Instituti i Monumenteve të Kulturës dhe Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) kanë përfunduar projektin për rikonstruksionin e Xhamisë së Plumbit në Vlorë, e cila është jashtë funksioni prej 4 muajsh.
Myftiu, Ardit Hoxhllaku konfirmon se punimet pritet të nisin shumë shpejt. Si një monument kulture i rëndësishëm, projekti po shqyrtohet në detaje për të siguruar një ndërhyrje të kujdesshme dhe cilësore.
“Do të vonojë edhe pak projekti. Brenda muajit mars do të jemi për fillimet e punimeve. Faljet e namazit kryhen te xhamia ‘Neshat Pashai’ dhe në Kaninë”, tha Ardit Hoxhllaku, Myftiu i Vlorës.
Myftiu i Vlorës thekson se ende nuk mund të flitet për fondin e parashikuar apo afatet e përfundimit të punimeve, pasi Xhamia e Plumbit do t’i nënshtrohet një rikonstruksioni total. Edhe materialet që do të përdoren do të përzgjidhen në përputhje me vlerat historike dhe arkitekturore të xhamisë.
“Nuk e dimë si do të ecin punimet. Një gur mund të shkojë një muaj ose e gjithë xhamia mund të shkojë një javë. Muaji i Ramazanit kemi planifikuar që përveç xhamisë ‘Neshat Pashai’ dhe Kaninës, kemi marrë edhe një ambient tjetër në funksionin e foltores”, shtoi ai.
Xhamia e Plumbit në Vlorë daton rreth pesë shekuj më parë dhe deri më sot nuk ka pasur asnjë rikonstruksion. Dëmet e shkaktuara nga përmbytjet e muajit tetor 2024 e kanë bërë të domosdoshme ndërhyrjen emergjente në këtë monument kulture.
Aktualisht, ritet fetare për besimtarët myslimane kryhen në dy xhamitë e tjera të qytetit. Ndërkohë për muajin e Ramazanit që nis më 1 Mars do të jene ne dispozicion dhe dy ambiente te tjera për falje.
Komente
