Gerti  Selimaj

Zbardhet pas 23 vitesh vrasja e dy vëllezërve në Vlorë, shpallet në kërkim autori! Si ndodhi krimi pas plagosjes së të afërmit të 47 vjeçarit

12 Shkurt 2021, 11:26| Përditesimi: 12 Shkurt 2021, 12:09

  • Share

Zbardhet vrasja e dy vëllezërve Beqir dhe Elmaz Hasho e ndodhur në vitin 1998 në Vlorë ndërsa është shpallur në kërkim ndërkombëtar autori.

Autori i identifikuar është Gerti  Selimaj, 47 vjeç, banues në Vlorë. Ai është shpallur në kërkim pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë, ka caktuar masën e sigurimit “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.

Por si ka ndodhur ngjarja? Një i afërm i Gerti Selimajt atëherë mbeti i plagosur në vitin 1998 në Vlorë. Dy vëllezërit Hasho, Beqir dhe Elmaz Hasho, e dërguan në spital, ndërsa rrethanat e ngjarjes mbeten edhe sot enigmatike. I afërmi i të plagosurit, Gerti Selimaj iu kërkoi llogari vëllezërve mbi një armë që ishte zhdukur nga vendngjarja. Mes tyre ndodhi edhe një përplasje në spital, konflikt i cili pak ditë më vonë, agravoi me vrasjen e 2 vëllezërve.

Njoftimi i policisë:

Vijon puna hetimore për zbardhjen e ngjarjeve kriminale të ndodhura më parë.  Zbardhet vrasja e dyfishtë e ndodhur në vitin 1998, në Vlorë.  Identifikohet dhe shpallet në kërkim ndërkombëtar autori i dyshuar i vrasjes së dyfishtë.

Seksioni i Krimeve të Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, pas një pune të mirëfilltë hetimore, ka bërë të mundur identifikimin e autorit të ngjarjes së ndodhur në vitin 1998, në lagjen “Pavarësia”, Vlorë, ku mbetën të vrarë me armë zjarri 2 vëllezër, shtetasit B. H. dhe E. H.

Si rezultat i hetimeve të kryera, nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Kundër Personit në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë u bë shpallja në kërkim ndërkombëtar e autorit të dyshuar, shtetasit: G. S., 47 vjeç, të cilit Gjykatës e Shkallës së Parë Vlorë i ka caktuar masën e sigurimit “Arrest në burg” për kryerjen e veprave penale “Vrasja me paramendim” dhe "Armëmbajtja pa leje". Vijon puna intensive për lokalizimim dhe arrestimin e këtij shtetasi.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?