Tiranë- Kur kanë mbetur pak më shumë se 24 orë nga fundi i afatit të regjistrimit të partive, në KQZ dorëzohet edhe 3 kërkesa të reja, duke e çuar në 29-të numrin e partive në KQZ, për zgjedhjet e 11 Majit.
Mes tyre edhe Demokratët Euroatlantikë të Lulzim Bashës, teksa kërkesa mban emrin e partisë Koalicioni Euroatlantik. Por kjo, pa hequr dorë nga Partia Demokratike për çështjen e vulës, e cila ndodhet për rekurs në Gjykatën e Lartë.
Dy partitë e tjera që kanë dorëzuar kërkesën janë 'Djathtas 1912' dhe PDIU.
Gazetarja e Report TV, Danjela Maloku, informon se fillimisht ishte ‘Djathtas 1912’, që në emër të kryetarit Rezart Kthupi, ka dorëzuar kërkesën për regjistrim në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve sot (24 shkurt), duke u bërë partia e radhës që do marrë pjesë në fushatë dhe do kërkojë mandate deputetësh në parlament.
Po sot dorëzoi kërkesë në KQZ edhe Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU) e Shpëtim Idrizit.
“Kërkesa jonë për regjistrim si subjekt zgjedhor, për zgjedhjet për Kuvend të 11 Majit, është depozituar në KQZ! Për një Shqipëri të bashkuar me shqiptarët anembanë botës. Për diasporën e vjetër dhe të re. Për amanetin e të parëve”, shkruhet në postimin e PDIU, në rrjetin social Facebook, e shoqëruar edhe me dokumentin e kërkesës për KQZ-në.
Surpriza ka ardhur nga Demokratët Euroatlantikë të Lulzim Bashës, që ashtu sikurse kishin lajmëruar më herët, kishin arritur të regjistroheshin si parti politike, tashmë me emrin Koalicioni Euroatlantik.
Ata konfirmuan sot dorëzimin e kërkesës në KQZ.
Ky subjekt politik është instrumenti ligjor me të cili PD- Demokratët Euroatlantikë, të drejtuar nga Lulzim Basha, do të përfaqësohen në zgjedhje. Kërkesa është dorëzuar në emrin e Endri Hasës si kryetar.
Në zbatim të vendimit të Këshillit Kombëtar të PD-Demokratët Euroatlantikë, që parashikon vijimin e rekursit në Gjykatë të Lartë për vendimin e padrejtë të Apelit, si dhe marrje pjesë me çdo kusht në zgjedhje, Demokratët Euroatlantikë, që tashmë kanë shpallur 55 kandidatët e parë dhe programin, do të jenë alternativë në zgjedhjet e ardhshme politike.
Krahas 3 partive të mëdha, PD, PS dhe Partisë së Lirisë, janë regjistruar tashmë edhe 26 parti të tjera të vogla, mes të cilave aleatët me të cilët Partia Demokratike do të dalë në koalicion, si dhe partitë e reja që në këto zgjedhje do të provojnë veten me ambicien për përfaqësim në parlament, si ‘Mundësia’ e Agron Shehajt, ‘Lëvizja Bëhet’ apo ‘Bashkë’ e Arlind Qorrit.
Afati i fundit është më 25 shkurt në mesnatë, për t’u regjistruar për zgjedhjet e 11 majit, ndërkohë që më 7 mars është afati për regjistrimin e koalicioneve, ndërsa 12 mars dorëzohen kandidatët.
Kërkesa e 'Djathtas 1912' e dorëzuar në KQZ për regjistrim në zgjedhje
Kërkesa e PDIU, e dorëzuar në KQZ për regjistrim në zgjedhje
Kërkesa e Koalicionit Euroatlantik, e dorëzuar në KQZ për regjistrim në zgjedhje
Komente
