Kronikë

Vrau nxënësin në Maliq pas sherrit për ‘një shikim’, lihet në burg autori, babai dhe xhaxhai i tij! 14- vjeçari në seancë: S'doja ta bëja, jam shumë i penduar (VIDEO)

17 Gusht, 13:42| Përditesimi: 17 Gusht, 19:53

  • Share

Korcë- Gjykata e Korçës ka lënë në burg 14- vjeçarin që vrau me thikë për një shikim nxënësin bashkëmoshatar Erald Xhejo, pasditen e 14 gushtit në lokalin e fshatit Pirg, në Maliq. Po ashtu, në burg është lënë edhe babai dhe xhaxhai i autorit, pasi akuzohen se fshehën thikën që u krye krimi.

Ndërkohë, në arrest shtëpie është lënë miku i babait të autorit, ndërsa për 4 të miturit është dhënë masa detyrim paraqitje nën mbikqyrjen e prindërve.

Burime brenda sallës gjyqësore thanë se autori gjatë seancës ka folur mes lotësh duke shprehur pendesë.  

“Nuk kam dashur të bëj vrasje. Ishte grindje e çastit. Jam shumë i penduar. Ngushëllime për familjen“, ka thënë ai. 

Seanca në Gjykatën e Korçës nisi rreth orës 13:30 pasditen e sotme dhe u zhvillua nën kushte të forta sigurie dhe me dyer të mbyllura. Gjithashtu ka pasur edhe prezencë të madhe të familjarëve apo të afërmve të të arrestuarve.

Report Tv ka siguruar me pamje edhe momentin kur të arrestuarit kanë mbërritur në gjykatë. Në ambientet e jashtme të gjykatës prani e shumtë njerëzish dhe forca policie.

I dyshuari e ka pranuar autorësinë e krimit para grupit hetimor, ndërsa ka qenë në gjendje të rënduar psikologjike.

Tetë persona u arrestuan nga policia e Maliqit lidhur me ngjarjen e ndodhur pasditen e së enjtes, ku u vra me thikë 14-vjeçari Erald Xhejo nga bashkëmoshatari i tij në ambientet e jashtme të një lokali në fshatin Pirg. Në pranga është vënë autori 14-vjeçar, babai E. G dhe xhaxhai i tij R. G., 4 të mitur si dhe 34-vjeçari Flori Çela.

Ngjarja e rëndë ndodhi më 14 gusht. Ka qenë një goditje e vetme në zemër që i ka shkaktuar vdekjen 14-vjeçarit. Pas kryerjes së krimit, autori, i cili mbeti gjithashtu i dëmtuar, ka tentuar që të largohet me një automjet me 34-vjeçarin, që ishte i pranishëm kur ndodhi sherri.

Babai dhe xhaxhai i të miturit akuzohen për veprime që pengojnë të vërtetën pasi fshehën thikën me të cilën u krye krimi, nga transporti me makina nga vendngjarja, deri tek larja e thikës me të cilën u krye vrasja. Ndaj autorit rëndon akuza e vrasjes me dashje dhe drejtim i automjetit në mënyrë të parregullt.

Katër të miturit e arrestuar kanë gjithashtu të pranishëm në konflikt dhe akuzohen se kanë tentuar që të pengojnë zbulimin e së vërtetës. I teti mes të dyshuarve, 34-vjeçari Flori Çela që tentoi të largohej me autorin, akuzohet për moskallëzim krimi.

14-vjeçari Erald Xhejo ndërroi jetë në spital, ndërsa ndihmë mjekësore mori edhe autori që mori dëmtime por jo me mjet prerës. Të mkiturit ishin takuar në lokalin e fshatit Pirg për t’u sqaruar, por autori ka shkuar i armatosur me thikë.

Ky i fundit bënte edhe të fortin nëpër rrjete sociale. Në disa foto të publikuara nga mediat shihet teksa i riu pozon me armë zjarri, ndërsa shkruante mesazhe të tipit: "shfaqem kur s'ta pret mendja".

Njoftimi i Gjykatës së Korçës:

Nisur nga interesi i treguar prej Jush për rastin bëjmë me dije se: 
Në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjitshëm Korçë, u zhvillua sot në datën 17.08.2025 ora 13:30 seanca me objekt: "Vleftësim arrestimi në flagrancë, caktim mase sigurimi", ndaj shtetasve E.G, K.A, V.V, A.M, O.M, E.G, R.G, F.Ç, ku gjykata në përfundim vendosi: 

1.    Për të miturin në konflikt me ligjin  E.G, i dyshuar për veprën penale 
parashikuar nga neni 79 germa a të Kodit Penal dhe 279 të Kodit Penal, vleftësimin si të ligjshëm të arrestit në flagrancë dhe caktimin ndaj tij të masës se sigurisë “arrest me burg” parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale. 
Ne kuadër të ekzekutimit të kësaj masë ngarkohet organi i prokurorisë pranë kësaj Gjykate me zbatimin e saj.

2.    Vleftësimin si të paligjshëm  të arrestit në flagrancë  për të miturin në konflikt me ligjin K.A dhe lirimin e tij të menjëhershëm nga dhomat e paraburgimit të Komisariatit të Policisë Korçë.

