Në një deklaratë për mediat pas mbylljes së orarit zyrtar të votimit, kryekomisioneri Ilirjan Celibashi tha se procesi në pjesën dërrmuese shkoi sipas rregullave dhe standarteve. Edhe votimi elektronik, i zhvilluar në njësinë nr. 10 dhe bashkinë Vorë, Celibashi tha se ka vijuar pa probleme, ndërsa rezultati do të dalë nesër, duke pranuar kështu kërkesën e PD-së.
Kryekomisioneri tha se në kushte skepticizmi pranoi kërkesën e PD-së për të shpallur rezultatin e votimit elektronik nesër mes orës 08:00-09:00.
“Proces i vështirë, ndaj është me rëndësi që të ketë qetësi dhe mbarëvajtje nga të gjitha palët. Kemi krijuar të gjithë infrastrukturën që ky proces të monitorohen dhe vëzhgohet. Besoj që nëse të gjithë do të bëjnë atë që ligji ka përcaktuar, ne do të kemi rezultatin paraprak brenda afatit të përcaktuar në kodin zgjedhor. Jo më vonë se pasditja e së martës.”, theksoi Celibashi.
Kryekomisioneri njoftoi gjithashtu se kanë referuar në Prokurori pesë raste që kanë të bëjnë me lejimin e votimit të shumëfishtë. Sipas tij, rastet janë shënuar në Tiranë, Korçë, Elbasan dhe Berat.
“Në lidhje me natyrën e rasteve që kemi referuar, të Tiranës ka të bëjmë me presione ndaj komisionerëve dhe përdorimit të dokumenteve identifikues të personave të tjerë. Një në Elbasan lejimi nga komisioner për votim të shumëfishtë. Një rast në Korçë ka të bëjë me lejimin nga komisionerët për votim të shumëfishtë, po kështu edhe rasti i Beratit. I kemi referuar në Prokuroritë e Juridiksionit të Përgjithshëm.”, theksoi ai.
Lidhur me printimin e rezultatit në dy qendra votimi, Celibashi tha se operatorët nuk duhet ta bënin këtë gjë por shtoi se të tjerat nuk janë printuar dhe rezultati nuk dihet.
“Gjatë mbylljes së procesit të votimit në disa qendra, operatorët teknikë që kanë asistuar në këtë proces kanë printuar gabimisht jo, por nuk do të duhet ta kishin bërë prezantimin e rezultatit. Nëse nuk gaboj janë dy ose tre qendra votimi. Në qendrat e tjera askush nuk e di rezultatin”, u shpreh kryekomisioneri pasi u pyet për këtë.
Celibashi pati një thirrje edhe për palët politike.
“Sjell në vëmendje që tani kalojmë në një fazë po kaq të rëndësishme të numërimit. Dhe të gjithë duhet të kemi në vëmendje është qetësia, veçanërisht partitë politike. Këshillohet që edhe pse është në përputhje me detyrimin që kanë të gjithë. Qytetarët shqiptarë kane votuar dhe të gjithë duhet të kemi durimin dhe të presim për numërimin e votave. Qetësi dhe përmbajtje nga të gjitha palët”, shtoi ai.
Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi tha se kanë referuar pesë raste në Prokurori për lejim votimi të shumëfishtë.
“Për pesë rastet që kemi pasur raportime nga terreni, i kemi referuar pranë prokurorive në rrethet përkatëse. Të gjitha çfarë thatë kanë të bëjnë me elementë të veprës penale dhe janë atribut ose i SPAK ose prokurorive të rretheve dhe do të jenë ato që do të vendosin në lidhje me çfarë është pretenduar. Është jashtë kompetencës lëndore të KQZ për të dhënë një verdikt.
Edhe në Vlorë ka përfunduar procesi votimit. Nuk ka asnjë qendër votimi të hapur në këtë moment që flasim. Në lidhje me natyrën e rasteve që kemi referuar, të Tiranës ka të bëjmë me presione ndaj komisionerëve dhe përdorimit të dokumenteve identifikues të personave të tjerë. Një në Elbasan lejimi nga komisioner për votim të shumëfishtë. Një rast në Korçë ka të bëjë me lejimin nga komisionerët për votim të shumëfishtë, po kështu edhe rasti i Beratit. I kemi referuar në Prokuroritë e Juridiksionit të Përgjithshëm.”, tha Celibashi.
Ditën e sotme në Sarandë kanë marrë pjesë disa prej deputetëve italianë, të cilët janë pjesë e organizatave të sigurisë pranë ODIHR, e cila shërben për vëzhgimin e zgjedhjeve. Prej disa javësh deputetët italianë kanë qenë në disa qytete të Shqipërisë për të grumbulluar një informacion të detajuar që do të përcillet në raportin e OSBE-ODIHR.
Nga ana tjetër, deputeti italian Mauro De Barba, i cili është përfaqësues i Partisë Popullore Italiane, ka dhënë prononcim për Report Tv. De Barba ka thënë se zgjedhjet janë parë të qeta dhe ditën e nesërme do të bëjnë me dije një raport të detajuar lidhur me zhvillimin e zgjedhjeve.
"Ne jemi dhe përfaqësues të organizatës së sigurisë në Europë, e cila bashkëpunon me ODIHR dhe të vëzhguar zgjedhjet. Ishim në Tiranë për të ndihmuar në trajnimin elektoral dhe sot jemi këtu në Sarandë, edhe kemi gjetur një situatë të qetë. Kemi detyrat tona të tregojmë se çfarë kemi vëzhguar, ku deri nesër paradite do të japim një raport të detajuar se si kanë shkuar zgjedhjet në Itali. Sot jemi në disa hapa të mirë dhe zgjedhjet e sotme mendoj se e kemi parë nga afër këtë." - tha De Barba.
