'Dosja K'/Zbuloi një gjeni 6-vjeçar, përballja fatale e mësuesit me Enver Hoxhën

10 Maj 2018, 09:55| Përditesimi: 10 Maj 2018, 10:09

  • Share

Në një fshat të thellë të Dukagjinit, në Palaj Shosh,  në vitin 1961, një mësues i ri nga Shkodra, do të zbulonte një gjeni 6 vjeçar në matematikë. Ai ishte një fëmijë i jashtëzakonshëm. Quhej Nikë. Ishte shtatvogël, 97 centimetër, dhe peshonte vetëm  22 kg. Kishte dy sy të mëdhenj të zinj, depërtues dhe një logjikë që funksiononte s’dihet me ç’ligje misterioze.

Në fshatin e tij nuk kishte as energji elektrike dhe as ndonjë mjet sado të thjeshtë teknologjik. Nika nuk e dinte çfarë ishte radio, apo televizioni. Nuk dinte shkrim e këndim. Por mendja e tij e bukur mund të bënte përllogaritje matematikore nga më të komplikuarat e të vështirat.

A nuk është e pabesueshme, që të kryhen përmendësh këto veprime, aq më tepër nga një fëmijë 6 vjeçar…?

12 609 plus 970 baras 13 569
728 400 minus 13 050 baras 715 350
Ose
64 herë 4 baras 256
280 pjestim për 14 baras 20…
Të gjithë këto veprime Nika i përllogariste me mend, brenda pak sekondash. Dhe nuk gabonte kurrë….

Mësuesi, Gjeto Vocaj, ishte i mahnitur me këtë vocërrak. Ai do ti rrëmbente gjithë vëmendjen dhe energjitë. Do ta bënte të ndihej një mësues fatlum, por njëkohësisht do të bëhej shkak edhe për një fatalitet që do ti shembte njëherësh gjithë ëndrrat e tij. Sepse Nika dhe mësuesi i tij nuk do të kishin një histori të bukur suksesi. Ata të dy, do të rrëmbenin vëmendjen e kupolës më të lartë të regjimit komunist madje të vetë Enver Hoxhës.   Dhe pikërisht pas përballjes me diktatorin, mësuesi i Nikës së vogël, do të përjetonte një varg fatkeqësish.

Mësuesi i Nikës së vogël, Gjet Vocaj, sot jeton në Shkodër. Për të na ka treguar Pjerin Mirdita, drejtori i muzeut  “Vendi i dëshmisë dhe kujtesës”. Ai na grish drejt kësaj historie përmes një artikulli në gazetën mësuesi, të datës.., të cilën ai e ka hasur mes miqëra faqesh që mbledh e koleksionon për muzeun. Historia e zotni Gjetos është me të vërtetë emocionuese dhe ia vlen ta gjurmojmë. Ai ka botuar së fundmi një libër për historinë e jetës së tij, dhe ai libër së bashku me rrëfimet e tij do të na kthejnë në kohë, afro 60 vjet më parë…

Për Gjet Vocajn është kaq emocionuese t’u rikthehet viteve’60 e të rrëfejë për zbulimin e rrallë, eksperiencën e pazakontë që pati me Nikën e vogël, dhe rrjedhën e trishtë të fatit të të dyve…

Ja si e rrëfen ai zbulimin e këtij vogëlushi gjeni:
“Ishte viti 1961, kur më caktuan mësues në një zonë shumë të thellë malore, në Shosh të Dukagjinit, pra një zonë jashtëzakonisht e largët, shumë e vështirë, një zonë shumë e prapambetur e krahinave tona veriore. Pikërisht aty, për koincidencë, kur shkova në atë vend nuk gjeta as shkollë, nuk kishte shkollë. Më thanë që do ta bëja mësimin në një shtëpi. U dëshpërova shumë. Nuk mund ta imagjinoja të zhvilloja mësim në një shtëpi. Fillova dalëngadalë në një shtëpi, më vonë u ndërtua një shkollë e vogël dhe filloi rregullisht mësimi.

Gjatë kësaj kohe, për çudinë time, një fëmijë rreth 6 vjeç e pak, më rrinte shumë afër dhe më kërkonte që ta pyesja për numrat, se i kishte shumë qejf. Dhe unë fillova ta pyes.

