me vdekje, por tashmë që është "më i freskët" është në mëdyshje.

"Kur ngjarjet janë të freskëta gjëja e parë që na shkon ndërmend është dënimi maksimal, nuk flas me siguri nëse do kishte efekt, megjithëse një popull që është rritur me frikë, mund të kishte efekt. Kur flasim për cështje të të drejtave të njeriut, në aspektin religjoz timin personal nuk është se jam shumë dakord. Feja e ndalon se e lidh me çështjen e krijuesit, Zoti ta ka dhënë  dhe Zoti ta merr jetën", tha ai.

Ish-deputetja Mimoza Hajdarmataj, nuk është e bindur nëse do të kishte një zgjidhje.

"Nuk besoj se do ketë efekt për parandalimin", u shpreh ish-deputetja.

E vetmja që është shprehur pro është deputetja Sorina Koti, por thekson se kjo duhet të jetë në mënyrë provizore, në formë presion " që nëse i merr jetën dikujt, atëherë dikush tjetër ta merr ty".

"Reagimi ka qenë si qytetar që është ndjerë i rrezikuar për jetën e fëmijës se vet dhe të familjes dhe duke qenë brenda parlamentit kam menduar se çfarë duhet të bëjmë më mirë kur shohim degradim të shoqërisë, rasti i Maetos nuk është një rast i shkëputur. Një formë për të frenuar vrasjen, ngjarjen makabër që janë të vërtetuara, që krimi ka ndodhur, është kapur krimineli dhe viktima se mund të abuzohet me dënimin me vdekje, kur krimineli e pohon se çfarë i kishte bërë fëmijës, këto janë ngjarje që i nevojiten një dorë e fortë. Një formë presioni që nëse i merr jetën dikujt, atëherë dikush tjetër ta merr ty, deri kur të mos kemi marrë hapjen e negociatave", tha ajo në një lidhje me Skype.

E ndërsa, gazetari i Report Tv, Arsen Rusta ka hedhur në tryezë një tjetër propozim që mund të sjellë sipas tij, ulje të rasteve të abuzimeve seksuale, e më specifikisht me fëmijët.

"Nuk jam për dënimin me vdekje, legalizimi i shtëpive publike do të sillte një ulje të tensionin epshëror do të lehtësonte shumë krimet seksuale, dhe nga ana tjetër për mostra si këta, shiringa është e vetmja zgjidhje", përfundoi Rusta.

Dënimi i fundit me vdekje në vend është ekzekutuar më 25 qershor të vitit 1992, vetëm 5 km larg fshatit Greçalli, ku mbrëmë u vra fëmija 8 vjec.Në mes të qytetit të Fierit u varën vëllezërit Josif dhe Dritëbardh Çuko nga fshati Libofshë i Fierit që u shpallën fajtorë për vrasje të shumëfishtë në atë që u quajt “Masakra e Libofshës”. Ngjarja ndodhi në 29 maj të vitit 1992 kur ata mesnatë hynë në banesën e familjes Puto për ta grabitur. Ata vranë djalin e vogël të shtëpisë, së bashku me nusen e tij, babanë dhe nënën, pasi e torturuan për një orë, dhe në fund mbesën 8 muajshe të familjes. Vite pas këtij dënimi, ngjarje me ndikim të lartë publik në vend si ajo e vrasjes së Mateo Vasiut, rikthejnë në vëmendje dënimin me vdekje.

 

B.K.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?