Kreu i komisionit Qendror të Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi, ka ushtruar të drejtën e tij për të votuar ditën e sotme.
Në një prononimcim për mediat ai u shpreh se kushdo që shkel ligjin do të vihet para përgjegjësisë nga institucionet përkatëse, ndërsa u ka bërë thirrje qyterarve që nuk kanë votuar që të dalin dhe të votojnë.
'Mesazhi është i qartë për ata që ende nuk kanë votuar. Ata që janë në idenë që angazhimi i tyre mund të kontribuojë tej votës në proces, do të marrin përgjigje nga institucione përkatëse. Shumë e rëndësishme që jo vetëm politikanë por edhe qytetarët të kuptojnë që kanë përgjegjësi në lidhje me procesin zgjedhor. Minimumi i dënimit është 3 vite dhe ky është një mesazh i qartë për të gjithë, është e rëndësishme që jo vetëm politikanët, por edhe votuesit të kuptojnë se kanë përgjegjësi në raport me procesin zgjedhor', tha ai.
Lidhur me kërkesën e PS për të shtyrë orarin e votimit për shkak të bllokimit të rrugëve nga Giro D'Italia në Vlorë, Celibashi tha se është kompetencë e komisionit rregullator që të vendos për këtë.
'Unë ja kam përcjell komisionit rregullator kërkesën dhe në këtë rast janë ata që duhet ta vlerësojnë, ata janë kompetentë', tha ai.
Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi vizitoi disa qendra votimi në Vorë, ku po zhvillohet procesi elektronik. Në një prononcim për mediat, Celibashi tha se procesi po vijon pa probleme në aspektin teknik.
“Nga komunikimet që patëm me anëtarët e KZAZ procesi zgjedhor është duke shkuar mirë. Për aspektin e përdorimit të teknologjisë s’ka pasur asnjë lloj problemi,. Në këto dy qendra votimi që vizituam nuk kishte asnjë problem. Shpresojmë që të vazhdojë kështu edhe për pjesën e mbetur të ditës dhe ky proces të përfundojë me sukses”, tha Celibashi.
I pyetur nga gazetarët lidhur me incidentin e Flamur Nokës në një nga qendrat e votimit në Vorë, ai tha se do ishte më mirë që problematikat të adresohen në KQZ. Sipas Celibashit, prania e përfaqësuesve politikë mund ta përshkallëzojë më tepër situatën.
“E raportuan edhe anëtarët e KZAZ këtë situatë nuk di të them për momentin se mbi ç’bazë ka ndodhur ai konflikt por një gjë mund ta them me siguri se është më me shumë dobi, e kuptoj të për momente të caktuara për procesi zgjedhor, por është më me dobi që përfaqësuesit politikë t’i adresojnë këto shqetësime në KQZ. Situatat nuk mund të përcillen kaq lehtë por e kam këshillë për të gjithë ata përfaqësues veçanërisht për ata kandidatë për deputetë sa më larg qendrave të votimit. S’kanë asnjë mundësi praktike ligjore për të kontribuuar në mbarëvajtjen e procesit. Angazhimi i tyre mund të prodhojë edhe pasoja për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.”
Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato ka folur për mediat nga Durrësit, ku edhe vëzhgoi ecurinë në një nga qendrat e votimit. Gonzato u shpreh se nuk do të shprehet për ecurinë e procesit tani, pasi do të presë raportin dhe rekomandimet e OSBE/ODIHR.
Gonzato tha se ecuria e zgjedhjeve është e rëndësishme për procesin e integrimit në BE.
“Donim të shikonim se si po ecën procesi i zgjedhjeve edhe në qytetet e tjera. Kemi edhe kolegët e mi nga shtetet anëtare të BE që kanë dalë për të vëzhguar. Arsyeja se pse po e bëjmë këtë gjë nuk është se nuk kemi besim te OSBE-ODIHR. Ata po bëjnë shumë një punë të mirë por sepse duam që edhe ne të kemi përvojën tonë, ta shikojmë gjënë nga afër, mendimet e qytetarëve dhe se si po ecën procesi në përgjithësi. Siç e kam thënë këto janë zgjedhjet e para që organizohen pas çeljes së negociatave dhe në fakt ka të bëjë me çështjen më themelore, të drejtat e njeriut. Mënyra se si do të shkojnë janë të rëndësishme edhe për procesin e anëtarësimit në BE:, tha Gonzato.
Kreu i misionit Monitorues të OSBE-ODIHR, Lamberto Zannier foli për procesin zgjedhor në Shqipëri. Zannier tha se nesër në 15:00 do të mbajnë konferencën për të folur se si shkoi procesi zgjedhor.
“Dita e zgjedhjeve është dita e dukshme e vëzhgimit, po ne jemi këtu që nga fundi i marsit. Ne kemi vëzhguar edhe fushatën zgjedhore, nesër do kemi konferencë për shtyp. Konferenca do jetë nesër në 15:00 në Rogener”, tha Zannier.
I pyetur nga gazetarët, për denoncimet për blerje votash Zannier tha se “nuk do ishte domethënëse nëse do jepja një mendim sot, jam një person në një qendër votimi për momentin.”
Një pyetje iu bë edhe për VKM e miratuar nga Këshilli i Ministrave që përcakton procedurat që do të ndjekin institucionet përkatëse për ligjin për faljen e gjobave.
“Nuk mund të flasim për raste specifike, do flasim nesër kur të bëjmë vlerësimin. Ju e keni para raporton tonë paraprak, kemi thënë që po ndjekim çështjet që janë vazhduar më para dhe do i paraqesim në raportin që do bëjmë nesër”, tha Zannier.
Komente
