3 liderët e Ballkanit Perëndimor, Edi Rama, Aleksander Vuçiç dhe Nikolla Dimitrov

Politikë

Del deklarata e përbashkët e liderëve në samitin e 'Open Balkan' në Beograd: Do krijojmë një Këshill Ndërministror për lehtësimin e tregtisë mes vendeve

4 Nëntor 2021, 19:02| Përditesimi: 4 Nëntor 2021, 20:13

  • Share

SERBI- Takimi i 3 liderëve të Ballkanit Perëndimor në Beograd, Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, është konkretizuar me krijimin e një Këshilli Ndërministror për lehtësimin e tregtisë me vendeve, një pikat kryesore të kësaj nisme. Në deklaratën e përbashkët, në përfundim të këtij takimi, ku nuk kursehen kritikat për Bashkimin Europian, ata thonë se Unioni projektin e zgjerimit e ka vetëm në letër. Liderët e vënë theksin se Ballkani Perëndimor duhet të ecë përpara me hapa të përshpejtuara. 

Për 3 liderët, kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiç si edhe zëvendës kryeministrit maqedonas Nikolla Dimitrov, Bashkimi Europian ka dështuar në mbajtjen e premtimeve dhe sipas tyre, shembulli konkret është Maqedonia e Veriut, e cila plotësoi kushtet e kërkuara nga BE, por që në fund vijon të mbetet jashtë Unionit.

"Në letër, politika e zgjerimit mbetet aktive. Në praktikë, sidoqoftë, ka një zhgënjim në rritje mes qytetarëve të rajonit, lidhur me perspektivën në BE. Përveç kësaj, rajoni ka paguar kosto të larta për vonesat në perspektivën e tij në BE. Maqedonia e Veriut është shembulli konkret i dështimit të Bashkimit Europian në mbajtjen e premtimeve të tij. Qeveria e saj bëri sforco të mëdha për të plotësuar kushtet e Brukselit, por vetëm sa e gjeti veten të izoluar dhe u la të përballej me pasojat e vendimeve të BE-së. Dobësimi i perspektivës së integrimit europian kërcënon të na lërë më të paintegruar se kurrë. Kjo është një ndjenjë që e bashkëndajnë në mbarë rajonin", thuhet ndër të tjera në deklaratë. 

Pesimistë për integrimin e shpejtë në BE të vendeve të rajonit, liderët theksojnë se kjo nuk mund të pengojë që ata të bëjnë hapa përpara, duke forcuar bashkëpunimin me njëri-tjetrin

"Dobësimi i perspektivës së integrimit europian kërcënon të na lërë më të paintegruar se kurrë. Kjo është një ndjenjë që e bashkëndajnë në mbarë rajonin. Ndërkohë që BE-ja po harton strategji të reja dhe me ndikim mjaft të gjerë, rajoni po përpiqet dëshpërimisht të zbatojë ato ekzistuese. Edhe pse  shohim që rruga jonë drejt BE-së nuk po ecën me ritmin e pritshëm, ne mbetemi të angazhuar të arrijmë standardet e BE-së dhe të ngushtojmë hendekun ekonomik me BE-në", thuhet në deklaratë.

Ata propozojnë që përtej integrimit me të drejta të plota në Union, si fillim BE-ja duhet t'u ofrojë disa lehtësia sa i përket zhvillimit ekonomik të Ballkanit Perëndimor dhe vijnë me disa kërkesa konkrete.

"Në përputhje me këtë, do të ishte me dobi që ta përfshinte rajonin në zhvillimin e politikave tregtare e tatimore të BE-së, si mekanizmi përshtatjes së kufirit të karbonit dhe garancitë për çelikun, për të përmendur vetëm disa prej tyre. Po ashtu, ne mund të eksplorojmë mundësinë që Ballkani Perëndimor të përjashtohet nga masa të ndryshme erga omnes të politikës tregtare. Ne mund të parashikojmë përfshirjen e universiteteve tona në Zonën e Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor të BE-së, duke ofruar kështu një shans të barabartë për pjesëmarrjen në programet e specializuara, të hulumtimit dhe novacionit të BE-së. Në të njëjtën kohë, bujqësia jonë ka shumë nevojë për fonde, ndërkohë që ka një potencial të jashtëzakonshëm për t’u zgjeruar dhe për t’i ofruar prodhime me cilësi të lartë tregut të BE-së", vijohet më tej.