Ai shumëzonte dy shifra me dy shifra të tjera, përmendësh, p.sh. 750 x 39. Gjithashtu shumëzonte, pjesëtonte, mblidhte dhe zbriste me numra shumëshifrorë, madje edhe me miliona. Më vonë filloi të kishte qejf problemat. Unë i jepja problema të ndryshme dhe ai i zgjidhte, deri edhe problema që ishin shumë të vështira, që arrinin deri në nivelin e shkollës së mesme. Por, të gjitha këto i zgjidhte përmendësh, jo me shkrim. Kishte një mënyrë origjinale të zgjidhjes së problemave”. 

Si kishte mundësi që Nika i vogël të kishte këtë zhvillim? Për mësuesin e ri, kjo ishte një pyetje që e shtynte të kërkonte më tej, ta pyeste, ta vinte në prova të një pas nëjshme, të përpiqej të depërtonte në mendjen e tij, për të kuptuar sadopak si funksiononte logjika e këtij fëmije…. Dhe , me kalimin e kohës ai u bind plotësisht se kishte të bënte me një fëmijë fenomen në fushën e matematikës.

Gjet Vocaj tregon se pas këtij zbulimi vendosi të shkruaj një arkikull në gazetën mësuesi:
“Pasi u binda plotësisht se kisha të bëja me një fëmijë fenomen, atëherë vendosa ta publikoj me anën e një artikulli në gazetën “Mësuesi”, të asaj kohe. Dhe i vura titullin “Njiheni dhe ju Nikën e vogël”. Kryeredaktor i gazetës ishte në atë kohë Bedri Dedja, i cili ishte një figurë shumë e njohur në të gjithë Shqipërinë. Me iniciativën e tij, e boton artikullin. I ndryshoi vetëm titullin duke ia vënë “Njihuni me dukagjinasin e vogël, fëmijë jo i zakonshëm”. Artikulli ishte botuar, por ne nuk dinim gjë sepse informacioni në atë kohë dihet se si ka qenë, i pamundur. Gazeta ishte shpërndarë në të gjithë Shqipërinë dhe unë nuk e dija se ishte botuar artikulli im. Mirëpo, për koincidencë, ky artikull bëri shumë bujë të madhe në të gjitha qendrat e punës, në shkolla, në ndërmarrje të ndryshme, në institucionet etj., madje deri edhe tek udhëheqja kryesore e asaj kohe”.

Gazeta “Mësuesi”, ku ishte botuar historia e Nikës së vogël, kishte mbërritur pikërisht atë mëngjes në zyrën e Ramiz Alisë.  Ai, pasi e kishte lexuar, kishte shkuar në zyrën e Enver Hoxhës për ti treguar këtë artikull shumë të çuditshëm. E lexojnë bashkërisht dhe iu bën shumë përshtypje. Thërrasin kryeredaktorin e gazetës Bedri Dedjen, dhe e pyesin se a ishte i bindur që ai fëmijë ekzistonte realisht apo mos ishte ndonjë fantazi.

Kryeredaktori pranoi se ishte shumë i bindur, sepse mësuesi s’mund të gënjente, nuk do të mund ta shkruante nëse s’do të ishte e vërtetë. Atëherë, atij iu dha porosia që të merrte disa pedagogë nga Universiteti, madje edhe psikologë, dhe urgjentisht të shkonin në Dukagjin për të takuar mësuesin dhe nxënësin. Pas verifikimeve, ai duhej menjëherë të sinjalizonte udhëheqjen.

“Ekipi i krijuar niset dhe vjen në Dukagji”,  thotë Gjeto, ndwrsa vijon:” Më lajmërojnë që të merrja fëmijën dhe të shkoja në qendrën e lokalitetit. U takuam. Aty për herë të parë fëmija pa dritën elektrike sepse aty, në qendër, ishte një central i vogël elektrik që prodhonte energji elektrike. Pa edhe radion për herë të parë. Ai ishte i habitur. I impresionuar isha edhe unë sepse kishin ardhur pedagogë të universitetit dhe unë isha i ri. Kisha edhe merakun se ndoshta gjërat nuk shkonin ashtu siç e kisha menduar.

