Politikë

Zgjedhjet/ 111 shqiptarë të diasporës votojnë për 11 majin! Posta i njofton me e-mail ose mesazh kur do u shkojë zarfi! Celibashi: Jo foto votës, rrezikon deri në 5 vite burg

16 Prill, 10:53| Përditesimi: 16 Prill, 17:35

  • Share

111 persona kanë votuar brenda 24 orëve dhe e kanë dorëzuar fletën e tyre pranë kompanisë postare. Shënohet kështu një moment historik kur një votues për Shqipërinë mund ta shprehë vullnetin më herët, pa pritur datën e zgjedhjeve.

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve ju kujtoi atyre që e kanë marrë tashmë zarfin ose që do ta marrin në ditët në vijim, se rrezikojnë burgun nëse fotografojnë apo publikojnë votën e tyre.

“Dënohet deri në 3 apo 5 vjet, ka përgjegjësi penale, nëse e bëjnë, duhet të llogarisin pasojat, publikimet janë të gjurmueshme", tha Celibashi. 

KQZ ka vendosur, që për të lehtësuar procesin, t’i japë kompanisë postare numrin e telefonit dhe emailin e votuesit. Sapo posta merr në dorëzim zarfin, ajo i dërgon një sms apo një email zgjedhësit ku e njofton se në cilën ditë, planifikohet t’i mbërrijë zarfi. Qytetari mund të klikojë një link dhe të ndryshojë datën e parashikuar me një tjetër që i leverdis. Nëse nuk takohet dot me postierin në shtëpi, i jepet adresa e saktë e zyrës postare të DHL-së ku brenda 5 majit duhet të tërheqë zarfin. Pakot zgjedhore që nuk janë tërhequr deri në këtë datë, do të kthehen në Shqipëri.

“Janë në mbërritje për në KQZ, por akoma në trakun e DHL, 111 zarfe. Janë 111 votues që kanë votuar dhe kanë njoftuar postierin e DHL për ta tërhequr ky zarf nga DHL. Me pak fjalë votimi i zgjedhësve shqiptarë nga jashtëm tashmë konsiderohet i kryer, që në momentin kur njëri prej votuesve e ka marrë zarfin dhe e ka kthyer mbrapsht", tha Ilirjan Celibashi.

Në një konferencë me gazetarët, kryekomisioneri Ilirjan Celibashi tha se 111 votat e para pritet të mbërrijnë në Shqipëri sot pasdite dhe do të vendosen në Parkun Olimpik, ku do të jenë të monitoruara 24 orë me kamera, por edhe nga përfaqësues të partive politike.

Ndoshta sot pasdite, ose nga darka do të mbërrijnë të paktën këto 111 zarfe që janë nisur. Do jetë proces i vazhdueshëm dhe me siguri që në fund të këtij muaji, ose në fillim të muajit maj,  volumi i mbërritjeve do të jetë mijëra. Kemi shpërndarë 36% të dërgesave postare në kohë rekord”, tha Ilirjan Celibashi.

Rreth 100 mijë zarfe janë shpërndarë në diasporë, ndërkohë 9,157 shqiptarë kanë marrë zarfet në duar. Celibashi tha se sot niset më përgatitjen e pakove zgjedhore për qarqet Lezhë e Tiranë. Procesi i shpërndarjeve të fletëve të votimit, nuk mund të përmbyllet më datë 17, por Celibashi shpreson që maksimumi deri në fund të kësaj jave te 245 mijë zgjedhës jashtë vendit.

“Shtete me shpërndarjen më të madh të zarfeve janë Italia, Greqia dhe Gjermania. Duam që procesin ta përfundojmë brenda 2 ditëve. Sipas raporteve që kemi marrë nga shërbimi postar, votuesi i parë të cilit i ka mbërritur zarfi, i përket qarkut Dibër dhe është në gjermani, i ka mbërritur në orën 07:15 minuta”, tha Celibashi.  

Zarfe të dërguara sipas qarqeve
Elbasan 25,021 ose 10.2%
Durrës 24,872 ose 10.1%
Berat 15,502 ose 6.3%
Korçë 9,855 ose 4.0%
Dibër 9,582 ose 3.9%
Gjirokastër 8,453 ose 3.4%
Kukës 3,946 ose 1.6%

 

Zarfe të dërguara sipas shteteve
Itali 34,262 ose 13.9%
Greqi 32,987 ose 13.4%
Gjermani 9,633 ose 3.9%
Mbretëria e Bashkuar 7,016 ose 2.9%
Shtetet e Bashkuara te Amerikës 6,037 ose 2.5%
Franca 1,805 ose 0.7%
Suedi 952 ose 0.4%
Kanada 828 ose 0.3%
Belgjika 771 ose 0.3%
Zvicër 444 ose 0.2%
Malta 295 ose 0.1%
Austria 255 ose 0.1%

Ora 11:15
Shpërndarja e fletëve të votimit për diasporën, Celibashi: Nuk e përfundojmë dot nesër, shpresojmë ta mbyllim brenda kësaj jave

 

Kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi në një konferencë me gazetarët tha se procesi i shpërndarjes së fletëve të votimit për diasporën shqiptare nuk mund të mbyllet nesër më datë 17, për shkak të ngarkesës. Celibashi tha se shpreson që shpërndarja të mbyllet maksimumi brenda kësaj jave. Ndërkohë, zarfi me votën e shqiptarëve në momentin që kthehet në vendin tonë do të vendoset direkt në Parkun Olimpik, ku do të jetë e monitoruar 24 orë me kamera.

“Do vijnë direkt në Parkun Olimpik, nuk shkojnë në KQZ, këtu bëhet procesi administrativ, i menaxhimit dhe dokumentimit të zareve që do vijnë. Kutitë e votimit do jenë këtu nën vëzhgimin e kamerave dhe përfaqësuesve të partive politike.

Kam frikë se nuk e përfundojmë dot në datën 17 procesin për shkak të ngarkesës të shtuar në kontrollin e procesit të përgatitjes dhe dërgimit të zarfave. Shpresojmë që në dy ditë, rasti më ekstrem që brenda kësaj jave ta përfundojmë procesin e dërgimit të fletëve të votimit”, tha Celibashi.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Miri: 16/04/2025 11:01

    Une s'kam marrë akoma asgjë pavarsisht se eshtë aprovuar..

    Përgjigju
    • FESTIM: 17/04/2025 21:17

      NUKAME MARRE ZARFI BANOJ NE ROME SOT NUKE DI KU TA MARRE

  • Sondazhi i ditës:

    Fushata për 11 majin, a i besoni premtimet e partive politike?