Hans-Joachim Falenski, i deleguari i CDU në Bundestagun gjerman, u bë sot pjesë e aktivitetit elektoral të Lulzim Bashës, duke përcjellë përshëndetjet dhe mbështetjen e selisë më të madhe të qendrës së djathtë në Europë.
Falenski tha se Krichbaum e ka parë programin e Koalicionit Euroatlantik dhe e ka vlerësuar si politikën e vetme bindëse, realiste, të realizueshme dhe të mirë për njerëzit e këtij vendi.
Ai nënvizoi se CDU ka kontribuar në hartimin e programit elektoral të këtij koalicioni, duke sjellë përvojën dhe standardet më të mira europiane në thelb të politikave të propozuara.
Së pari, dua t’ju përcjell përshëndetjet më të përzemërta nga zëdhënësi ynë për çështjet evropiane në grupin parlamentar të CDU/CSU në Bundestag, Günther Krichbaum. Ne sapo kemi përfunduar me sukses negociatat për koalicionin qeverisës dhe ai ka qenë i përfshirë ngushtë në to. Për këtë arsye nuk mundi të jetë këtu! Ai ju uron shumë suksese në zgjedhje!
Günther Krichbaum e ka parë programin tuaj elektoral. Ai ju përcjell këtë mesazh: Koalicioni EuroAtlantik është e vetmja forcë politike në këtë vend që ofron një politikë bindëse, realiste, të realizueshme dhe, mbi të gjitha, të mirë për njerëzit e këtij vendi!
Që nga viti 2010, kjo është hera e 18-të që vizitoj vendin tuaj të bukur. Jam bashkuar me Koalicionin EuroAtlantik sepse dua të angazhohem për t’i sjellë Shqipërisë një politikë moderne dhe të ndershme – një politikë ku në qendër qëndron mirëqenia e njerëzve dhe jo pasurimi personal.
Kam ardhur këtu sepse jam i bindur se vetëm nën drejtimin e Koalicionit EuroAtlantik me Lulzim Bashën në krye, problemet e mëdha të Shqipërisë në ekonomi, sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit, shëndetësi dhe arsim mund të zgjidhen në mënyrën më të mirë dhe më të suksesshme. Ne duam që Shqipëria të jetë sa më shpejt në BE.
Ai tha se shqetësim serioz në vend ngelet korrupsioni, i cili sipas tij është i përhapur kudo.
‘Ka pasur përparim në fushën e drejtësisë dhe kjo falë punës që është bërë nga SPAK. Shqipëria ka dështuar që të zbatojë shumë kërkesa të BE. Pse ndodh kjo qeveria ka një shumicë në parlament dhe mund të realizojë ndryshimin e nevojshëm por arsyeja është mungesa e vullnetit politikë. Qëllimi i qeverisë për tu bërë anëtare e BE deri 2027 është jo realist. Korrupsioni është i përhapur dhe vijon që të ketë shqetësim me serioze’, tha ai.
Lajmi kryesor:
Lulzim Basha hap fushatën: Rama ka gjysmën e shokëve tek 313! I dërguari i CDU: Po shtohen përpjekjet për të penguar punën e SPAK
S.B/E.H/ReportTv.al