Partia Demokratike në Dibër vijon takimet duke thyer protokollin e sigurisë së vendosur nga komiteti Teknik i Ekspertëve, edhe pse shumë përfaqësues të kësaj force politike janë gjobitur.
Drejtuesi politik i demokratëve në Dibër, Xhelal Mziu, ka organizuar një takim duke thyer të gjitha rregullat anti-COVID.
Në fotot e publikuara nga vetë ai, shihet se si të rinjtë qëndrojnë ulur pranë njëri-tjetrit, një pjesë e të cilëve janë pa maska.
“Rinia forca që na shtyn përpara! Entuziazëm dhe frymë fitorje! Nga Mati do të nisë "çmontimi" i të "keqes"
Rinia është e ardhmja e Shqipërisë, ajo është shpresa dhe garancia se ky vend do të bëhet. Është kënaqësi të jem mes gjithë këtyre djem e vajzave kaq energjikë,që i bashkohen "uraganit" të fitores së 25 prillit. Ne angazhohemi të vendosim brezin e ri në krye të prioriteteve të qeverisë tonë. Punë, arsimim, mundësi, profesion. Ne do ta vendosim rininë të parën.
Në këto 8 vite, të rinjtë tanë u larguan nga vendi për shkak se kishin humbur shpresën. Partia Demokratike i dëgjoi këto të dhëna alarmuese!
Nuk ka Shqipëri pa rini! E ardhmja na përket ne! Kjo është Dekada e Rinisë. Sot ne kemi në duar një program me të cilin Shqipëria fiton! Fiton së pari rininë, ndalon shpopullimin e vendit, frenon boshatisjen e rrugëve, lagjeve dhe shkollave tona nga të rinjtë. E pikërisht për ta ndryshuar këtë realitet, ne do ta shpërblejmë financiarisht mundin dhe punën e ekselentëve, me praktika të paguara për 10 mijë studentë!300 mijë lekë të vjetra në muaj për secilin prej tyre, për 12 muaj rresht! Me 25 prill rinia Matjane do të votojë PD”, shkruan Mziu.
Lajmi kryesor:
Shtrëngime duarsh e mbi 10 persona në ambient të mbyllur, gjobitet me 5 mln lekë kreu i PD-së në Kukës
B.K./ReportTv.al