Viktima Erald Xhejo

Kronikë

‘Pse më shikon’, zbardhet dinamika e vrasjes së 14-vjeçarit në Maliq! Arrestohet autori i mitur, babai, xhaxhai i tij dhe 5 të tjerë! Goditja në zemër rezultoi fatale

15 Gusht, 08:47| Përditesimi: 15 Gusht, 10:33

  • Share

Tetë persona janë arrestuar nga policia e Maliqit lidhur me ngjarjen e ndodhur pasditen e së enjtes, ku u vra me thikë 14-vjeçari Erald Xhejo nga bashkëmoshatari i tij në ambientet e jashtme të një lokali në fshatin Pirg. Në pranga është vënë autori 14-vjeçar, babai E. G dhe xhaxhai i tij R. G., 4 të mitur si dhe 34-vjeçari Flori Çela.

Pas kryerjes së krimit, autori i cili mbeti gjithashtu i plagosur, ka tentuar që të largohet me një automjet me 34-vjeçarin, që ishte i pranishëm kur ndodhi sherri. Babai dhe xhaxhai i të miturit akuzohen për veprime që pengojnë të vërtetën pasi fshehën thikën me të cilën u krye krimi, ndërsa ndaj autorit të mitur rëndon akuza e vrasjes me dashje dhe drejtim i automjetit në mënyrë të parregullt. 

Katër të miturit e arrestuar kanë gjithashtu të pranishëm në konflikt dhe akuzohen se kanë tentuar që të pengojnë zbulimin e së vërtetës.  34-vjeçari Flori Çela akuzohet për moskallëzim krimi. 

Burime për Shqiptarja.com bëjnë me dije se sherri ka nisur për motive banale të tipit “pse më shikon dhe më shan”. Kishte të paktën disa muaj që dy të miturit kishin fërkime për diskutime të tilla. Sipas informacioneve, të dy 14 vjeçarët janë takuar rastësisht ditën e djeshme në lokalin e fshatit Pirg. Të dyja palët kanë qenë të shoqëruar me shokët e tyre.

14-vjeçari Erald Xhejo ndërroi jetë në spital, ndërsa ndihmë mjekësore mori edhe autori që mori dëmtime por jo me mjet prerës. Ky i fundit, sipas raportimeve, bënte edhe të fortin nëpër rrjete sociale. Në disa foto të publikuara nga mediat shihet teksa i riu pozon me armë zjarri, ndërsa shkruante mesazhe të tipit: "Shfaqem kur s'ta pret mendja". 

Njoftimi i plotë: 

Maliq/Si rezultat i hetimeve të shpejta dhe profesionale, zbardhet dinamika e vrasjes së 14-vjeçarit, kryer dje, në fshatin Pirg.

Për këtë rast, Policia e Korçës arrestoi 8 shtetas:

-14-vjeçarin autor të dyshuar të vrasjes, i cili pas kryerjes së krimit, tentoi të largohej nga vendngjarja, me automjet;
-babanë dhe xhaxhanë e autorit të dyshuar, pasi fshehën mjetin prerës (thikë), me të cilin u krye krimi;

-4 të mitur, të pranishëm gjatë konfliktit mes 14-vjeçarëve, të cilët nëpërmjet deklarimeve në Polici, tentuan të pengojnë zbulimin e së vërtetës;

-një 34-vjeçar, gjithashtu i pranishëm gjatë konfliktit, i cili tentoi të largohet nga vendngjarja, në të njëjtin automjet me 14-vjeçarin.

Sekuestrohen mjeti prerës (thikë), automjeti me të cilin tentuan të largoheshin 2 shtetasit dhe 5 celularë.

Në vijim të veprimeve hetimore dhe policore të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP-Korçë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Maliq dhe në drejtimin e Prokurorisë së Korçës, në lidhje me ngjarjen e djeshme, në fshatin Pirg, ku u vra me mjet prerës (thikë), një 14-vjeçar, dyshohet nga një bashkëmoshatar i tij, gjatë një konflikti për motive të dobëta, u vunë në pranga:

-shtetasi E. G., 14 vjeç, banues në fshatin Leminot, për veprat penale "Vrasja me dashje" dhe "Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt". 14-vjeçari u dëmtua lehtë, gjatë konfliktit. Ai mori asistencën e nevojshme mjekësore dhe la ambientet e spitalit, ditën e djeshme;
-shtetasit E. G., 44 vjeç dhe R. G., 44 vjeç, përkatësisht babai dhe xhaxhai i 14-vjeçarit, për veprën penale "Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës";

-4 të mitur, banues në fshatin Zvirinë, për veprat penale "Moskallëzimi i krimit" dhe "Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës";
-shtetasi F. Ç., 34 vjeç, banues në fshatin Leminot, për veprën penale "Moskallëzimi i krimit".

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme.

