VLORË- Elton Hajnaj u shpall fajtor për vrasjen e Taulant Beqirajt, ngjarje kjo e ndodhur më 3 Mars 2021 në rrugën transballkanike të Vlorës. Trupi gjykues i përbërë nga Enkel Peza dhe anëtarë Herila Çela dhe Hektor Sinanaj dha 21 vite burgim por përmes gjykimit të shkurtuar shkon në 19 vite. Dënimi është dhënë në mungesë, pasi që prej datës 10 marsit të vitit të shkuar, Hajnaj vijon të jetë në kërkim policor.
Ndërsa dy bashkëpunëtorët e tij Hans Jonuzaj dhe Skerdjan Gabrani që gjenden pas hekurave u dënuan përkatësisht me 4 dhe 6 vite burgim, por që do të përfitojnë nga gjykimi i shkurtuar me uljen e 1/3 Së dënimit. Gjithashtu u dënua për armë pa leje Sali Zeneli, mik me viktimën i cili u kap në vendngjarje.
Viktima Tauland Beqiraj dhe autori Hajnaj
Si ndodhi ngjarja? Shkak për konfliktin që çoi në ekzekutimin e Beqirajt dyshohet një borxh prej 35 mijë eurosh. Viktima dyshohet se kishte detyrim ndaj palës tjetër lidhur me shitjen e një automjeti tip “Benz-Mercedez”, për të cilin refuzonte të dorëzonte pagesën. Kujtojmë se ngjarja kriminale e një viti më parë ka ndodhur përballë Gjykatës së Apelit Vlorë, teksa viktima po ecte në rrugë, ndërsa autori zbriti nga një makinë me xhama të zi dhe e qëlloi për vdekje. Beqiraj ishte person me precedent penal i përfshirë në disa ngjarje kriminale. 31-vjeçari përdorte disa identitete, ai njihej edhe si Taulant Beqiraj, edhe si Taulant Manaj.