Sociale
Drejt Punës

‘Zanatin ma mësoi gruaja, s’kam turp ta pranoj’, Ladi e Katerina Shakaj, çifti i orëndreqësve rrëfejnë historinë: Bashkë në jetë e punë

2 Shkurt, 14:30| Përditesimi: 2 Shkurt, 15:09

  • Share

Mes pasionit dhe përkushtimit, Katerina dhe Ladi Shakaj vazhdojnë të mbajnë gjallë një nga zanatet e vjetra, por gjithnjë e më të rralla në ditët e sotme—atë të orëndreqësit. Në një kohë kur teknologjia po e bën gjithnjë e më të lehtë zëvendësimin e orëve të prishura me të reja, çifti vlonjat është dëshmi e asaj se tradita dhe mjeshtëria ende kanë vendin e tyre.

Katerina, tashmë 60-vjeçe, ka nisur këtë profesion që në moshën 16-vjeçare dhe prej 44 vitesh vijon me të njëjtin përkushtim. Ndërsa bashkëshorti i saj, Ladi, e ka mësuar këtë zanat nga vetë ajo dhe e ushtron prej 30 vitesh.  

“Është i vështirë si profesion, do përqendrim, do qetësi, do durim. I bukur është nga pamja e jashtme se ndjen ti kënaqësi se bën diçka. Por ka dhe profesioni vështirësitë e saj. Duhet të jesh i përqendruar me trurin, koka, qafa ulur”, shprehet Katerina.

Ajo tha për Report TV se nuk mund të qendrojë asnjë ditë larg dyqanit të vogël ku kalon pjesën më të madhe të kohës mes mekanizmave të vegjël, ndërsa Ladi pranon pa komplekse se këtë zanat e ka mësuar nga bashkëshortja.

"Mund të rri edhe në shtëpi kur sëmurem dy ditë, të tretën e ditës nuk mund të rri dot, dua të vi. Dua të vi jo vetëm paradite, por edhe pasdite sepse mendoj ça do bëj në shtëpi. Me mirë vi këtu kaloj disa orë, edhe lekë nxjerr. Ka të mirat e saj, por edhe të këqijat. Kur punon me burrin është kënaqësi, merremi vesh. Ai bën punën e tij, unë bëj punën time. Ka raste që edhe debaton, se s’ka punë po nuk debatove", vijon Katerina. 

Kënaqësia më e madhe për ta mbetet falënderimi i klientëve, të cilët vlerësojnë jo vetëm punën e tyre, por edhe faktin që në Vlorë ende ekziston një vend ku mund të riparojnë orën.

"Katerina është me e zonja se kjo ma ka mësuar zanatin. Është pak ai mentaliteti vlonjat, pse të mësojë gruaja, por fakti është që ajo më ka mësuar. Duma t’i kënaqim klientët, ndjen kënaqësi kur vjen klienti dhe të falënderon. Por, kjo do përqendrim, përkushtim, duhet të kesh edhe durim", shprehet Ladi Shakaj.

Çifti pohon për Report TV se ka gjithmonë ndonjë debat, por në fund të ditës gjithçka është në rregull, duke treguar se harmonia mes tyre reflektohet edhe në punën që bëjnë.

Pavarësisht vështirësive, çifti Shakaj vijon të ruajë dhe të promovojë këtë zanat, duke bërë edhe një apel për të rinjtë: të mos e neglizhojnë mjeshtërinë dhe të mos largohen nga profesionet e dorës, sepse ato janë pjesë e traditës sonë.

R.D/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Po mër po: 03/02/2025 04:45

    Po Apple watch orëndreqin këto?

    Përgjigju
    • Beratasi: 03/02/2025 07:23

      Po mër po. Edhe apple watch vetëm koktrashë si ty nuk ndreqin dot se i ke granazhet të ndryshkura o budall

  • Genti: 02/02/2025 19:17

    Respekt dhe dashamiresi per ciftin Shakaj.familje e shkelqyer Vlonjate.njerez positive punetore mikprites dhe me vlera.

    Përgjigju
  • Sona: 02/02/2025 18:25

    Respekte per Ladin e Katerinen. I kam njohur qysh femije. Njerez pozitive, punetore, te rregullt dhe bashke kurdohere.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni gjendjen e sigurisë në vend?