3.    Vleftësimin si të paligjshëm të arrestit në flagrancë të të miturit në konflikt me ligjin V.V dhe caktimin ndaj tij të masës së sigurisë të parashikuar nga neni 83 i Kodit të Drejtësisë Penale për të mitur, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të parashikuar nga neni 301 i Kodit Penal.
Në kuadër të përmbushjes së masës së sigurisë caktohet babai i të miturit, I.V, si mbikëqyrës që detyrohet të paraqesë të miturin V.V pranë organeve të policisë gjyqësore dhe/ose prokurorisë, sa herë që ato do ta kërkojnë.
Urdhërohet lirimi i menjëhershëm i të miturit në konflikt me ligjin, V.V, nga dhomat e paraburgimit të Komisariatit të Policisë Korçë.

4.    Vleftësimin si të paligjshëm të arrestit në flagrancë të të miturit në konflikt me ligjin A.M, dhe caktimin ndaj tij të masës së sigurisë së parashikuar nga neni 83 i Kodit të Drejtësisë Penale për të Mitur (KDPM), si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të parashikuar nga neni 300 i Kodit Penal, duke caktuar si mbikëqyrës të të miturit babin e tij shtetasin GJ.M, i cili është i detyruar të paraqesë të miturin pranë organeve të policisë gjyqësore dhe/ose prokurorisë sa herë që këta të fundit do ta çmojnë të arsyeshme.
Urdhërohet lirimi i menjëhershëm i të miturit në konflikt me ligjin nga dhomat e paraburgimit të Komisariatit të Policisë Korçë.

5.    Vleftësimin si të paligjshëm të arrestit në flagrancë të shtetasit O.M, dhe caktimin ndaj tij të masës së sigurisë së parashikuar nga neni 83 i KDPM, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të parashikuar nga neni 301 i Kodit Penal.
Në kuadër të plotësimit të kësaj mase, caktohet babai i të miturit, shtetasin V.M, si mbikëqyrës i të miturit, duke i caktuar për detyrë që të paraqesë të miturin pranë organeve të policisë gjyqësore dhe prokurorisë, sa herë të kërkohet nga ana e tyre.
Urdhërohet lirimi i menjëhershëm i të miturit në konflikt me ligjin, O.M, nga qelitë e paraburgimit të Komisariatit të Policisë Korçë.

6.    Vleftësimin si të ligjshëm të arrestit në flagrancë të shtetasit E.G, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të parashikuar nga neni 301 i Kodit Penal, dhe caktimin ndaj tij të masës së sigurisë “arrest në burg” të parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale.
Ngarkohet organi i prokurorisë pranë kësaj gjykate me ekzekutimin e kësaj mase.

7.    Vleftësimin si të ligjshëm të arrestit në flagrancë të shtetasit R.G, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të parashikuar nga nenet 301 dhe 302 të Kodit Penal, dhe caktimin ndaj tij të masës së sigurisë “arrest në burg”. Ngarkohet prokuroria pranë kësaj gjykate me zbatimin e kësaj mase.

8.    Vleftësimin si të ligjshëm të arrestit në flagrancë të shtetasit F.Ç, për veprën penale të parashikuar nga neni 302 i Kodit Penal, dhe caktimin ndaj tij të masës së sigurisë “arrest në shtëpi”.
Urdhërohet ky shtetas të qëndrojë në banesën e tij në fshatin Leminot, Njësia Administrative Pirg, Maliq, dhe të mos takojë asnjë shtetas tjetër përveç familjarëve të tij.
Ngarkohet Komisariati i Policisë Maliq dhe Prokuroria pranë kësaj gjykate për ekzekutimin e kësaj mase.
Urdhërohet lirimi i menjëhershëm i këtij shtetasi nga ambientet e paraburgimit të Komisariatit të Policisë Korçë.

9.    Kundër disponimeve  të mësipërme lejohet ankim brenda 5 ditëve në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.

Ora 18:03
Vrasja e 14- vjeçarit në Maliq pas sherrit për ‘një shikim', avokati i autorit: Ishte konflikt çasti

 

Ledian Spaho, avokati i 14- vjeçarit që vrau me thikë për një shikim bashkëmoshatarin Erald Xhejo, pasditen e 14 gushtit në lokalin e fshatit Pirg, në Maliq, ka folur për mediat pas vendimit të Gjyaktës së Korçës e cila e la në burg autorin, babain dhe xhaxhain e tij.

Ai shprehet se ishte një konflikt i çastit ajo që ndodhi mes dy të miturve

"Shpreh ngushëllimet për humbjen e familjarëve. Gjykata vendosi që autori të caktojë masën arrest në burg. Kjo pasojë e krijuar nga konflikt i çastit, edhe pse fëmijë, gjykata vlerësoi të vlefshëm arrestit, edhe për babain, po ashtu edhe për xhaxhain. Të miturit e tjerë, gjykata vendosi jo të ligjshëm arrestimin, por vendosi mbikëqyrjen nga prindërit dhe paraqitjen para gjykatës. Autori shprehu pendesë. Tha nuk doja të kishte këtë pasojë, se dija që veprimet e mia do krijonin këtë pasojë, shpreh ngushëllimet për familjen. Të njëjtën gjë ka deklaruar edhe babai i të miturit duke thënë se na vjen keq për pasojën’, tha ai.

A.Q/S.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se takimi Trump-Putin do të sjellë paqen në Ukrainë?