Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, deklaroi të martën në Ohër se “Ballkani i Hapur” sjell përfitime për të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe se kjo iniciativë nuk e zëvendëson integrimin në Bashkimin Evropian, por është një nismë e veçantë e popujve ballkanikë.
Ai pas arritjes në Ohër tha se është një mbështetës i fortë i nisjes së negociatave të BE-së me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, porse nisma "Ballkani i Hapur" është në dobi të të gjithëve.
“Kjo nismë është më e mira në rajon në dekadat e fundit”, tha Vuçiç, teksa foli edhe nëse kjo nismë është e hapur për Kosovën. “Sa i përket dëshirës së kujtdo tjetër për të hyrë në ‘Ballkanin e Hapur’, të gjithë janë të mirëpritur. Ju e quani Republika e Kosovës, ne e quajmë ndryshe. Nëse doni t'i zgjidhim problemet në interes të qytetarëve, a do të kemi mjaftueshëm miell, vaj dhe gjithçka tjetër, atëherë kjo është një pyetje për ‘Ballkanin e Hapur’," tha Vuçiç. “Nuk e kam problem të flasë me çdokënd në Prishtinë. Shkëmbimi tregtar në CEFTA është shumë herë më i madh se në fillim. Kjo sjell përfitime për Ballkanin”, shtoi ai.
Presidenti serb tha se në takimin me liderët e tjerë do të ngrehë çështjen se si vendet e rajonit mund të ndihmojnë njëri-tjetrin në ushqim, energji, gaz, ndërtimin e përbashkët të termocentraleve, veçanërisht termocentraleve të ripërtëritshme/REL
Lajmi kryesor:
Sot dhe nesër zhvillohet samiti i Ballkanit të Hapur në Ohër! Mbërrin Rama: Mali i Zi zyrtarisht pjesë e nismës! Axhenda dhe marrëveshjet që do firmosen! Mesazh Escobar e Varhelyi
SI.E./ReportTv.al