Pesë ditë pas vrasjes së minoritarit në Gjirokastër dhe tensioneve mes dy vendeve, një oficer grek do të vijë në Gjirokastër për të marrë informacion mbi ekzekutimin e Konstantinos Katsifas nga RENEA ditën e diel.
Burime për Report Tv pohojnë se zyrtari grek së bashku me një zyrtar të Ministrisë së Jashtme do të vijnë në Shqipëri ditën e hënë, ndërsa do të takohen me drejtuesit e policisë shqiptare për të marrë informacion për vrasjen e 35-vjeçarit, por jo për të vëzhguar hetimet, të cilat janë kompetencë e prokurorisë, jo policisë.
Report Tv mëson gjithashtu se gjatë vizitës, oficeri i policisë greke do të diskutojë me homologët shqiptarë edhe mbi mbarëvajtjen e ceremonisë së varrimit për të shmangur konfliktet e mundshme, pasi nga Greqia pritet që të vijnë grupe ekstremiste.
Udhëtimi i oficerit grek në Shqipëri vjen vetëm disa orë pas një bisede telefonike mes zëvendës Ministrit të Jashtëm George Katrougalos me ministrin e Jashtëm shqiptar Ditmir Bushati.
Prokuroria e Gjirokastrës në bashkëpunim me Krimet e Rënda në Tiranë vijojnë hetimet në Shqipëri për vrasjen e grekut, trupi i të cilit ndodhet në morgun e QSUT për një ekspertizë të detajuar. Ndërkohë që edhe pala greke ka hapur një hetim në Athinë. Konstantinos Katsifas u vra ditën e diel në Gjirokastër nga RENEA, pasi nuk pranoi që të dorëzohej dhe hapi zjarr kundër efektivëve.