Gjakmarrja në Lezhë/ Prokurori i shkarkuar nga vetingu kërkoi dënim minimal për vrasësin e të atit të 17-vjeçarit para 13 viteve! Vrasësi ia hodhi me 7 vite burg

25 Janar 2022, 11:57| Përditesimi: 25 Janar 2022, 13:28

  • Share

Vrasja e djeshme në Lezhë si pasojë e gjakmarrjes i ka rrënjët 13 vite më parë, ku 17-vjeçarit Florian Pervathi i vranë të atin. Ndërsa nëna e tij nga dhimbja u vetëhelmua po atë ditë duke lënë jetim 4 fëmijët, mes të cilëve edhe Floriani, atëherë vetëm 4 vjeç.

Rritja e tij me ‘këshillat’ se ‘gjaku nuk falet’ ku gjakmarrja është një fenomen ende prezent në fshatin Manati të Lezhës, duket se i ka pasur rrënjët edhe tek drejtësia e cunguar që u bë për vrasësin e babait të tij.

Prokurori Agim Dalipi, i cili sot është i shkarkuar nga vetingu, në 2009 kërkoi një dënim minimal për vrasësin Ndue Lekgjonaj, i cili i mori jetën me paramendim për shkak të konflikteve të mëparshme Gjon Përvathit, të atin e 17-vjeçarit.

Në Kodin Penal vrasja me dashje dënohet nga 10-20 vite burg, ndërsa prokurori ka kërkuar 12 vite dhe përmes gjykimit të shkurtuar shkonte në 8 vite burg. Por gjyqtarja e Lezhës, Gentiana Muçaj e ka ulur edhe më tej këtë dënim minimal të kërkuar nga prokuroria, duke vendosur 10 vite burg për Ndue Lekgjonaj dhe përmes dënimit të shkurtuar autori ka lërë qelinë brenda 7 vitesh dhe të largohet jashtë vendit. Kjo padrejtësi ishte një arsye shtesë që nxiti edhe më tej gjakmarrjen.

Si ndodhi vrasja në Lezhë? 17-vjeçari Florian Pervathi ka qëlluar me 4 plumba me pistoletë me mulli, 65-vjeçarin Lek Lekgjonaj, vëllai i vrasësit të babai të tij. 17-vjeçari e ka ekzekutuar Lekgjonajn në oborrin e shtëpisë së vëllait të tij, Ndue Lekgjonaj, i cili bëri vrasjen 13 vite më parë. Pas ngjarjes ai u vetëdorëzua në polici ku pranoi krimin. Vrasja ndodhi si pasojë e gjakmarrjes që edhe pse në shekullin e 21, kjo traditë e lashtë ende i ka rrënjët e thella. Familja Përvathi nuk e kishte falur gjakun, por viktima Lek Lekgjokaj nuk ruhej edhe pse i vëllai kishte marrë një jetë 13 vite më parë.

Aktualisht 17-vjeçari Florian Pervathi ndodhet në paraburgim, ku edhe pse ka pranuar vrasjen dhe ka dorëzuar armën me mulli, ende nuk është marrë në pyetje për shkak të gjendjes së tij të rënduar psikologjike. Florian Përvathi ka arsim 9-vjecar në shkollën e Manatisë dhe më pas nisi liceun në Shkodër për pikturë. Por aty ai bëri vetëm një vit dhe e la shkollën, ndërsa jetonte te banesa e xhaxhit të tij në fshatin Manati.

(Kliko ketu për Vendimin e Gjykatës të vrasësit të babait të 17-vjeçarit)

Ora 13:00
Gjakmarrja në Lezhë, flet i afërmi i 17-vjeçarit: Nuk shprehej kurrë, i mbyllur në vetëvete! Merrej me karate dhe pikturë

Mark Paloka, i afërm i Florian Pervathit i cili dy ditë më parë vrau vëllain e vrasësit të babait të tij, shprehet se drejtësia ka munguar dhe nga 7, autori Ndue Lekgjonaj ka bërë vetëm 4 vite burg. Paloka thekson se i mituri duket se e ka mbajtur të fshehtë në vetëvete që do të kryente vrasjen, pasi asnjëherë nuk është shprehur më parë.

"Me sa jam në dijeni unë, e ëma dhe i ati e kanë lënë në një ditë. I ka mbajt xhaxhai. Isha në emigrim në atë kohë, por sipas vëllezërve të Martines që i kam kushërinj, më treguan ngjarjen që e kanë vrarë, kanë aksidentuar edhe djalin me makinë, pastaj ka pirë helmin dhe e shoqja. Këto kanë qenë të vegjël. Me dijëninë time janë 4, një vajzë dhe 3 djem. Akoma adoleshent është. Shumë herë vite, ishte djalë i sjellshëm, i respektonte njerëzit e vet kudo që i takonte. Nuk u shprehte, merrej me karate dhe pikturë, nuk jepte për kështu. E ka mbajt në vetëvetë të mbyllur atë punë. Siç është ai kanuni jonë, marrja e gjakut është larja e të gjithëve. E ka bërë krimin dhe është vetëdorëzuar. S'ka pasur arsye të ikte. Enigmë, ai e ka bërë me patjetër me vetëdije.  Motrën më duket e ka në Itali, flas me atë që më kanë thënë njerëzit e tij. S’kam pasur kontakt me djalin. Kanë të bëjnë shumë psikologët. Kanë lënë 4 jetimat, duhet të ishin marrë psikologët. Keq për të dyja familjet tani.”-tha Paloka.

Komento

Komente

  • Scutari: 25/01/2022 22:23

    Nëse ka prokuror që ka dhënë më shumë dënime të përjetshme ka qenë Agim Dalipi!!

    Përgjigju
  • Like: 25/01/2022 12:14

    Sepse drejtesine ne Shqiperi e ben paraja dhe jo ligji. Shtet pa drejtesi. Nuk kishim degjuar me pare vrasje si tani

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?