SHBA - Trajneri i Real Madridit, Xabi Alonso, ka shprehur besim se Kylian Mbappe do të jetë i gatshëm për ndeshjen ndaj Juventusit, që zhvillohet të martën më 1 korrik, në fazën e 1/8 të Kupës së Botës për Klube.
Ylli francez ende nuk ka debutuar në këtë kompeticion, pasi javën e kaluar u shtrua në spital si pasojë e problemeve në stomak. Gjendja e tij shëndetësore është përmirësuar dhe stafi i Real Madridit po punon për ta rikthyer në dispozicion sa më shpejt.
“E duam Mbappenë përsëri me ne dhe presim që ai të jetë në formën më të mirë të mundshme. Nuk mund të them me siguri që do të luajë, por jemi optimistë për të martën”, tha Alonso në konferencë për shtyp.
Trajneri spanjoll foli edhe për mundësinë që Mbappe të bashkëpunojë në sulm me Vinicius Junior, i cili ka dhënë tashmë kontributin e tij në këtë turne me një gol dhe një asist në tri ndeshje.
“Ata mund ta bëjnë, Vini nga krahët, Kylian nga qendra. Nuk e pengojnë njëri-tjetrin, funksionon, sepse ka cilësi individuale, por na duhet që ekipi të funksionojë si tërësi. Të gjithë bashkë, jo një nga një”, theksoi Alonso.
Real Madrid e mbylli fazën e grupeve në vendin e parë në Grupin H, me 7 pikë, ndërsa Juventusi u rendit i dyti në Grupin G, me 6 pikë, duke siguruar një përballje interesante në fazën eliminatore të kompeticionit.
Komente