Ata filluan ta pyesnin djalin, fillimisht me pyetje të thjeshta dhe pastaj e rritën gradën e vështirësisë. Ia shtuan aq shumë gradën e vështirësisë, dhe ky, në mënyrë të çuditshme për ata, u përgjigj aq saktë e aq bukur, saqë ata mbetën vërtet, shumë, shumë të impresionuar nga ai rast. Djali u tregua shumë i aftë me përgjigjet që dha.

Pedagogët u bindën plotësisht, edhe Bedri Dedja që ishte sekretar i Akademisë së Shkencave të asaj kohe, që djali ishte një fenomen i jashtëzakonshëm, i një niveli botëror. Arriti të shumëzonte tri shifra me dy shifra, përmendësh. Shumë e çuditshme. I dhanë gjithashtu problema të nivelit të shkollës së mesme dhe të gjitha i zgjidhi me mënyrën e tij origjinale. Pra, pasi u bindën plotësisht se ai ishte një fëmijë i jashtëzakonshëm, morën vendimin që të nesërmen të shkonim në Shkodër. I morëm leje familjes dhe shkuam në Shkodër. Atje ishte përhapur fjala për një fëmijë të jashtëzakonshëm dhe ishte shumë e vështirë të ecje prej njerëzve të mbledhur. Shkuam në shkollën e mesme pedagogjike, në Institut, u takuam me mësues e pedagogë dhe ngado që shkuam, djali i habiti të gjithë me përgjigjet që dha”.  

Të nesërmen e asaj dite të bujshme në Shkodër ekipi i pedagogëve bashkë me mësuesin dhe Nikën e vogël u nisën për në Tiranë. Bedri Dedja dhe gjithë ekipi ishin të ekzaltuar për zbulimin. Në Tiranë ky zbulim u shndërrua brenda pak minutave në një fenomen të pazakontë. Lajmi u bë viral.  Në Institutin e Shkencave të Natyrës dolën të gjithë pedagogët e studentët, të cilët e kishin marrë vesh të gjithë donin ta testonin Nikën e vogël. A ishte ai me të vërtetë nëj gjeni?.

Pas një dite të tillë dhe një nate pagjumë, të nesërmen në mëngjes Bedri Dedja  kishte telefonuar Ramiz Alinë, dhe e kishte informuar për udhëtimin në Dukagjin bashkë me pedagogët e Universitetit. I kishte folur me bindje se atje në atë fshat mes maleve të Dukagjinit kishte gjetur  një xhevahir të rrallë.

“Ai fëmijë qëndron shumë më lart se ç’e paraqet artikulli dhe unë, nga entuziazmi, e kam sjellë këtu në Tiranë, bashkë me mësuesin e tij. Ndoshta kam gabuar, por e solla me iniciativën time”, i kishte thënë Bedri Dedja. Nga ana tjetër e telefonit  Ramiz Alia i  kish thënë që të priste pak në linjë… dhe pas pak çastesh e kishte urdhëruar të shkonte në Komitetin Qendror bashkë me mësuesin e Nikës së vogël...

Përballja fatale me diktatorin…
“Morëm një taksi dhe arritëm në orën 10 te zyra e Ramiz Alisë. Nuk u ulëm fare sepse ai na tha që do të shkonim tek Enver Hoxha. Me thënë të drejtën, ishte një moment emocionues jashtëzakonisht i madh, se në fund të fundit unë isha një mësues fshati që po takohesha me “mbretin”, sepse ai ishte “mbreti” i asaj kohe. Ishte një ngjarje jashtëzakonisht e madhe dhe emocionuese. Por, e çuditshmja është se mua më ngacmonte diçka, nga brenda, sepse unë kisha një biografi shumë të papërshtatshme për regjimin.

Mendoja me vete se ajo ngjarje mund të bëhej shkaku që të zbulohej biografia ime. Për koincidencë unë isha larguar i vogël nga Mirdita, vendlindja ime, dhe e kisha humbur si biografi duke qenë nxënës në Tiranë e duke lëvizur në vende të tjera. Nga ana e babait, biografinë e kisha të përshtatshme, kurse nga ana e nënës jo. Gjyshin e kishin pushkatuar, të afërmit e tjerë të nënës i kishin internuar, u kishin djegur shtëpitë etj. Pra, kisha një biografi shumë të papërshtatshme për regjimin e atëhershëm. Dhe kisha një parandjenjë që ky rast do të bëhej shkak që të zbulohej biografia ime. Dhe në fakt ashtu ndodhi”- dëshmon Gjet Vocaj.

