Vlorë- Fushata politike për zgjedhjet parlamentare të 11 majit ka hyrë në fazën e saj intensive.
Drejtuesi politik i Partisë Socialiste në qarkun Vlorë, Bledi Çuçi dhe kandidati për deputet, Vullnet Sinaj, zhvilluan një takim elektoral në fshatin Kote të Bashkisë Selenicë.
Duke vlerësuar Sinajn si një deputet të përkushtuar e pranë qytetarëve, Çuçi tha se Partia Socialiste do të marrë këtu në Labëri një rezultat historik që nuk është marrë asnjëherë më parë në këto 34 vite.
“Kam qenë dy herë ministër dhe po ju them një sekret për Vullnetin. Sa herë më ka marrë në telefon, në 6 të mëngjesit apo 12 të natës, më ka marrë vetëm dhe ekskluzivisht për hallet tuaja dhe asnjëherë të vetme nuk më ka marrë për një interes personal. Kjo do të thotë shumë. Këtë gjë e shoh edhe kur vij ju takoj juve. Të them të drejtën marr dhe unë kënaqësi si drejtues politik, ndihem shumë komod kur vij me një deputet në krah si Vullnet Sinaj”, tha Çuçi, duke theksuar sidomos interesimin e vazhdueshëm të tij për subvencionet e blegtorëve dhe fermerëve të zonës.
Duke përmendur disa nga investimet që janë kryer në Selenicë, Çuçi theksoi sidomos rrugën e lumit të Vlorës, e cila i ka dhënë një fleksibilitet të jashtëzakonshëm qarkullimit të njerëzve, mallrave dhe zhvillimit të turizmit.
Vota e 11 majit tha më tej Çuçi është për një gjë akoma më madhore, pasaporta europiane që shqiptarët meritojnë të marrin në 2030.
“Në këto zgjedhje ne vijmë t’ju kërkojmë votëm jo thjesht për këtë transformim që kemi bërë si Parti Socialiste me në krye Edi Ramën. Ne vijmë për t’ju kërkuar votën në 11 maj për një gjë shumë madhore. Ajo është realizimi i ëndrrës sonë për të qenë pjesë e Bashkimit Europian. Dhe mandati i ardhshëm do të jetë mandati i aderimit të Shqipërisë në BE, mandati i bërjes së shqiptarëve me pasaportën europiane. Kjo është të investosh jo vetëm për të tashmen, por të investosh edhe për të ardhmen, që fëmijët tanë të jenë qytetarë me të drejta të plotë të Bashkimit Europian”, u shpreh Çuçi.
Komente
