Momenti i përplasjes së babait dhe policisë në spital

Kronikë

Zbardhet ngjarja e Vlorës/ 17-vjeçarja tentoi vetëvrasjen pas dhunës në familje, arrestohet babai, nën hetim edhe gjyshi! Fshehën armën

15 Korrik, 09:07| Përditesimi: 15 Korrik, 10:17

  • Share

Policia e Vlorës ka zbardhur ngjarjen e rëndë të një dite më parë në lagjen Kushtrimi, ku 17-vjeçarja tentoi vetëvrasjen me armë zjarri, duke mbetur e plagosur rëndë me plagë në kokë.

Për këtë ngjarje, policia ka arrestuar babain e vajzës, 43-vjeçarin S.S., i cili akuzohet se ka dhunuar të bijën. Sipas bluve, e mitura tentoi vetëvrasjen pas dhunës së ushtruar nga i ati.

Në hetim është vënë edhe gjyshi i vajzës, për armëmbajtje pa leje, i cili po hetohet në gjendje të lirë. Kjo pasi tentativa e vetëvrasjes ndodhi në shtëpinë e gjyshërve, me armën që gjyshi mbante pa leje.

Vlen të theksohet se arma e krimit, tip pistoletë, është fshehur nga familjarët dhe nuk është gjetur ende nga policia.

Kujtojmë se 17-vjeçarja e vetëplagosur në kokë mori fillimisht mjekim në Spitalin e Vlorës dhe më pas u dërgua për mjekim më të specializuar në Spitalin e Traumës në kryeqytet, ku ndodhet në gjendje të rëndë.

Video më poshtë tregon edhe momentin kur policia tenton ta shoqërojë me forcë babain e vajzës pak momente pas ngjarjes në ambientet e Spitalit të Vlorës. I ati refuzon duke bërtitur “Po më vdes çupa ore”. Megjithatë, policia e shoqëroi me forcë.

“Dua të vete te vajza ore, dua të vete te çupa ore, se po vdes ore, po vdes çupa ore, po vdes çupa. Më lër të vete te çupa ore”, bërtiste babai i vajzës, duke refuzuar shoqërimin nga policia.

Burime nga blutë e Vlorës bëjnë me dije se në familje ka patur konflikte të shpeshta, ndërsa prindërit e vajzës janë të divorcuar.

Njoftimi i Policisë Vlorë:

Vlorë/Vijojnë hetimet për zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjes së ndodhur dje, në lagjen “Kushtrimi”, ku u vetëplagos rëndë me armë zjarri një 17-vjeçare.

Vihet në pranga babai i 17-vjeçares dhe procedohet në gjendje të lirë gjyshi i saj.

Në vijim të veprimeve hetimore që po kryhen në drejtimin e Prokurorisë, për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes së ndodhur mesditën e djeshme, në lagjen “Kushtrimi”, ku një shtetase 17 vjeçe mbeti e plagosur rëndë pas tentativës për vetëvrasje me armë zjarri, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vlorë:

            •          arrestuan në flagrancë, për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Shkaktimi i vetëvrasjes”, shtetasin S. S., 43 vjeç, banues në fshatin Romës, Vlorë, pasi dyshohet se, për shkak të dhunës së ushtruar ndaj vajzës së tij të mitur, ajo ka tentuar të vetëvritet, në gjendje të rënduar psikologjike, me armë zjarri të dyshuar pistoletë;

            •          referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin P. H., 76 vjeç, gjyshi i të miturës, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, pasi dyshohet se posedonte në mënyrë të paligjshme armën e zjarrit me të cilën ka tentuar të vetëvritet mbesa e tij.

Vijon puna për gjetjen e armës së zjarrit, e cila dyshohet se është fshehur nga familjarët pas ngjarjes, si dhe kryerja e veprimeve të tjera hetimore, me qëllim dokumentimin e plotë të mekanizmit dhe rrethanave të kësaj ngjarjeje.

Shtetasja e mitur ndodhet në Spitalin e Traumës, nën kujdesin e mjekëve.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.

V.GJ /SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    AKU në ‘sitë’, a duhet bërë e njëjta gjë edhe me inspektorate të tjera?