Një ftesë nga liderët, Edi Rama, Aleksandar Vuçiç, dhe zv.kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Nikola Dimitrov, shkon dhe për shtetet e tjera të rajonit që t’i bashkohen kësaj nisme.

Beogradi ishte ndalesa e radhës e këtij Samiti, ku u premtua se  Serbia-Shqipëria-Maqedonia e Veriut nuk do të kenë më asnjë pengesë në kufi për njerëzit e tyre dhe se do të kalojnë lirisht në këto tre vende. Për shkak të situatës së brendshme politike, kryeministri maqedonas nuk mori pjesë në takimin e Beogradit, por zëvendësi i tij Nikolla Dimitrov, garantoi se dorëheqja e Zoran Zaev nuk rrezikon tërheqjen nga 'Open Balkan'. Samiti i radhës që do të mbahet në Tiranë do të jetë i rëndësishëm pasi do të bëhen bilancet e arritjeve të deritanishme dhe do të nënshkruhet edhe memorandumi i lejeve të punës.

Deklarata e plotë
"E ardhmja e zgjerimit – një këndvështrim nga rajoni

BE-ja dhe shtetet e saj anëtare, së bashku me partnerët nga rajoni, rikonfirmuan mbështetjen e tyre pa asnjë dyshim për perspektivën e Ballkanit Perëndimor, në Samitin e Brdos më 6 tetor.
Ballkani Perëndimor theksoi përkushtimin dhe angazhimin e rajonit ndaj vlerave europiane dhe normave demokratike, ndaj rëndësisë parësore të demokracisë, të drejtave themelore dhe shtetit të së drejtës. Megjithatë, kapaciteti i diskutueshëm i BE-së për të integruar anëtarë të rinj, debatet e brendshme midis vendeve anëtare të BE-së dhe marrëdhëniet dypalëshe kanë penguar përparimin real të rajonit drejt BE-së.
Në letër, politika e zgjerimit mbetet aktive. Në praktikë, sidoqoftë, ka një zhgënjim në rritje mes qytetarëve të rajonit, lidhur me perspektivën në BE. Përveç kësaj, rajoni ka paguar kosto të larta për vonesat në perspektivën e tij në BE. Maqedonia e Veriut është shembulli konkret i dështimit të Bashkimit Europian në mbajtjen e premtimeve të tij.
Qeveria e saj bëri sforco të mëdha për të plotësuar kushtet e Brukselit, por vetëm sa e gjeti veten të izoluar dhe u la të përballej me pasojat e vendimeve të BE-së. Dobësimi i perspektivës së integrimit europian kërcënon të na lërë më të paintegruar se kurrë. Kjo është një ndjenjë që e bashkëndajnë në mbarë rajonin.

Ndërkohë që BE-ja po harton strategji të reja dhe me ndikim mjaft të gjerë, rajoni po përpiqet dëshpërimisht të zbatojë ato ekzistuese. Edhe pse  shohim që rruga jonë drejt BE-së nuk po ecën me ritmin e pritshëm, ne mbetemi të angazhuar të arrijmë standardet e BE-së dhe**të ngushtojmë hendekun ekonomik me BE-në.**
Ne nuk mund ta lejojmë këtë spirale negative të kërcënojë vetë themelet e së ardhmes dhe mirëqenies së rajonit. BE-ja po ecën përpara, ndërsa rajoni ka ngecur në dilemat e vetë BE-së.
BE-ja duhet të eksplorojë të gjitha rrugët për përparimin e integrimit të Ballkanit Perëndimor në periudhën që i paraprin anëtarësimit, krah angazhimeve të saj për një zgjerim me faza, siç parashikohet në metodologjinë e re. Në përputhje me këtë, do të ishte me dobi që ta përfshinte rajonin në zhvillimin e politikave tregtare e tatimore të BE-së, si mekanizmi përshtatjes së kufirit të karbonit dhe garancitë për çelikun, për të përmendur vetëm disa prej tyre. Po ashtu, ne mund të eksplorojmë mundësinë që Ballkani Perëndimor të përjashtohet nga masa të ndryshme erga omnes të politikës tregtare. Ne mund të parashikojmë përfshirjen e universiteteve tona në Zonën e Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor të BE-së, duke ofruar kështu një shans të barabartë për pjesëmarrjen në programet e specializuara, të hulumtimit dhe novacionit të BE-së. Në të njëjtën kohë, bujqësia jonë ka shumë nevojë për fonde, ndërkohë që ka një potencial të jashtëzakonshëm për t’u zgjeruar dhe për t’i ofruar prodhime me cilësi të lartë tregut të BE-së.

