Xhixho me të zeza për vrasjen e 14-vjeçarit, fjalim në Kuvend: Atë e kemi vrarë të gjithë ne, sot na ka bërë të pavlerë

19 Nëntor, 12:51| Përditesimi: 19 Nëntor, 13:02

  • Share

 

Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho ia kushtuar fjalën e saj në Kuvend vrasjes së 14-vjeçarit Martin Cani. E veshur me të zeza, Xhixho tha se Canin e kemi vrarë të gjithë, me sistemin që kemi ngritur, me shkollën që nuk mëson dhe edukon, me modelet që ofrohen.

"Prindërit e Martin Canit, 14-vjeçarit që u vra dje nga thika e bashkëmoshatarit të tij, sot janë në zi. Kobi e ka mbuluar shtëpinë e tyre, e ne të gjithëve në fakt duhet të na mbulojë turpi. Mirëpo ne nuk kemi turp. Sepse po të kishim sado pak turp nuk do të ishim këtu në këtë sallë turpi, por do të ishim e duhej të ishim në fakt atje në atë anë të rrugës pranë shkollës “Fan Noli” ku 14-vjeçarët në vend të librave, kishin në duar thika dhe vranë Martinin e vogël e thanë shpirtin e prindërve të tij.

Ne nuk kemi turp, sepse ne jemi deputetë e ministra. Jemi këtu për të folur dhe jo për të ndjerë. Pothuaj të gjithë jemi prindër. Mendoni për një moment si prindër dhe se çfarë do të bënte secili prej nesh, nëse ajo që ju ngjau prindërve të Martin Canit do të na kishte ngjarë neve?! Mirëpo fatkeqët në këtë rast nuk jemi ne, janë prindërit e Martinit të gjorë, të cilin nuk e vrau vetëm thika e bashkëmoshatarit të vet. Atë e kemi vrarë të gjithë ne. E kemi vrarë me sistemin që kemi ngritur dhe me statistikat pas të cilave fshihemi e me të cilat mburremi. E kemi vrarë me shkollën që nuk mëson dhe që nuk edukon. E kemi vrarë me modelet që ofrojmë e me të cilat mburremi.

Komuniteti, policimi, perimetri i sigurisë, marrëveshje mes ministrave, siguria në shkolla, siguria në rrugë, rendi publik e plot fraza e sllogane si këto sot janë të pavlera. Ne flasim për projekt buxhetin. Ndërsa 14-vjeçari Martin Cani akuzon. Ai sot na ka bërë të gjithëve të pavlerë. Unë më parë se të jem deputete a politikane, jam nënë. Dhe si nënë nuk kam fuqi të flas. Ju nëse keni fuqi vazhdoni e flisni për arritjet tuaja, vazhdoni e flisni për projekt buxhetin. Për prindërit e Martin Canit sot është ditë zie. Për ne është ditë turpi. Ju vazhdoni e flisni për projekt buxhetin. Martini 14-vjeçar akuzon", tha Xhixho. 


Lajmi kryesor:

Kuvendi debat për vrasjen e 14-vjeçarit, Zhupa: Manastirliu të dorëhiqet, ku e çuat 'Paketën e Sigurisë' në shkolla? Balla: Mos bëni politikë, na jepni votat ta miratojmë! PD 1 minutë heshtje pa PS


SI.E.//ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?