Zgjedhjet 2025/ KQZ propozon votim dhe numërim elektronik në Elbasan dhe Durrës! PS e LZHK: Shtoni dhe Tiranën, qarku më i madh! PD pa përgjigje

16 Tetor, 11:55| Përditesimi: 16 Tetor, 17:03

  • Share

TIRANË- Votimi elektronik mund të shtrihet në tre qarqet që janë përcaktuese për zgjedhjet parlamentare. Partia në pushtet dhe LZHK, pjesë e opozitës, mbështesin  propozimin e KQZ që votimi elektronik të shtrihet në qarkun e Elbasanit dhe Durrësit.

Në letrën që Damian Gjiknuri i ka dërguar Ilirjan Celibashit, argumentohet pse Tirana duhet të përfshihet patjetër në këtë model votimi.

“Tirana, si qarku më i madh në Shqipëri prodhon një numër të konsiderueshëm mandatesh (37 mandate në listat shumëemërore të hapura). Nisur nga ky fakt, fleta e votimit do të administrohej me vështirësi nga votusit dhe do të krijonte pengesa objektive, duke krijuar konfuzion në procesin e votimit”.

Duke kujtuar se një pjesë e Tiranës e ka provuar këtë lloj votimi, PS ngul këmbë se ky qark duhet të ketë prioritet krahasimisht me çdo qark tjetër.

“Nëse nga ana juaj shihet e pamundur përfshirja e tre qarqeve në votimin elektronik, për shkak të kohës që keni në dispozicion deri në dekretimin e dates së zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë, ju propozojmë që të miratoni si qark të vetëm, qarkun  Tiranë, ku do të zhvillohet votimi elektronik. Në rast pamundësie të përfshirjes së tre qarqeve, kërkojmë që zhvillimi elektronik të zhvillohet në qarkun e Tiranës”.

Edhe LZHK, ka dorëzuar këtë shkresë, ku kërkon që krahas dy qarqeve të propozuar nga Celibashi, të shtohet edhe ai i Tiranës, si qarku më i madh në vend.

“Tirana, ofron lehtësi logjistike dhe njerëzore për shkak të terrenit, infrastrukturës rrugore dhe zyrave të KQZ, të cilat ndodhen në Tiranë.

Tirana, ka kryer e para modelin pilot të identifikimit, votimit dhe numërimit elektronik në zgjedhjet e vitit 2021, njësia 10, i cili rezultoi i suksesshëm.

Votimi dhe numërim elektronik në Tiranë, bën më të thjeshtë përpunimin e rezultatit përfundimtar si dhe ofron një proces të drejtë zgjedhor, duke mënjanuar komisionerët politikë të cilët krijojnë vonesa në proces për shkak të lodhjes apo tensioneve midis palëve”, thuhet në letrën e LZHK dërguar KQZ.

PD si partia më e madhe opozitare nuk ka konsoliduar një qëndrim. Ajo ka qenë skeptike për këtë formë votimi, sidomos pas zgjedhjeve të fundit lokale, sepse beson që partia në pushtet i frikëson votuesit duke përhapur mesazhin se vota elektronike lexohet.

KQZ pret mendim nga partitë deri në fund të kësaj jave, përpara se të marrë një vendim. Aplikimi në vetëm 2 qarqe është një tkurrje e idesë fillestare të KQZ-së, e cila besonte se me 35 mln euro mund të bënte votim elektronik në 5 qarqet më të mëdha të vendit. Ideja u dogj sepse partitë nuk dhanë “OK” në kohë.

Votimi dhe numërimi elektronik u pilotua për herë të parë në njësinë 10 në Tiranë në zgjedhjet e vitit 2021, ndërsa në lokalet e vitit 2023 u shtri në bashkitë Elbasan, Vorë e Kamzë. Vërtet kushton miliona euro, duke e shtrenjtuar procesin zgjedhor, por solli rezultat të shpejtë, menjëherë pas mbylljes së votimit, duke shmangur orët e gjata të numërimit dhe konfliktet.