Ai do të ishte për disa vite një mësues fatlum, krejt i pangjashëm me asnjë mësues tjetër në Shqipëri.  Ai kishte privilegjin të mësonte një fëmijë me aftësi të jahstëzakonshme. Duhej të eksploronte aftësitë e këtij gjeniu të vogël, të stërvistë logjikën e tij, të zbulonte mënyrat se si ai i zgjidhte problemat dhe të gjente rrugë të reja që vogëlushi me mendje të bukur, të zbulonte e perftonte sa më tepër prej universit të dhuntive që zotëronte…

Zotni Gjeto e dëshmon kështu eksperiencën e rrallë si mësuesi personal i Nikës së vogël. “Sipas Enver Hoxhës unë duhej të isha mësuesi personal i fëmijës dhe ta ndiqja gjatë gjithë jetës këmba-këmbës. Sipas tij, meqë unë e kisha zbuluar, duhej t’i rrija afër dhe djali do të kishte një respekt të veçantë për mua. Formalisht mund të bëja një punë tjetër, por gjithmonë duhej të isha pranë djalit. Ai dha dhe sugjerimin që, meqë shkolla në Dukagjin ishte verore, djali ta kalonte fëmijërinë në fshatin e lindjes, me kushte speciale. As familja dhe as të tjerët të mos e dinin që shteti kishte interesa të veçanta për atë fëmijë, por gjërat të rridhnin krejt natyrshëm, p.sh. unë do të isha mësuesi personal i tij, do të kisha një rrogë plus asaj të zakonshmes, në verë do të shkëputeshim një muaj nga shkolla dhe do të shkonim në plazh, unë dhe djali.

Gjithashtu, Ministria e Arsimit do të mblidhte një komision, i cili do të hartonte një program të veçantë për fëmijën. Është shumë e çuditshme, komisioni e nxori që ka kaluar nga klasa e parë në klasën e katërt, d.m.th. në moshën 7-vjeçare fëmija ishte në klasën e katërt. Gjithashtu, gjatë asaj kohe, u hartua një program special në matematikë, të cilin do ta zhvilloja unë në kohën e lirë. Kështu, iu krijua disa kushte të veçanta atij fëmije derisa kaloi fëmijërinë në zonën e tij të lindjes. Pastaj, me kalimin e kohës, u mor vendimi që ai të shkonte në Shkodër, në një konvikt. Edhe mua më sollën afër tij. Mirëpo e çuditshmja është kjo, sepse filluam rrugë të ndryshme të jetës. Ai vazhdoi shkollën, universitetin, ndërsa unë pata një fat tjetër. Sigurimi i Shtetit më ndoqi hap pas hapi dhe pas njëfarë kohe më shkëputi fare nga arsimi derisa u arrestova”.


(Mësuesi Gjet Vocaj dhe gjeniiu 6-vjeçar Nikë)

Nga drita n’terr, nga liria n’robëri…
Prej këtu, jeta e mësuesit të gjeniut të vogël do të ndryshonte katërcipërisht. Nuk kish më ëndrra, eksplorim në ligjet e matematikës, përpjekje për të zhvilluar e mbështetur një gjeni, për të mbërritur rezultate e për të shijuar suksesin… Për Gjeton, niste nji epokë e errët e me shumë dhimbje!

“Sigurimi i kishte ndjekur gjërat me hollësi. Edhe kur më arrestuan, hetuesi më tha: “Kjo ngjarje u bë shkak që të zbulohet biografia jote. Ke hyrë në radhët e arsimit padrejtësisht. Nuk mund të merresh me edukimin e brezit të ri në një kohë që ke një përbërje familjare të papërshtatshme për regjimin”.

