Politikë

Kushtetuta e pezullon shkarkimin e Veliajt, por Begaj shpall zgjedhjet në Tiranë: Duhej të ankohej në Gjykatën Administrative! Më 9 nëntor votim edhe në 5 bashki të tjera (DEKRETI)

1 Tetor, 15:23| Përditesimi: 1 Tetor, 16:58

  • Share

Presidenti Bajram Begaj ka dekretuar sot (më 1 tetor 2025) datën 9 nëntor për zgjedhjet e parakohshme në Tiranë dhe në 5 bashkitë e tjera të vendit; Vlorë, Berat, Mat, Tepelenë dhe Cërrik.

Kujtojmë se për Bashkinë e Tiranës ka një debat në lidhje me ligjshmërinë e këtyre zgjedhjeve të parakohshme. Kjo për shkak se Erion Veliaj e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese shkarkimin e tij si kryebashkiak i Tiranës me vendim të Këshillit të Ministrave.

Referuar Kushtetutës, i gjithë procesi për Tiranën pezullohet deri në një vendimmarrje të Gjykatës Kushtetuese.

Por Presidenti, në njoftimin e dekretit për Tiranën dhe 5 bashkitë e tjera, thotë se Erion Veliaj duhej të ankohej në Gjykatën Administrative dhe jo në Gjykatën Kushtetuese. 

Sipas Presidentit Begaj, ankimi për shkarkimin nga detyra për mosparaqitje në punë, siç ndodhi në rastin e Veliajt, nuk bëhet në Gjykatën Kushtetuese por në Gjykatën Administrative. 

Veliaj nuk e ka ankimuar vendimin e shkarkimit në Gjykatën Administrative, e si e tillë, thotë Begaj, procesi nuk mund të pezullohet. Edhe në këtë rast, ky proces pezullohet vetëm nëse urdhërohet posaçërisht nga Gjykata Administrative, argumenton Presidenti Bajram Begaj në njoftimin e dekretit të zgjedhjeve të parakohshme. 

Ndërkohë, Erion Veliaj mund t’i drejtohet Gjykatës Administrative për pezullimin e Dekretit të Presidentit Bajram Begaj. Kujtojmë se të njëjtën gjë e bëri edhe Fredi Beleri në korrik të vitit 2024, kur i kërkoi Gjykatës Administrative të Tiranës që të pezullonte dekretin e Bajram Begajt për shpalljen e zgjedhjeve në Himarë.

BASHKITË PA KRYETARË KU DO TË KETË ZGJEDHJE TË PARAKOHSHME:
Bashkia Vlorë – Ermal Dredha u dorëhoq
Bashkia Tepelenë – Tërmet Peçi u dorëhoq pasi u zgjodh deputet i PS
Bashkia Cërrik – Andis Salla u dorëhoq pasi u emërua ministër i Bujqësisë
Bashkia Mat – Agron Malaj u dorëhoq pasi u zgjodh deputet i PS
Bashkia Berat – Ervin Demo u dorëhoq pasi u zgjodh deputet
Bashkia Tiranë – Erion Veliaj u shkarkua me motivacionin e mosparaqitjes në punë

Erion Veliaj u shkarkua si kryetari i Bashkisë së Tiranës me motivacionin e mosparaqitjes në punë, por vetë kryebashkiaku, që e ka dërguar në Kushtetuese shkarkimin e tij, e konsideron të paligjshëm me argumentin se nuk ka munguar në punë nga neglizhenca, por për shkak të pamundësisë fizike.

Kjo pasi Erion Veliaj ndodhet në qeli që prej ditës së arrestimit më 10 shkurt 2025, pasi SPAK ka renditur ndaj tij 13 akuza, prej të cilave korrupsion në 9 raste. Dosja Veliaj është kaluar nga SPAK për gjykim, megjithatë kryebashkiaku presupozohet i pafajshëm deri në një vendim final të gjykatës. 

Por çfarë thotë Neni 115, pika 2 e Kushtetutës, në rastin kur Erion Veliaj ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese vendimin për shkarkimin e tij?

2.Organi i shpërndarë ose i shkarkuar mund të ankohet në Gjykatën Kushtetuese brenda 15 ditëve, dhe në këtë rast vendimi i Këshillit të Ministrave pezullohet.

Pra Kushtetuta e thotë e qartë që çdo vendimmarrje e Këshillit të Ministrave, në rast se dërgohet në Kushtetuese, duhet të pezullohet deri në një vendim përfundimtar të Gjykatës.