Kjo mund të parandalojë ndikimin negativ në stabilizimin dhe performancën ekonomike të rajonit. Ne besojmë se është në interesin e vetë BE-së të ndihmojë dhe të promovojë një rajon me besim dhe prosperitet. Më tej, së bashku, ne mund të eksplorojmë pjesëmarrjen në Schengen dhe integrimin progresiv në tregun e përbashkët të BE-së.
Bota sot po ndryshon shpejt. Është koha të veprojmë dhe me vendosmëri. Nuk mund të lejojmë e as nuk do të na falin për mundësitë e humbura, vetëkënaqësinë dhe mungesën e vendosmërisë për të arritur një vizion strategjik. Na duhet të kuptojmë më mirë njëri-tjetrin, nëse do të duam të arrijmë rezultatet më të mira. Nëse dikush mendon se duhet të veprojmë tani, tani ishte dje. Për këtë arsye, theksuam sot vendimin për thellimin e bashkëpunimit ekonomik në kuadrin e nismës “Ballkani i hapur”, duke ndërtuar punën mbi agjendën e Procesit të Berlinit, duke u përqendruar te zbatimi i shpejtë dhe i përshtatur. Kemi angazhuar Dhomat e Tregtisë në këtë përpjekje dhe i kemi ngarkuar të përgatitin një Udhërrëfyes të detajuar për zbatimin e Memorandumit të Mirëkuptimit për lehtësimin e importeve dhe eksporteve në Ballkanin Perëndimor, nënshkruar më 29 korrik, në Shkup. Kemi miratuar Udhërrëfyesin për zbatimin e masave për lehtësimin e tregtisë sot dhe i kemi kërkuar CIF-së të monitorojë procesin e zbatimit më tej.
Po kështu, kemi vendosur të krijojmë një Këshill Ndërministror, i cili do të punojë ngushtë me Dhomat për zbatimin e këtyre masave.
Ballkani Perëndimor është gati të ecë përpara me hapa të përshpejtuara. Ai duhet të ecë përpara. Po kështu duhet të ecë edhe BE-ja – drejt Ballkanit Perëndimor. Të ndenjurit duarlidhur nuk është alternativë.
Ne i ftojmë dhe i mirëpresim të gjithë të tjerët në rajon të bashkohen me ne. “Ballkani i hapur” është i hapur".

B.K./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Bjeri t’i biem: 05/11/2021 05:26

    E bukura eshte qe ky e pranon edhe vete qe nuk dihet se sa sinqerisht e ka Serbia kete pune. Duke pasur parasysh qe nuk kerkojne falje per krimet e luftes dhe mbajne kryeminister nje ish-minister te Milloshevicit, shanset per sinqeritet jane zero. Serbet thjeshte duan supremaci ekonomike: te jene vendi ku multinacionalet do prodhojne produktet e destinuara per shitje ne Ballkan.

    Përgjigju
  • Arbër: 04/11/2021 20:22

    Të ofendosh një popull të tërë dhe të shkelë mbi gjakun e motrave dhe vllazërve ton të ofendosh 20000 motra të dhunuara nga gjakatari nuk është njerëzore dhe e drejt...! Kurr nuk e kam ëndërruar një që një kryeministër shqiptar të fytet aq thellë në doren e armikut ton shekullor...! Ky veprim është fillimi i fundit të tij...!

    Përgjigju
    • Ajron: 05/11/2021 07:36

      Je shume i leshte vllavi jem.Ti mesa duket e ke harruar qe 6000 te rinj shqiptare nga kosova u masakruan nga brigada e mehmet shehut ne plave e guci e gjitha kjo ne ndihme te vllaznim bashkimit me vellain serb kunder ugosllaveve kosovare se keshtu ju thonin shqiptareve te kosoves pseudo shqiptaret e monizmit.Shqiperia keshtu si eshte krijuar dmth shtet patatinash gjithmone ka qene kunder shqiptareve kudo qe jane dhe me teper kane vuajtur e vuajne po shtetasit e vet sepse tashme kosoves skan cti bejne.Mos harro qe fatos nano hibridi gjysem human gjysem pinxho obez troll hante darke me miloshevicin ne athine kur shqiptaret vriteshin e perdhunoheshin ne Kosove.Asgje te re spo mundohet te beje Edi Rama ky eshte pinjolli nanos.Kete do bejne te gjithe kanibalet qe i thone vetes politikane ne Shqiperi sepse jane lindur e rritur me frymen bolshevike mbi 50 vjet.

  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?