Prandaj edhe unë librit tim ia kam vënë titullin “Takim fatal me diktatorin” sepse vërtet që ai takim ishte fatal për mua. Pra, në vend që të ishte një sukses i punës sime, u kthye në bumerang, më ra në kokë dhe më ndërroi të gjithë rrjedhën e jetës sime dhe të familjes sime.

…Gjatë asaj kohe, pasi ishte zbuluar krejtësisht biografia ime, automatikisht unë duhej të kaloja në listën e zezë. Lufta e klasave i kishte ndarë njerëzit në “tanët” dhe në “kundërshtarë”. Unë i përkisja listës së kundërshtarëve. Por, inati ishte se përse unë e kisha fshehur biografinë. Nuk e kisha fshehur. U gjetën disa shkaqe që unë të arrestohesha, p.sh. në fakt, në shoqërinë tonë, pikëpamjet që kemi pasur në atë kohë, i kemi folur lirshëm, pa të keq. Ka pasur edhe shumë njerëz që kanë denoncuar. Pra, unë kisha bërë agjitacion e propagandë, kam folur me njerëz në atë kohë, kisha folur edhe më përpara dhe kishte denoncime të njëpasnjëshme për mua.

Gjithashtu, koincidoi edhe diçka tjetër. Në atë periudhë, një shoku im i ngushtë, me të cilin isha rritur në shkollë në Tiranë, kishte vendosur të arratisej. Unë u mundova që t’ia mbushja mendjen që mos të arratisej sepse ishte e rrezikshme dhe mund të vritej në kufi, familjen do t’ia internonin e të tjera me radhë. Por, pas njëfarë kohe, ai e mori vendimin. Erdhi e më takoi ditën që kishte vendosur të ikte. Shkuam e pimë nga një birrë dhe përfundimisht ai u nis nga Dajçi, përgjatë Bregut të Bunës, kaloi në Jugosllavi, në Itali e më në fund përfundoi në Manhatan të Amerikës…

Gjatë kësaj kohe Sigurimi ka pasur gjithnjë një dyshim se unë kam pasur dijeni dhe nuk kam denoncuar, meqë unë kisha shoqëri të ngushtë me të me të. Më vonë, ky dyshim u kthye në realitet sepse shoku im, pasi arriti në Amerikë, u takua atje me shqiptarë të tjerë, të cilëve u ka treguar historinë e arratisjes së tij. Midis të tjerave, ka përmendur edhe emrin tim. Gjithnjë dhe kudo ka pasur informatorë, të cilët informuan Sigurimin e Shtetit për të gjitha hollësitë e arratisjes së tij. Kështu që ata kishin shkaqet për të më izoluar. Më mbajtën 6 muaj në hetuesi, duke u provokuar dhe duke u torturuar psikologjikisht, por për fat nuk kam provuar tortura fizike”.

Pas 6 muajve në hetuesi  Gjet Vocaj doli në gjyq. Siç rrëfen ai seanca u zhvillua me dyer të mbyllura, me dy dëshmitarë falsë. Ishin burrë e grua, një çift, që ai i njihte, por nuk kishte konfidencë me ta. Aty  kishte mësuar për herë të parë se ata që denonconin vërtet, nuk nxirrëshin si dëshmitarë në gjyq.  Në vend të denoncuesve të vërtetë nxirrnin njerëz të tjerë, të cilët thoshin fjalët që i akuzuari i kishte thënë me dikë tjetër. Kjo ishte një taktikë që ndiqte vazhdimisht Sigurimi i Shtetit. 

Pas shumë përpjekjesh për ta mbrojtur veten në atë gjyq ku vendimi ishte marrë pa nisur ende,  Gjet Vocaj u dënua me 9 vite burg për agjitacion e propagandë.   E prej atij momenti,  ai do të nistë rrugëtimin e tij të viteve të burgut. E dërguan fillimisht në Spaç, ku për arsye se atje shërbente si ushtar një i afërm i familjes dhe rregullat e përvcaktonin qartë se në raste të tilla transferohej ose i burgosuri ose ushtari, u vendos ta largojnë atë nga Spaçi për në burgun e Ballshit. Spaçi ishte ishte nëj ferr, por edhe burgu i Ballshit ishte i tmerrshëm.

