VLORE- Zenel Zarka, është një ndër ato raste frymëzuese që na tregon se “ushqyerja” e trurit me dije nuk është kurrë e mjaftueshme.
Çdo ditë, për 13 vite me radhë, qëndron në bulevardin e Skelës në pritje te blerësve. Me një kapele në kokë dhe i ulur pranë tezgës së tij të mbushur plot me libra na kujton vlerën e leximit dhe pasionin për dijen. Ish-ushtaraku në pension rrëfen se gjatë jetës ka lexuar pafund dhe nuk do ndalet asnjëherë.
“Këtu e kam gjetur veten mirë sepse jam rritur në një mjedis me libra, kam jetuar me librin edhe e dua atë. Unë kam lexuar me mijëra libra nuk e them për mburrje por po. Tani jam 72 vjeç dhe lexoj edhe sot”, Zenel Zarka.
Tregtia e librave, për të nuk është vetëm një burim të ardhurash, por mbi të gjitha një mision për të përcjellë dashurinë për leximin sidomos tek brezi i ri.
“Unë kënaqem se i marr pesë lekë sepse pensionist jam, por edhe kënaqem kur shoh brezat e rinj që blejnë, ndjej kënaqësi të veçantë”, tha ai.
Librashitësi vlonjat ka edhe një mesazh për shtëpitë botuese.
“Ndihem keq kur ndonje fëmijë kërkon një libër edhe prindërit nuk kanë mundësi t’ia blejnë. Unë u bëj thirrje shtëpisë botuese të ulin çmimet”, shprehet Zenel Zarka.
Çdo ditë pranë kioskës së tij ndalojnë qytetarë të moshave të ndryshme por dhe turistë. Disa kërkojnë letërsi klasike, të tjerë libra historikë, romane apo poezi.
Komente