KRONOLOGJIA E NGJARJEVE PËR BASHKINË E TIRANËS:
11 shtator 2025 – Në Asamblenë e PS, Edi Rama i kërkoi Këshillit Bashkiak të Tiranës të niste procedurat për shkarkimin e Erion Veliajt. Ogerta Manastirliu prezantohet si kandidate e PS për kryeqytetin.
17 shtator 2025 – Këshilltarët socialistë të Bashkisë së Tiranës organizojnë mbledhje në selinë e PS për të diskutuar për nisjen e procedurës së shkarkimit të Erion Veliajt. Motivacioni: Aktivizimi i nenit 62 të qeverisjes vendore me mosparaqitjen në detyrë të kryebashkiakut për 3 muaj.
23 shtator 2025 – Këshilli Bashkiak i Tiranës shkarkon Erion Veliajn me 50 vota. Kryebashkiaku Veliaj nuk u lejua të merrte pjesë në mbledhje.
24 shtator 2025 – Prefekti i Tiranës i dërgon Qeverisë propozimin e Këshillit Bashkiak të Tiranës për shkarkimin e Erion Veliajt.
25 shtator 2025 – Këshilli i Ministrave shkarkon nga detyra Erion Veliajn.
29 shtator 2025 – Erion Veliaj ankimon në Gjykatën Kushtetuese vendimin e Qeverisë për shkarkimin e tij si kryebashkiak i Tiranës.
30 shtator 2025 - Qeveria njofton zyrtarisht Presidencën për vakancën e kryetarit të Bashkisë së Tiranës.

Njoftimi zyrtar i Presidencës:

Presidenti i Republikës dekretoi sot ditën e dielë, datë 9 nëntor 2025, si datën për zhvillimin e zgjedhjeve të pjesshme për kryetar bashkie për bashkitë Tiranë, Vlorë, Berat, Mat, Tepelenë dhe Cërrik, pas marrjes së njoftimit për vakancat nga Këshilli i Ministrave në datën 30 shtator 2025.

Vakancat në bashkitë Vlorë, Berat, Mat, Tepelenë dhe Cërrik janë krijuar për shkak të dorëheqjes së kryetarëve të bashkive, kurse vakanca në Bashkinë Tiranë është krijuar për shkak të shkarkimit të kryetarit të bashkisë nga Këshilli i Ministrave, pas propozimit nga Këshilli Bashkiak Tiranë, i cili me votën e këshilltarëve të shumicës dhe të pakicës (50 vota pro dhe vetëm 1 kundër) kërkoi që t’i hapet rruga zgjedhjeve të parakohshme për kryetar bashkie në Tiranë.

Për shkak të interesit të lartë publik, Institucioni i Presidentit të Republikës sqaron se për vakancën e krijuar në Tiranë, Presidenti shqyrtoi rregullshmërinë e procedurës së ndjekur, në këndvështrim të respektimit të pavarësisë dhe autoritetit propozues të këshillit bashkiak dhe konstatoi se deklarimi i vakancës është bërë në përfundim të një procesi konstatimi dhe verifikimi, të kryera sipas kompetencës nga Këshilli Bashkiak Tiranë dhe nga Këshilli i Ministrave.

Në respekt të neutralitetit institucional, Presidenti i Republikës nuk shqyrton meritën e çështjes.

Nga praktika dokumentare e çështjes rezulton, se Këshilli i Ministrave ka referuar tek kuadri ligjor, i cili përcakton se shkarkimi për “mosparaqitje në detyrë për një periudhë 3-mujore të pandërprerë” përbën rast të ndryshëm nga shkarkimi “për shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve” që parashikon neni 115 i Kushtetutës, gjë që do të thotë se për VKM nr.539, datë 25.09.2025 nuk zbatohet juridiksioni kushtetues për të drejtën e ankimit, por juridiksioni gjyqësor administrativ.

Vendimi i Këshillit të Ministrave që shkarkon kryetarin e bashkisë “për shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve” pezullohet, në rastin kur ndaj tij paraqitet ankim në Gjykatën Kushtetuese. Çdo vendim tjetër që shkarkon kryetarin e bashkisë për shkakun, se ky i fundit “dënohet për kryerjen e një vepre penale, me vendim të formës së prerë, nga gjykata” ose se “propozohet për shkarkim nga këshilli bashkiak përkatës për mosparaqitje në detyrë për një periudhë 3-mujore të pandërprerë”, përveçse ankimohet në Gjykatën Administrative (jo në Gjykatën Kushtetuese),  pezullohet vetëm nëse pezullimi urdhërohet posaçërisht nga Gjykata Administrative.

