TIRANE-Pas Lulzim Bashës, Basir Çollakut dhe Emiliano Nuhut, kryetari i grupit të PS, Taulant Balla ka depozituar sot padi në prokurori edhe për dy deputetët e Partisë Demokratike Edi Paloka dhe Enkelejd Alibeaj. Kallëzimi për shpërdorim detyre dhe fyerje është depozituar mesditën e sotme nga Balla pas akuzave nga Paloka dhe Alibeaj në lidhje me Emiljano Nuhun.
Dy deputetët e Partisë Demokratike kanë akuzuar Ballën si të përfshirë në mbrojtjen e djalit të deputetit të Krujës për rastin ‘Xhisiela’. Ish-oficeri i policisë Emiljano Nuhu pretendon se Balla ka qenë në komisariatin e Fushë-Krujës, kur është kërcënuar me armë zjarri nga vëllai i deputetit. E ndërsa shefi i grupit të PS e mohoi kategorikisht një gjë të tillë, Enkelejd Alibeaj akuzoi dje se “Taulant Balla i ka kërkuar Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Ardi Veliu, të marrë masa për fshirjen e gjurmëve të krimit dhe për të zhdukur provat e përfshirjes së tij”. Pas akuzave nga PD, Balla depozitoi padi sot për dy deputetët.
Ndërsa një ditë pasi Nuhu denoncoi rastin, Balla kallëzoi kryetarin e PD, Lulzim Basha, gazetarin Basir Çollaku dhe Emiliano Nuhun. Ndërkohë që rasti ‘Xhisiela’ është kthyer në një luftë padish mes shumicës dhe opozitës, pasi sot Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim depozituan sot në Prokurori një padi kundër kryeministrit Edi Rama. Opozita bën përgjegjës edhe kryeministrin Edi Rama për kërcënimin e pretenduar të Nuhut, pavarësisht se ish-oficeri nuk ka qenë në gjendje të japë prova konkrete që faktojnë akuzën e tij. Sipas opozitës, qëndrimi i kryeministrit ka qenë në mbrojtje të deputetit Rraja.
Ish-oficeri i Krujës, që kërkoi azil në Zvicër pretendon se në datë 21 korrik është kërcënuar më armë në kokë për të mbyllur dosjen e hapur për akuzën e përdhunimit në ngarkim të djalit të deputetit të Partisë Socialiste, Rahman Rraja. Ai akuzon se në datë 21 korrik vëllai i deputetit i ka vënë pistoletën në kokë, vetë deputetin Rraja, kryebashkiakun Artur Bushi dhe Taulant Ballën se ishin në mesin e 10 personave që e kërcënuan.
Por Nuhu, kur bëri më 30 korrik kallëzimin në Komisariatin 6 të Tiranës, duke denoncuar se ishte kërcënuar pasi po hetonte çështjen e Xhisielës, nuk i referohet aspak episodit të 21 korrikut. Kufizohet vetëm të thotë se pasditen e 30 korrikut dy kushërinj të Rexhep Rrajës, Redian dhe Ramazan Rraja, e kanë kontaktuar nëpërmjet Ëhat’s up-it, duke kërkuar ta takonin në Tiranë.
Sipas policisë që heton mbi këtë çështje, këto kërcënime me armë në të vërtetë nuk kanë ekzistuar dhe Emiljano Nuhu ka vendosur t’i shpikë ato vetëm para se të arratisej, në mes të gushtit, për ta bërë më të besueshme dhe solide kërkesën për azil politik.
Kallëzimi penal i Ballës ndaj Palokës dhe Alibeajt
Pas depozitimit të padive nga kryetari i grupit të PS, Taulant Balla për dy deputetët e Partisë Demokratike Edi Paloka dhe Enkelejd Alibeaj, një reagim ka ardhur edhe nga ky i fundit.
Me anë të një statusi në Facebook, Alibeaj është shprehur se loja me padi është e dalë mode dhe se inflacioni me padi apo show në prokurori nuk e shpëton dot Taulant Ballën nga përgjigja se përse qeveria e tij nuk shfaq çfarë përmbajnë kamerat e Policisë së Fushë Krujës.
Loja me padi eshte e dale boje, njesoj si genjeshtrat e Taulant Yaris se ne 21 Korrik ishte njehere ne inaugurim, njehere per peshk.
Enkelejd Alibeaj, deputet
Sipas tij, qytetarët e kanë parë sesi ai po sillet si anëtar i bandës së Fushë Krujës në mbrojtje të Rrahman Rrajës dhe djalit të tij përdhunues dhe se ata nuk e kanë harruar reagimin e tij se që këtë histori e quajti një “idiotizëm”.
Postimi i plotë i Alibeaj:
Inflacioni me padi apo show ne prokurori nuk e shpeton dot Taulant Ballen nga pergjigja: pse qeveria e tij nuk shfaq çfare permbajne kamerat e Policise se Fushe Krujes.
Persa kohe qeveria mbulon te verteten, Taulant Balla nuk ka pse te ndjehet i fyer, kur ne i kujtojme se ai ka marre pjese ne kercenimin me pistolete ne koke te nenkomisar Emiljano Nuhut.
Qytetaret e kane pare sesi ai po sillet si anetar i bandes se Fushe Krujes ne mbrojtje te Rrahman Rrajes dhe djalit te tij perdhunues.
Qytetaret nuk kane harruar se diten e pare te reagimit te tij, Taulant Balla quajti “idiotizem” perdhunimin e vajzes nga djali i kolegut te tij.
Loja me padi eshte e dale boje, njesoj si genjeshtrat e Taulant Yaris se ne 21 Korrik ishte njehere ne inaugurim, njehere per peshk.