FIER - Detaje të reja dalin në dritë nga vrasja e Shkëlzen Kastratit tre ditë më parë në Fier. Gazetari i Report Tv, Sokol Dema raporton se makina me të cilën dyshohet se se udhëtonin autorët dhe që u gjet e djegur, rezulton e vjedhur pak muaj më parë në Greqi.
Policia nuk ka zbuluar ende se si makina tip ‘Range Rover’ u fut në territorin shqiptar. Edhe në momentin që iu vu flaka pasi u bë vrasja e Shkëlzen Kastratit, makina Range Rover ishte me targa greke të rregullta.
Mbrëmjen e djeshme, policia e Fierit ka sekuestruar në Kamëz një automjet për të cilin dyshohet se autorët janë larguar pasi dogjën Range Roverin. Makina që është sekuestruar në Kamëz dyshohet se mund të jetë përdorur nga autorët për t'u larguar nga vendi i ngjarjes ku kanë djegur mjetin Range Rover. Sipas burimeve, mjeti është kapur dhe filmuar nga kamerat e sigurisë që policia ka mundur të sekuestroj.
Makina e sekuestruar është tip Audi. Është shoqëruar pronari i makinës në të cilën ishte e regjistruar. Ai ka deklaruar se makinën e ka shitur tek një tjetër person në Kamëz pa një akt noterial. Pas deklaratës është lënë sërish i lirë, ndërsa policia ka shpallur në kërkim personin që i është shitur makina.
Ndërkohë, burimet për Report Tv konfirmojnë se bëhet fjalë për dy persona që janë në kërkim nga policia si persona të dyshuar të përfshirë në vrajsen e Kastratit. Zyrtarisht autori i ngjarjes nuk është identifikuar.
Kontrollet për persona të dyshuar si të përfshirë në ngjarje janë kryer edhe Durrës, periferitë e Fierit dhe në disa zona të Vlorës. Në bazë të dëshmive që janë dhënë prej disa personave që kanë qenë në vendin e ngjarjes, është krijuar një identikit i autorit, por policia është e rezervuar për më tepër detaje.
Shkëlzen Kastrati po lëvizte me mjetin e tij tip ‘Benz’ kur u qëllua me një automatik i shkurtër më 1 shkurt. Njëri plumb e goditi direkt në kokë kurse plumbi i dytë i përshkoi krahun, por megjithatë ekspertët e policisë e gjetën me cigare në dorë.
Për hetuesit vrasësit kanë qenë të pagabueshëm sepse plumbin e parë 42-vjecari e mori në kokë, detaj që jep garanci për eliminimin e shënjestrës. Dyshimet e para flasin për autorë të paguar nga hakmarrësit e Kastratit edhe pse hetime po bëhen në lidhje me aktivitetin e tij në Fier dhe Vlorë.
Tre ditë pas ekzekutimit të Shkëlzen Kastratit në fshatin Sheq të Fierit, policia ka kryer disa kontrolle baneasash në disa prej qyteteve të vendit.
Kontrollet janë kryer në Fier, Vlorë dhe Durrës ku janë shoqëruar disa persona për t’u pyetur në lidhje me ngjarjen.
Këto kontrolle kanë ardhur pasi ka pasur informacione se mund të jenë përfshirë disa persona të tjerë në atentat. Deri më tani nuk është identifikuar autori i ngjarjes.
Hetimet vijojnë të jenë në pistën e hakmarrjes dhe autorët dyshohen të jenë me pagesë.
Dyshohet për tre persona si autorë të ngjarjes, sipas disa dëshmive të personave që kanë qenë në vendin e ngjarjes.