Zbardhen pamjet e ngjarjes së ndodhur në mesnatën e djeshme në Dajç të Lezhës, ku makina e babait të kandidates për deputete të PS-së pretendohet se është ndjekur nga anëtarë të PD-së, që i kanë kanosur dhe kërcënuar me armë, e për të cilën u depozitua denoncim në Polici.
Në pamjet që Report Tv ka siguruar, shihet qartë makina e bardhë që parkohet e para, e cila është e përfaqësuesve të PS-së. Siç deklaroi më herët edhe denoncuesi Ermal Pacaj, brenda ka qenë babai i kandidates për deputete dhe kreu i PS-së në Lezhë.
Makina e dytë që shkon nga pas është e përfaqësuesve të PD-së, ku ndodheshin edhe dy personat tashmë të shpallur në kërkim pas denoncimit, Xhejson Seferaj dhe Ilirjan Gjoka.
Gazetari i Report Tv, Elvis Hila, informon se sipas hetimeve të deritanishme, pasi kanë parkuar makinat, ata kanë debatuar, teksa shihen edhe një grup personash që afrohen nga lokali dhe më pas grupi i PD-së është larguar.
Pamjet e kamerave të sigurisë janë të lokalit të babait të kandidates së PS, në fshatin Dajç të Lezhës dhe që tashmë janë marrë si prova materiale për zbardhjen e ngjarjes.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lezhë referuan materialet në Prokurori dhe shpallën në kërkim shtetasit Xh. S., 27 vjeç dhe I. Gj., 40 vjeç, si autorë të dyshuar për veprat penale “kanosja apo dhunimi i pjesëmarrësve në zgjedhje” dhe “mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Shpallja në kërkim e tyre u bë pasi rreth orës 23:25 të datës 04.05.2025, shtetasit E. N. dhe D. N. njoftuan Sallën Operative të Policisë së Lezhës, se fillimisht automjeti me të cilin lëviznin, ishte ndjekur nga 2 automjete të tjera, dhe më pas në fshatin Dajç, ishin kanosur me armë, nga shtetasit që udhëtonin me dy automjetet, për pretendime që lidhen me fushatën elektorale të motrës së tyre, kandidates për deputete të qarkut Lezhë, shtetases K. N.”, thuhet në njoftimin zyrtar të policisë vendore.
Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Policisë nisën hetimet, me qëllim zbardhjen e autorësisë dhe rrethanave të rastit.
“Nga veprimet hetimore të deritanishme dyshohet se autorë të kanosjes janë shtetasit Xh. S., 27 vjeç dhe I. Gj., 40 vjeç. Shërbimet e Policisë vijojnë intensivisht punën për kapjen e tyre”, vijon sqarimi zyrtar.
Gjithashtu, në drejtimin e Prokurorisë së Lezhës, po kryhen hetime për të zbardhur dhe dokumentuar me prova ligjore të gjitha rrethanat e këtij rasti.
Në zgjedhjet e vitit 2021, Partia Demokratike reklamonte ngritjen e strukturave për mbrojtjen e votës. Një skemë e cila, përveçse e paligjshme, u përfshi në një konflikt të rëndë në Elbasan, duke vrarë simpatizantin e PS-së, Pjerin Xhuvanin (4 ditë para votimeve).
Demokratët tani duke se i janë rikthyer vënies në veprim të strukturave të ngjashme, nën pretendimin se socialistët po blejnë vota. Kandidati i Sali Berishës në Lezhë, ish-gjyqtari i shumëpërfolur Gjin Gjoni, ka publikuar në rrjetet sociale edhe një video të shoqëruar me shkrimin se “grupet për mbrojtjen e votës në ndjekje të njerëzve që dalin natën për qëllime të mbrapshta elektorale. “Ne jemi kudo. Do t’iu ndjekim këmba-këmbës”.
Pak ditë përpara votimit, situata në Lezhë duket se po tensionohet. Në dalje nga komisariati i Lezhës, kandidati socialist, Ermal Pacaj, akuzoi demokratët se përmes njerëzve të armatosur kanë kërcënuar babanë e kandidates për deputete Klotilda Ndreca dhe kreun e PS në Lezhë, Emirjan Lazri.
Komente