Ora 10:25
U vra me thikë nga bashkëmoshatari në Maliq, banorët për 14-vjeçarin: Ishte djalë kapedan, ngjarja na ka lënë pa fjalë

Vrasja me thikë e 14 vjeçarit Erald Xhejo nga fshati Zvirinë të Maliqit ka tronditur opinionin publik. Banorë të zonës, të cilët shkuan për ngushëllime në banesën e të miturit, thonë se ishte një djalë i shkëlqyer.

“Familjen e njoh, e rregullt, djalë i shkëlqyer. Kalonte në rrugë dhe të respektonte në një mënyrë të atillë. Se si ndodhi kjo të lë pa fjalë fare. Ka dy çuna familja.”, u shpreh një banor.  

E tronditur nga ngjarja u shpreh një tjetër banore që tha se po shkon për ngushëllime te familja.

“Se dinim fare, sot më mori djali. Tani do të shkoj te familja, jemi miq. Na ka tronditur ngjarja.”, shtoi një grua.

Ishte djalë kapedan, shton një banor tjetër, duke shtuar se kishte moshën e nipit të tij.

“Ishte djalë kapedan. Çfarë të them më tepër. Jam shumë i tronditur, në moshën e nipit tim. “

Ngjarja e rëndë u shënua në ambientet e jashtme të një lokali në fshatin Pirg. 14-vjeçari ndërroi jetë si pasojë e goditjes në zemër. Autori bashkëmoshatar u arrestua bashkë me babain, xhaxhain, një 34-vjeçar si edhe katër të mitur të tjerë që ishin prezent në ngjarje. Ndaj të miturit rëndon akuza e vrasjes me dashje dhe drejtim mjeti në mënyrë të parregullt.

Ora 10:11
Vrasja e 14-vjeçarit/ Goditja me thikë në zemër i mori jetën, autori në gjendje të rënduar psikologjike! Pritet dëshmia në prani të psikologut dhe familjarëve

1755245662_eraldxhejo.jpeg

14 vjeçari, i cili qëlloi për vdekje me thikë bashkëmoshararin e tij ndodhet në gjendje të rëndë psikologjike, çka ka penguar deri tani marrjen në pyetje nga grupi hetimor.

Gazetari Armand Braho raporton se pritet që sot në prezencë të avokatit, psikologut dhe familjarëve, të sigurohet dëshmia e autorit të dyshuar të krimit, mbi të cilin rëndon akuza e vrasjes me dashje.

Sipas raportit të ekspertizēs mjeko-ligjore, vdekja e 14 vjeçarit ka ardhur si pasojë e një goditje të vetme me thikë në zemër. Plaga ka qenë fatale dhe i mituri ka humbur jetën brenda pak minutash në vendin e ngjarjes.

Pas krimit, autori ka tentuar tē largohet me makinë, ndërsa xhaxhai i tij ka marrë nga vendi i ngjarjes thikën me të cilën u krye vrasja, e ka larë dhe më pas e ka fshehur, duke penguar hetimet.

Ora 09:49
Vrasja e 14-vjeçarit në Maliq, kryebashkiaku Topçiu shkon për ngushëllime në banesën e familjarëve: Humbje e pazëvendësueshme, t’i themi stop dhunës

 

Kryetari i bashkisë së Maliqit, Gëzim Topçiu ka reaguar për vrasjen e 14-vjeçarit Erald Xhejo pasditen e djeshme nga një bashkëmoshatar në lokalin e fshatit Pirg. Në një reagim në rrjete sociale, ai ka shprehur ngushëllimet për familjen e 14-vjeçarit, ndërsa ka përcjellë edhe një mesazh për t’i dhënë fund dhunës.

Kryebashkiaku ka shkuar edhe në banesën e familjarëve të viktimës për t’u shprehur ngushëllimet.

“E rëndë për të gjithë ne ngjarja në Pirg, ku i riu 14-vjeçar Erald Xhejo ka humbur jetën nga dhuna mes bashkëmoshatarëve. Ngushëllime të sinqerta familjes për këtë humbje të pazëvendësueshme. U prehtë në paqe! Apeli shkon për të gjithë në këtë ditë të vështirë: Stop dhunës, bashkëjetesësa duhet të jetë bazë e themelit të familjes e shoqërisë tonë!”, shkruan ai.

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Shqiperia jone e mjere: 15/08/2025 10:31

    14 vjecaret u takuan ne lokal te sqaroheshin* Te mitur qe duan te sillen si ganstere, pronar lokalesh qe lejojne te miturit te futen brenda ne lokal.. Femija im adoleshent ka pushime nga shkolla e punon parttime ne supermarket kurse adoleshentet ne shqiperi sqarojne sherre neper lokale.

    Përgjigju
  • Lui: 15/08/2025 09:23

    Për aq kohë sa edhe në media promovohen kriminelët duke u vendosur epitete “i forti”, “bosi”, “mbreti”, e të tjera si këto, ne si shoqëri të tillë raste do prodhojmë dhe do frymëzojmë fëmijët dhe adoleshentët. Ndërroni gjuhë o media se e morët në qafë shoqërinë

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A e zgjidh emergjencën e zjarreve në Shqipëri blerja e avionëve zjarrfikës?