A do ndikojë drejtësia e re të zgjedhjet e 11 Majit dhe cili do jetë roli i SPAK.
Kjo temë shkaktoi debat në panelin e të ftuarve në ‘5 Pyetjet nga Babaramo’ në Report TV, teksa një pjesë e të pranishmëve menduan se Prokuroria nuk vepron aq sa duhet për të goditur shkeljet dhe zyrtarët e lartë.
Gazetari Poli Hoxha mendon se forcat e reja politike duhet të bashkohen për të mposhtur dhe ndryshuar tranzicionin e vjetër politik. Teksa beson se SPAK do vazhdojë punën e tij dhe do ketë lajme të reja para 11 Majit nga institucioni i akuzës.
“Unë mendoj se forcat e reja duhet të flasin dhe japin programet dhe idetë e tyre, të mos i dëgjojnë forcat e mëdha. Madje po krijojnë edhe situata ëndërrimtare si me shkrirje SPAK-u, USAID-i etj., bëjnë sikur pajtohen, letrat janë bërë, janë atje, është bërë vettingu. Këto forcat e reja unë uroj që të bashkohen, te jenë bashkë. Deri më 11 Maj do dëgjojmë gjëra edhe më të forta nga SPAK, atë punë që bën dhe prokuroria. Këta kanë krijuar idenë sikur Trump do i ndihmojë, se këta janë autokratë etj. etj. Këtu ka vetëm një luftë, beteja e tranzicionit, të çahet, të kalojë rrjedha dhe unë mendoj se do hapet shumë shpejt”, tha ai.
Gazetari Almer Toska shprehet se nuk ka besim te SPAK, sepse nuk po bën punën për të cilën është ngritur dhe se besueshmëria tek ai po bie.
“Shoqëria shqiptare shqetësimin kryesor ka luftën ndaj korrupsionit, sepse shkalla e tij është e lartë në çdo sektor. Unë e mbështes drejtësinë dhe pres që të japë efekte parazgjedhore dhe jo paszgjedhore. Unë e quaj të dështuar nëse nuk i jep para zgjedhjeve. Duhet të kishte dyfishi njerëzve zyrtarëve të arrestuar, oligarkëve, biznesmenëve, ministrave etj. I kam përmendur me emra, se janë të përfshirë dhe të implikuar në korrupsion. Unë pres që Altin Dumani të veprojë. Dhe për mua po del zhgënjimi më i madh dhe pëlqyeshmëria për të do ulet edhe më tej në fund vitit. SPAK-u është një kërbaç që është ndërtuar për të larguar Sali Berishën dhe Ilir Metën dhe për të mbrojtur Edi Ramën. SPAK merret me kryetarë kooperativash, nuk merret me ministrat në detyrë dhe s’po bëhet valë shpëtimi për shoqërinë, por mbytës dhe unë kam dyshimet e mia”, shprehet ai.
Kurse Inida Gjata foli për programin e partisë së re të saj, duke premtuar mirëqenie ekonomike, teksa një prej premtimet që ra në sy ishte “mosdënimi i personave që kapen me një cigare hashash”.
“Ne kemi programin tonë, për ekonominë, pensionet, rrogat, taksat dhe sigurinë. Ne do rrisim pensionet, madje jemi edhe për mosdënimin e personave që kapen me një cigare bar, se kështu shmanget edhe korrupsioni”, nënvizon Gjata.
Lajmi kryesor:
'5 Pyetjet'/ Shehi: Koalicion me Bashën e Alibeajn, s'kemi kandidat për kryeministër! Hoxha: Të largohen mamuthët e tranzicionit! Toska: Basha do e vjedhë mandatin!
A.Q/I.M/ReportTv.al