Sikurse rezulton nga dokumentacioni shoqërues i VKM-së, ky sqarim ligjor ka qenë në dispozicion të palës dhe të publikut që në datën 25.09.2025.

Presidenti i Republikës konstaton se në periudhën nga data e miratimit të VKM-së nuk është regjistruar ankim në organin kompetent gjyqësor dhe nuk ka një vendim pezullimi nga ana e tij, ndërkohë që afati i Presidentit të Republikës për shpalljen e zgjedhjeve është vetëm 48 orë nga marrja e njoftimit.

Me daljen e dekretit, mjetet ligjore mbeten në dispozicion të palëve me qëllim që ato të realizojnë mbrojtjen e interesave të tyre të ligjshme.

Duke shpallur zgjedhjet e pjesshme për bashkitë Tiranë, Vlorë, Berat, Mat, Tepelenë dhe Cërrik, Presidenti i Republikës bën thirrje për një fushatë konkurruese, etike dhe në respektim të plotë të Kodit Zgjedhor, sikurse shpreh dëshirën që qytetarët e këtyre bashkive të përfshihen gjerësisht dhe të votojnë masivisht në këto zgjedhje.

 

 

 

Ora 16:50
Begaj shpalli zgjedhjet në Tiranë, Alibeaj: Dekret i turpshëm, jemi pa President e Gjykatë Kushtetuese

1759259840_enkelejdalibeaj.jpg

Enkelejd Alibeaj e cilëson të turpshëm dekretin e presidentit Bajram Begaj për shpalljen e zgjedhjeve në Tiranë më datë 9 nëntor. Në një reagim të shkurtër për Report Tv, Alibeaj thotë se zyrtarisht jemi në diktat, pa President e Gjykatë Kushtetuese.

‘I turpshëm! Tashmë jemi pa zgjedhje të ligjshme, pa president, pa Gjykatë Kushtetuese dhe pa kushtetutë! Zyrtarisht në diktat”, thotë Alibeaj.

Ora 16:24
Begaj shpalli zgjedhjet në Tiranë, Bardhi: Puç kushtetues, robot që komandohet nga Rama

1758195496_WhatsAppImage20250918at13.36.04.jpeg

Kreu i grupit të PD, Gazment Bardhi reagoi menjëherë pasi presidenti Bajram Begaj dekretoi datën 9 nëntor për zgjedhjet në Tiranë dhe 5 bashki të tjera të vendit. Bardhi thotë se shpalljen e zgjedhjeve në Tiranë, Begaj ka kryer puç Kushtetues. Ai akuzon Begaj si një robot që komandohet nga Rama.

“Asnjë surprizë nga Bajram Begaj! Ashtu siç kishim paralajmëruar, Bajram Begaj nuk është President i shqiptarëve, por një robot që komandohet nga Edi Rama. Me shkeljen e rëndë që ka kryer sot ndaj Kushtetutës, Presidenti i Republikës ka kryer një puç kushtetues sepse ka rrënuar edhe autoritetin e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë dhe themelet mbi të cilat ndërtohet shteti i së drejtës.

Zgjedhjet e pjesshme në Bashkinë Tiranë janë futur në një ngërç kushtetues për shkak të aktit të sotëm të Presidentit të Republikës. Juridiksionin e shqyrtimit të ankimit ndaj VKM-së së shkarkimit nuk e cakton Edi Rama në relacion, por Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë. Një mandat kushtetues nuk mund të ndërpritet veçse për shkaqet e parashikuara shprehimisht në Kushtetutë dhe kjo i nënshtrohet kontrollit kushtetues.

Askush në 35 vjet demokraci nuk e ka dëmtuar kaq shumë reputacionin e Kreut të Shtetit. Arsyet janë tërësisht banale: Edi Rama ka marrë peng Bajram Begajn, dhe e komandon atë njëlloj si “Diellën”, shkruan Bardhi.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Kushtetute: 01/10/2025 16:15

    nese Kushtetuesja liron dhe kthen ne puné Veliajn do ishte mire opozita e bashkuar te vendoste Lali Erin si kandidat kunder kandidatit te mazhorances! Ne Mat opozita ka opsion shume te mire Barbara Doda politikane e re ! Ne Vlore vendosni kandidat ate djalin e ri qe protestoj kunder bashkise para ca ditesh !

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Begaj shpalli zgjedhjet në Tiranë pa pritur Kushtetuesen, si e vlerësoni?