TIRANË-Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është i çliruar pas votimit në Kuvend që lehtësoi kushtet për diasporën. Emigrantët nuk do të paguajnë asnjë lek për postën, ndërsa prodhimi i fletëve të votimit do të nisë 10 ditë më herët, më 25 mars.
Në një konferencë për media kreu i KQZ Ilirjan Celibashki ka dhënë afatet për regjistrimin e partive, koalicioneve dhe listave shumëemërore në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
‘'Një parti politike, që do të regjistrohet si subjekte zgjedhor, duhet ta paraqesë këtë kërkesë jo më vonë se 75 ditë nga data e zgjedhjeve, Kërkesa për regjistrimin e koalicioneve duhet të depozitohen në KQZ kjo më vonë se 70 ditë para datës së zgjedhjeve. Deri më 25 shkurt është data kur përfundon afati për depozitimin kërkesave të partive për tu regjistruar si subjekt zgjedhor dhe i komiteteve nismëtare. Data e fundit për kërkesat. Më 7 mars, përfundon kërkesa e depozitimit për regjistrimin e koalicioneve. Më 12 mars, përfundon afati për depozitimin e listave shumë emërorë të kandidatëve. Më 17 mars përfundon afati për verifikimin e dokumenteve të kandidatëve. Më 25 mars përfundon afati i miratimit të listave shumëemërore. 10 ditët shtesë që na dha Kuvendi na lehtëson në raport me votën e disporës”, tha Ilirjan Celibashi, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve.
Shifra e emigrantëve të regjistruar po shkon në 150 mijë, ndërkohë që fondi i gatshëm për postën, prej 5 milionë eurosh ishte llogaritur për 100 mijë votues.
‘Mund të shkojmë në 200 mijë, do flasim me qeverinë për shtesë’, tha ai.
Kuvendi refuzoi t’i jepte zgjidhje kërkesës së PD-së, për të votuar edhe shqiptarët me dokumente të huaja biometrike, duke e kaluar topin në KQZ. Por vetë Celibashi do t’i rrijë larg kësaj patateje të nxehtë.
‘Nuk kam detyrime për të ndryshuar rregullat për ID e huaja. Rregullatori i pavarur, nëse e vlerëson ta zgjidhë’, tha ai.
Bashkëpunimi mes palëve për të luftuar krimet zgjedhore, kësaj radhe është më i fortë.
‘Ka një qendër në KQZ, SPAK për krimet zgjedhore. Kemi ngritur një strukturë të monitorimit që po funksion mirë brenda atyre kapaciteteve që ne kemi, por nuk mund që të bëjmë çdo gjë’, tha ai.
Celibashi bëri me dije se edhe sa do të jetë numri i votuesve që do të votojnë për herë të parë.
'Janë 114 780 votues që votojnë për herë të parë’, tha ai.
Komente