Përgjigja e LZHK për KQZ

Ora 16:34
Zgjedhjet 2025/ KQZ propozoi votimin elektronik në qarqet Elbasan e Durrës, PS kërkon edhe për Tiranën

Partia Socialiste jep dakordësinë e saj që në zgjedhjet parlamentare të 2025-ës votimi elektronik të aplikohet në qarqet Durrës dhe Elbasan, sikundër propozon Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve.

Por gjithashtu socialistët propozojnë që votimi elektronik të bëhët edhe në Qarkun e Tiranës.

Me anë të një shkrese drejtuar Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, PS shpreh dakordësinë që votimi elektronik të shtrihet në qarkun e Elbasanit dhe Durrësit dhe më tej rendisin arsyet pse duhet aplikuar edhe në Tiranë.

Letra e plotë

I nderuar Komisioner Shtetëror i Zgjedhjeve,

Me shkresën tuaj nr. 2948 Prot., datë 11.10.2024 jemi vënë në dijeni në lidhje me propozimin për zhvillimin e votimit elektronik, në zgjedhjet e ardhshme për Kuvendin e Shqipërisë, në qarkun Elbasan dhe Durrës.

Duke ju falenderuar për mundësinë e ndarjes së mendimeve rreth kësaj çështjeje me rëndësi specifike në procesin zgjedhor, Ju përcjellim propozimin si vijon:

Së pari, shprehim dakortësinë tonë që votimi elektronik të shtrihet në qarkun e Elbasanit dhe Durrësit.

Së dyti, kërkojmë që votimi elektronik të shtrihet dhe në Qarkun e Tiranës, për arsyet si më poshtë:

Tirana, si qarku më i madh në Shqipëri prodhon një numër të konsiderueshëm mandatesh (37 mandate në listat shumëemërore të hapura). Nisur nga ky fakt, fleta e votimit do të administrohej me vështirësi nga votusit dhe do të krijonte pengesa objektive, duke krijuar konfuzion në procesin e votimit.

Nga ana tjetër, votimi elektronik do të sillte lehtësira jo vetëm në procesin e votimit por dhe në shpalljen e rezultatit përfundimtar, i cili në këtë rast do të konsiderohet i drejtë dhe pa pretendime për pavlefshmëri që rrjedhin nga numërimi i votave.

Tashmë votimi elektronik është një procesi i njohur nga qytetarët e Republikës së Shqipërisë. Nisur nga fakti që Tirana, e para ka realizuar modelin pilot të identifikimit, votimit dhe numërimit elektronik në zgjedhjet e vitit 2021, njësia 10, është krijuar një eksperiencë nga qytetarët në këtë proces.

Nga ana tjetër, është fakt se qarku Tiranë, ofron të gjitha kushtet optimale sa i takon burimeve njerëzore dhe infrastrukturës në tërësippër realizimin me sukses të këtij procesi.

Vlen për tu përmendur, afërsia e KQZ me zonat zgjedhore, pasi do të jetë kjo e fundit që do të trajnojë aktorët dhe do të ofrojë shërbimin për realizimin efektiv të këtij procesi.

Nëse nga ana juaj shihet e pamundur përfshirja e tre qarqeve në votimin elektronik, për shkak të kohës që keni në dispozicion deri në dekretimin e dates së zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë, ju propozojmë që të miratoni si qark të vetëm, qarkun Tiranë, ku do të zhvillohet votimi elektronik.

Për të gjitha arsyet e parashtruata më sipër, propozojmë përfshirjen e qarkut Tiranë, krahas qarkut Elbasan dhe Durrës në zhvillimin e votimit elektronik.

Në rast pamundësie të përfshirjes së tre qarqeve, kërkojmë që zhvillimi elektronik të zhvillohet në qarkun e Tiranës.

Me respekt,

SEKRETARI PËR ÇËSHTJET LIGJORE DHE ZGJEDHORE

DAMIAN GJIKNURI

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?