Vrasja e ndërtuesit në Tiranë, gazetari Dema në Report Tv: Atentat i mirëorganizuar nga qitës profesionist, ende nuk dihet ku ishte fshehur kur qëlloi

14 Nëntor, 18:45| Përditesimi: 16 Nëntor, 10:54

  • Share

TIRANË- Një atentat i mirëorganizuar i mori jetën mbrëmjen e kaluar biznesmenit Eduart Reçi në Tiranë. Gazetari Sokol Dema i ftuar në emisionin ‘Studio Live’ në Report Tv dha detaje nga ngjarje, duke thënë se ndërtuesi u vra teksa po futej në banesën e tij përballë Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë.

Një plumb në kokë i mori jetën 52-vjeçarit, ndërsa gazetari Dema thotë se ka dyshime që qitësi të ketë qenë në ndonjë kat të sipërm të një pallati ngjitur me pallatin ku ndërtuesi kishte banesën.

“Ka qenë momenti që po shkonte në banesë. Nga ajo që thonë burimet, plumbin e ka në pjesën e pasme të veshit të djathtë, çka krijon përshtypjen që qitësi mund të ketë qenë ngjitur me pallatin e tij. Nga aty mund të jetë qëlluar, por kjo ende nuk është vërtetuar. Është një atentat i mirëorganizuar duke pasur parasysh mënyrën se si autori është larguar pa lënë asnjë shenjë. Një atentat i mirëorganizuar dhe po haset vështirësi për të çuar drejt një identifikimi. Duket që kemi të bëjmë me njerëz profesionistë që e kanë kryer”, tha gazetari Dema në Report Tv.

Për mënyrën se si është organizuar atentati, nga i cili s’ka asnjë gjurmë të autorit dhe nuk është filmuar as nga kamera, gazetari Dema thotë se kemi të bëjmë me qitës profesionit.

“Efikasiteti dhe mënyra se si është goditur, mendoj se do lodhen për ta hetuar dhe gjetur prova për të akuzuar persona të veçantë. Jemi mësuar të kemi një skemë në ngjarje kriminale, derdhje e një numri të madh plumbash, largimi i autorëve dhe djegia e automjetit. Këtu s’kemi të bëjmë me këtë skemë, ka thyer çdo barrierë, kur kanë kaluar 24 orë jo vetëm jemi shumë larg për identifikimin, por ka një hije, nuk duken autorët. Ka një pamje të kamera të sigurisë që tregon 52-vjeçarin që po lëvizte në këmbë, një e qitur arme dhe bie në tokë. S’ka pamje për ta kuptuar se ku ndodhet. Ka dyshime se është qëlluar nga një kat i sipërm i ndonjë pallati në lartësi. Por ende nuk është kuptuar nga ku është qëlluar. Nuk është snajper, është një plumb që ka hyrë dhe ka dalë në kokën e 52-vjeçarit. S’ka sjellë dëmtime siç do sillte një plumb snajperi”, vijoi gazetari Dema.

Biznesmeni Eduart Reçi u vra rreth orës 23:00 të së mërkurës, (13 nentor 2024) poshtë pallatit ku jeton, të cilin e ka ndërtuar vet, në rrugën “Gjeneral Nikols” në Tiranë, përballë Fakultetit të Histori-Filologjisë. 52-vjeçari me origjinë nga Dibra mori një tek plumb që i përkshkroi tej për tej në kokë dhe ndërroi jetë në spitalin e Traumës rreth orës 4 të mëngjesit.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?