Ndërkohë në shtëpinë e tij në Shkodër, gjithçka kish marrë tatëpjetën. Bashkëshortja me dy fëmiëjt e vegjël dhe babain e moshuar ishin internuar… Dy djemtë e mësuesit të burgosur, I kishin marrë dhunisht nga shkolla për ti hipur në kamionin që do I çonte në fshatin e internimit. Ata më kot pyesnin të dëshpëruar ku po na çojnë? Çfaj kemi bërë? Mbijetesa atje dpo të qe tmerrësisht e vështirë vetëm 20 lekë në ditë për pak bukë misri mudn të merrte nëna e vetme për të ushqyer vetën vjehrrin dhe dy djemtë e mitur…Ndërsa në burg Gjet Vocaj, pa mundësinë më të vogël për ti ndihmuar, me ndjenjën e fajita se ata po e pësonin prej tij mes kushteve të tmerrshme duhet të mbijetonte…

Gjet Vocaj: Një ditë në Spaç, sfida për të mbijetuar
Rrëfimi për kushtet çnjerëzore: “Rrinim tërë kohën jashtë, të lagur. Kur palltot na ngopeshin me ujë, i shtrydhnim disa herë dhe i vishnim përsëri të lagura”.

Një ditë në Spaç, siç e rrëfen  Gjet Vocaj, ishte një ditë ferri. Të burgosurit që punonin në minierë e ksihin shumë të vështirë mbijetesën. Por edhe ata që nuk punonin, mes të cilëve ishte edhe Gjeto, vuanin urinë, dhe një disiplinë të hekurt, që sipas një përllogaritjeje djallëzore ishte projektuar për t’u shkatërruar durimin  fizik e psikologjik…

Gjeto e dëshmon kështu një ditë burgun e Spaçit: “Zgjoheshim shumë herët në mëngjes, veprimet duhej t’i kryenim me shpejtësi të jashtëzakonshme dhe rreshtoheshim për apelin e mëngjesit. Apeli zgjaste mbi një orë. Edhe kur ishte shi e furtunë, ne qëndronim në rresht për dy derisa të mbarohej apeli. Pastaj rreshtoheshim për të marrë ushqimin. Edhe atje mund të rrinim mbi një orë në radhë. Secili kishte tasin dhe lugën e vet. Ajo që më ka bëtë përshtypje ishte që, kur të shkonin njerëzit në rresht dhe të paraqiteshin përpara sportelit, për të marrë ushqimin, ishin llogaritur rrjedhat e ujit nga lart që binin me densitet të madh përpara dhe ky ujë binte në tasat e ushqimit.

Ne duhej t’i zbraznim vazhdimisht dhe ishte sukses i madh nëse arrinim të merrnin ushqimin pa na u mbushur tasi me ujë. Po me atë tas në dorë duhej të ecnim rreth 100 metra për të shkuar gjoja te mensat, të cilat ishin me kapacitet shumë të vogël, jo për 1.800-2.000 veta që ishim ne aty, por as për 100 e ca veta. Ishim të detyruar që të uleshim diku, mirëpo aty vendet ishin gjithnjë të zëna. Duhej të prisnim në këmbë derisa të lirohej një vend. Derisa të na vinte radha për t’u ulur, ushqimi ishte ftohur fare. Pastaj lexoheshin veprat e Enver Hoxhës. Leximi vazhdonte 1-2 orë dhe ne rrinim në këmbë.

Një person i caktuar nga komanda lexonte dhe ne ishim të detyruar të dëgjonim me shumë vëmendje. Pastaj bëhej përsëri apeli. Pastaj ishim të lirë, në kuptimin që mund t’i shkruanim letër familjes, mund të lexoje diçka etj., ndërkohë që mësimi i gjuhëve të huaja ishte rreptësisht i ndaluar. Po të kapnin, të dënonin shumë rëndë me burgim sepse aty kishte burg brenda burgut, që ishin birucat. Por birucat e Spaçit kanë qenë shumë të tmerrshme. T’i hiqnin të gjitha rrobat. Të linin vetëm me një këmishë në çimento. Temperatura arrinte në -15oC jashtë dhe të dënuarit rrinin në ato kushte në birucë, për aq orë ose ditë sa i dënonin. Shumë vështirë që të shpëtonin pa u ftohur. Gjatë ditës edhe pse moti mund të ishte me ngrica, me shi ose me borë, rrinim jashtë, nuk mund të futeshim në asnjë vend. Absolutisht në kapanone nuk na lejonin të hynim. Vend tjetër strehimi nuk kishim. Rrinim tërë kohën jashtë, të lagur. Kur palltot na ngopeshin me ujë, i shtrydhnim disa herë dhe i vishnim përsëri të lagura. Vetëm natën, kur futeshim nën batanije, mund të thaheshim e ngroheshim fare pak..

