Një 40-vjeçar, banor i Lepenicës me precedentë penalë rezulton i zhdukur prej mbrëmjes së të hënës. Është gjetur vetëm automjeti i braktisur por pa ndonjë provë që mund të ndihmonte hetimet. Report TV ka qenë në fshatin ku banon Ermal Ngucaj dhe ka sjellë dëshminë e prindërve të tij. Sakaq burimet thanë se dy janë pistat e hetimet: Konfliktet për kanabisin dhe një konflikt i hershëm për guroren e Selenicës. Ermal Ngucaj nga Lepenica e Selenicës, baba i një djali 2-vjeç rezulton i zhdukur prej mbrëmjes së të hënës. Ai është larguar nga banesa për të pritur prindërit që vinin nga Italia, por nuk ka shkuar në port.
Telefonatën e fundit e ka kryer me të shoqen, së cilës i ka dhënë se ka ngatërruar rrugën, më pas telefoni ka rezultuar i fikur. Makina e tij është gjetur e braktisur në fshatin Mavrorë dhe brenda saj vetëm sende personale.
Babai i Ermal Ngucat ka dyshime të forta se të birin e kanë rrëmbyer dhe më pas autorët kanë parkuar makinën në Mavrorë për të fshehur gjurmët.
"E marr unë në telefon djalin dhe nuk na dilte. Erdhëm në shtëpi dhe po rrinim si në gjemba edhe i them kësaj gruas, se ku është ky djali. Ku e di unë më tha. Edhe unë mora nusen në telefon dhe i them nëse ka folur me Ermalin. Ajo më thotë se është shkëputur linja që ditën e hënë në darke dhe se ku ishte nuk e dinte. Të martën në darkë shkova në Vlorë. Vajta te shtëpia dhe nuk ishte në shtëpi. Më pas pyeta në polici dhe më thanë që nuk kemi të tillë emër këtu. Më pas erdhi vajza nga Vlora dhe dhëndri më bindi që të bëjmë denoncimin. Më pas pyeta njërin në Korçë nëse e kishte parë Ermalin, aty ishte dhe një djalë tjetër që shkon shpesh në Mavrovë, dhe më tha që makina e Ermalit është te kthesa e Mavrovës. Erdhi edhe ai na shoqëroi atje dhe makina e tij ishte në rregull dhe rrobat ishin brenda. Iu thashë të mos e preknin makinën dhe lajmëruan policinë dhe makinën e mori policia dhe nuk e di se çfarë ka bërë më tej policia. Mendoj se e kanë rrëmbyer, e kanë gënjyer dhe mund ta kenë dëmtuar djalin", tha babai i Ermalit.
Me lot në sy, nëna apelon për gjetjen e të birit dhe përpos policisë ajo i bën thirrje edhe miqve te Ermalit duke ngritur dyshime se mund ta kenë rrëmbyer përmes mashtrimit.
"Me djalin kam folur kur isha në Itali dhe më tha se ishte mirë. Ai na tha se do të na priste në portin e Vlorës për të na marrë. Pasi shkojmë në Vlorë dhe nuk kishim ofertë, burri bën ofertën dhe e merr, por nuk na del në telefon. Më pas pyesim vajzën dhe nusen dhe asnjëra nuk dinte asgjë. Ai ka qenë shumë i mirë dhe shumë i dashur dhe nuk kemi pasur asnjë problem. Ne kemi ndenjur 7 muaj në Itali nuk e dimë se çfarë mund të ketë pasur. As me shokët nuk ka pasur problem. Unë dua djalin, shokët e tij e kanë ngrënë djalin tim në të pabesë. E kanë marrë peng se e kanë plagosur", tha nëna
40-vjeçari Ermal Ngucaj ishte i papunë dhe kishte dalë nga burgu një vit më parë pasi kishte kryer dënimin me 7 muaj burg për përplasje fizike. Bëhet fjalë për konfliktin e ndodhur në guroren e Selenicës në vitin 2018, kohë kur Ngucaj punonte roje në biznesin e Ylli Sallës. Asokohe ishte konfliktuar për guroren me Paolo Durmishajn, nga fshati Kotë i Vlorës. Familjarët thanë se sherri për guroren ishte mbyllur. Sakaq, burime nga policia po hetojnë edhe në pistët tjetër; Atë të konfliktit për një sasi kanabisi që ka humbur në zonë. Dyshohet se së fundmi 40-vjeçari Ermal Ngucaj ishte përfshirë në këtë aktivitet kriminal.