TIRANË- Në diskutimet e sotme në mbledhjen Këshillit të Legjislacionit, që po diskuton propozimin e Partisë Socialiste për ndryshime kushtetuese zgjatjen e afateve të vettingut, ishte e radha e seancave dëgjimore me institucionet kyç për këtë proces: Komisionin e Pavarur i Kualifikimit; Komisionerët Publikë si dhe me Misionin Ndërkombëtar të Monitorimit.
Në emër të ONM ka folur drejtori i Përgjithshëm për Politikën Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit në Komisionin Evropian, Maciej Popowski. Ai theksoi rëndësinë e progresit të reformës në drejtësi, si një nga kushtet më të rëndësishme të hapjes së negociatave. Sipas tij ONM e quan të rëndësishme këtë zgjatje që vettingu të përfundojë me sukses, pasi kjo do të lejojë të mbarojnë çështjet duke patur parasysh kapacitetet e zhvilluara dhe eksperiencën e krijuar
"Jemi të vetëdijshëm që kjo është për qytetarët në vendin tuaj. Komisioni Europian është në drejtim të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit. Sa i përket zgjatjes së detyrës së anëtarëve të komisionerëve publikë dhe KPK deri me 31 dhjetor 2024, ONM e ka mirëpritur kërkesën për të pasur konsultime me Komisionin e Venecias. ONM konsideron zgjatjen e punës së tyre me rëndësi të madhe për vettingun dhe drejtësinë". Puna që është bërë deri tani të mos humbet e të mos fillojë gjithçka nga fillimi, tha ia.
Përfaqësuesit e tjerë të institucioneve dhanë argumentet e tyre pro ndryshimeve kushtetuese. Një prej anëtareve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Genta Tafa (Bungo), e pranishme në mbledhjen e Këshillit të Legjislacionit tregoi se pse sipas saj nuk është realizuar puna në afatin 5-vjeçar që i ishte dhënë nga Kushtetuta.
Në fund të mbledhjes kryeparlamentarja Nikolla u shpreh se në dhjetor pritet të vijnë përgjigjet e Komisionit të Venecias për pyetjet që i janë dërguar.
Kujtojme se Këshilli i Legjislacionit i ka drejtuar pyetjet Komisionit të Venecias për ndryshime kushtetuese për zgjatjen e afateve të institucioneve të vettingut . Pavarësisht mungesës së opozitës, maxhoranca ka vijuar me debate brenda vetes. Kuvendi në përfundim vendosi me shumicë votash që t'i drejtohet Komisionit të Venecias për opinion. Gjatë votimit, Xhafaj abstenoi, dhe u shpreh se i qëndron deklaratave të bëra në mbledhjen e parë të këshillit.
Kujtojmë se ndërkombëtarët kanë kërkuar hapur që parlamenti të kalojë reformën kushtetuese për të zgjatur mandatin e anëtarëve të KPK. Kushtetuta ka parashikuar kur KPK-së i mbaron mandati, puna i kalon KLP-së dhe KLGJ-së. Por nga socialistët është argumentuar se mirë do të ishte zgjatja e mandatit pasi kur proces i filluar nga ky komision pra vetingu i gjyqtarëve dhe prokurorëve, të mbyllet nga ky komision.
Në qershor të 2022 Komisionit të Pavarur të Kualifikimit njohur si vetingu në shkallën e parë, i skadon afati, në një kohë që gjysma e gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk i janë nënshtruar ende procesit të verifikimit për ligjshmërinë e pasurive, pastërtinë e figurës dhe aftësitë profesionale. Afati i këtij institucioni ishte 5 vite, për shqyrtimin e figurës së afro 800 subjekteve, gjë që nuk u arrit në kohë. Për këtë arsye mazhoranca ka artikuluar se do të kërkojë shtyrjen e afatit të trupës së shkallës së parë të vetingut dhe komisionerit publik, ndërsa i ka bërë thirrje opozitës që të bashkëpunojnë në këtë aspekt.
Një prej anëtareve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Genta Tafa (Bungo), e pranishme në mbledhjen e Këshillit të Legjislacionit tregoi se pse sipas saj nuk është realizuar puna në afatin 5-vjeçar që i ishte dhënë nga Kushtetuta.
"Jemi mandatuar më 17 qershor 2017, dhe që nga ai moment jeta jonë ka ndryshuar totalisht. Jemi vënë në syrin e politikës, të publikut dhe subjekteve. Pse ne nuk i mbyllëm dot brenda 5 viteve? Ne u thirrëm në mbledhjen e parë për tu konstituuar më 3 korrik 2017, ne e kemi marrë strukturën në shtator 2017, e kemi marrë rrogën e parë në dhjetor 2017, e kemi përfunduar rekrutimin e stafit në janar 2018, dhe kemi filluar punën zyrtarisht sipas ligjit në janar 2018. Çdo vit unë kam ardhur para Kuvendit dhe kam kërkuar gjithnjë para dhe numër këshilltarësh dhe vetëm këtë vit për herë të parë e kemi numrin e plotë që të bëjmë punën tonë. 4 muaj gjithsej në nuk kemi bërë asnjë seancë për shkak të COVID. Kemi pasur subjekte të sëmura nga COVID një ditë para seancës dhe jemi dashur të respektojmë të drejtat e tyre. Unë nuk e kuptoj se pse na është dhënë vetëm 5 vite për 805 subjekte. Janë 805 subjekte që kanë familjarë. Në total në rastin ideal shkojnë 6400 persona të lidhur, dhe ne shikojmë jetën e 6400 personave. A mundeshim ne të kontrollonim 6400 persona? Këtë nuk di të them", tha ajo.