…Në çdo moment ishim në tension të jashtëzakonshëm. Flas për njerëzit që nuk punonin sepse ata që punonin e kishin edhe më të tmerrshme ditën…”

Gjet Vocaj, thotë se edhe kur shkoi në Ballsh nuk gjeti një atmosferë më të mirë. Atje kuptoi ai kamp ishte një ferr tjetërlloj. Ai ishte burgu i urisë. Uria ishte menduar si nëj mënyrë nënshtrimi deri ën eleminimin fizik të të burgosurve.  Kush nuk merrte ndihmë nga familja ishte i destinuar të vdiste nga uria dhe sëmundjet….  Dhe vdekjet ishin aq të shpeshta e të ngjashme sa ishin kthyer në normalitet.

Gjet Vocaj ishte me fat, paisi ën vitin 1982, kur burgjet e Shqipërisë ishin tejmbushur disa fish mbi kapacitetet, u bë nëj amnisti e madhe, prej së cilës përfitoi edhe ai. Për mësuesin e dikurshëm, që do të linte qelitë e ftohta, kthimi në liri duhej të qe një shpërthim gëzimi. Por Gjet Vocaj nuk kishte një shtëpi ku të kthehej, as një familje. Ata ishin të dënuar ën internim. Shtëpinë ia kishin marrë. I duhej të luftonte për të zënë një qoshk për të tërhequr të paktën dy fëmijët ën Shkodër. Babai I tij isht endarë nga jeta që nga koha kur ai qe në burg. Gjeto mundi të tërheqë në Shkodër vetëm dy djemtë që përfitonin prej moshës së tyre.  Më shumë mundime do të jetonte disa muaj në ato kushte absurde, ndkohë që  Lili, bashkëshortja do të mbetej ende në atë fshat të veçuar për të vuajtur pjesën e mbetur të internimit. Sidoqoftë liria zgjati vetëm 11 muaj.

Një ditë në megjes herët policët do trokisnin fort në derë e do ti komunikonin urdhrin për ta internuar. Por edhe në këtë ndëshkim ksihin menduar nëj djallëzi. Sepse edhe në internim do ti detyronin të jetonin të ndarë…

Gjeto rrëfen: “Sapo mbusha 11 muaj e gjysmë nga lirimi, në 5 të mëngjesit më vjen policia me kryetarin e këshillit dhe më urdhërojnë të nxjerr rrobat jashtë me urgjencë sepse më kishin internuar për 5 vjet. Ngarkova rrobat në kamionin që priste jashtë dhe u nisëm. Nuk më çuan në Pistull ku ishte familja ime, por më çuan në një zonë nga Komani. Rrobat m’i hodhën në oborrin e një shkolle. Binte një shi i tmerrshëm. Më lanë 3-4 ditë me rrobat jashtë. Pas 4 ditëve më morën prej aty dhe më çuan në një stallë dhish, e braktisur, pa derë e dritare, kishte vetëm pleh e ferra. Aty do të jetoja. Pastaj bëri një kërkesa gruaja ime, bëra një kërkesë edhe unë dhe e sollën familjen tek unë. Gruaja u lirua më përpara se plotësoi 5 vjetët, pastaj më vonë u lirova unë sepse isha dënuar më vonë. Kështu na shkoi jeta copa-copa….”

Dy tre vitet e fundit të regjimit komunist, për  Gjet Vocajn do të ishin disi më të lehta. Puna në kalanë e Shkodrës si punëtor i monumenteve të kulturës do ti jepte mundësinë të komunikonte me turistë të huaj. Mes tyre do të njihte dy turiste të moshuara franceze, me njërën prj të cilave shkëmbyen adresat dhe vijuan korrespodencën deri kur regjimi ra.

Pas vitit 1992 kur mund të lëviznin lirshëm ata shkëmbyen vizita në Lion dhe ën Shkodër dhe ajo u bë shkas që ta ndihmonte Gjet Vocajn të rimëkëmbej, të merrte një shtëpi fillimisht e më vonë të niste një biznes. Kësisoj vitet pas rënies së regjimit do të ishin vitet më të bukura. Liria dhe kushtet e mira ekonomike, do të krijonin nëj oaz lumtrie në familjen e tij. Por fati do ta godiste fort edhe njëherë të fundit…

Gjeto thotë: “Në vijim të kësaj më ndodhi edhe një fatkeqësi. Djali i madh ishte 28 vjeç, një djalë i jashtëzakonshëm në kuptimin e vërtetë të fjalës. Mbi të gjitha shumë humanitar, ndihmonte shumë edhe njerëzit që nuk i njihte. Në atë kohë, drejtonte biznesin e karburantit. Ishte viti 1997, rrëmujë e madhe. Nuk kishte shtet. Duke shkuar për në punë, i dalin përpara 4 fëmijë 12-14 vjeç, me kundërgaze, me armë nëpër duar. U ka dhënë çfarë ka pasur me vete, çfarë i kanë kërkuar, deri edhe çelësat e makinës. Duke u sjellë rrotull tij, njëri nga fëmijët shkel këmbëzën e armës dhe një plumb i vetëm e qëllon. Djali ishte i fejuar me një vajzë angleze, e cila banonte këtu. Humbja e tij i vuri kapak të gjithave”…

Si mund ti ndodhin një njeriu të vetëm gjithë këto fatkeqësi? Një mësuesi të urtë e të apasionuar, një burri idealist, një njeriu të paepur për ti bërë ballë të keqes e për të vijuar përpara???

Zotni Gjeto, jeton tashmë në Shkodër me bashkëshorten e tij Lilin dhe djalin e vetëm që i ka falur Zoti që tashmë ka krijuar familjen e tij.  Jeta është treguar e ashpër me këtë burrë, por ai është i urtë e i duruar.  E ka pranuar fatin e tij….

Ka vetëm një keqardhje: që s’mundi ti shkojë në fund ëndrrës që thuri me Nikën e vogël, djaloshin me aftësi të jashtëzakonshme që Zoti desh ta njihte në rrethana po aq të jashtëzakonshme, në ato ditë shpresash e triumfesh në atë shkollë të vogël mes maleve në Palaj Shosh të Dukagjinit…

Vërtet, cili qe fati i Nikës? Cfarë ndodhi me të?  A jeton? Ku jeton? Si e përjetoi ai famën dhe rrugët e jetës? Çfarë ndodhi pas ndarjes nga mësuesi i tij?  Të gjitha këto pyetje do të gjejnë përgjigje në pjesën e dytë të dokumentarit “Mësuesi, gjeniu dhe diktatori”…

 

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Vlora: 16/05/2018 09:37

    E dhimbshme e lexova dhe provova vetem dhimbje per kete burre fisnik,dhe ne anen tjeter urrejtje pa fund per ate sistem barbar,qe per fat te keq vazhdon dhe sot, por ne nje menyre me.te sterholluar. Komunizmi ne Shqiperi nuk eshte rrezuar ,thjesht ka nderuar pronaret me emrat PS dhe PD

    Përgjigju
  • mimoza: 15/05/2018 09:52

    Po presim pjesen e dyte....

    Përgjigju
  • redi: 09/05/2018 13:02

    Ndoqa intervisten me prof. Gjeten dhe te them te drejten, ndjeva dhimje per fatin e keq te ketij njeriu . Nuk kam mbaruar psikologji , por mimika e fytyres dhe qetesia e te folurit ,te bejne te kuptosh qe eshte personifikimi i njeriut ideal . Diktatura nuk njeh dhimbje ,se ashtu mbahet pushteti me dhune , por eshte krim ti demtosh jeten nje njeriu fisnik si prof. Gjeta . Jeta ndonje here edhte e pameshirshme dhe qeniet me inocente

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?