Komisioni Qendror I Zgjedhjeve certifikoi rezultatet e 11 majit për qarqet e Tiranës, Durrësit dhe Elbasanit, duke përmbyllur vulosjen e rezultateve në të gjithë vendin.
Përfaqësuesit e PD në KQZ sërish kërkuan të mos certifikohen rezultatet zgjedhore, derisa të kenë në dorë të dhënat e kryqëzuara të pajisjeve PEI për çdo qendër votimi si dhe dokumentacionin që vërteton se çdo zgjedhës në diasporë ka nënshkruar për të marrë fletën e tij të votimit, në mënyrë që të vijojnë me ankimimet.
Për votën e diasporës në Greqi, ku opozita ka pasur pretendime për manipulim, Ilirjan Celibashi thotë se dokumentet kanë mbërritur në KQZ dhe do t’i vihen në dispozicion edhe Partisë Demokratike.
"Kemi si të dhënë faktin që për votimin nga jashtë, për shtetasit shqiptarë banues në Greqi është dorëzuar në KQZ i gjithë dokumentacioni, i plotë dhe këtë do t’ua vëmë menjëherë në dispozicion. Ndërkohë do të përgatisim dhe dispozicion dhe dokumentacionin edhe për këto 3 qarqe në vijim të asaj çfarë keni kërkuar për qarqet e tjera",- tha Celibashi.
"Zoti komisioner në lidhje më këto tre qarqe që sot do të tabulohen, rezultatet do të miratohen ng ana juaj, ne do të kërkonim të mos shpalleshin ende dhe mos të miratoheshin për sa kohë ne nuk na janë vënë në dispozicion të plota ato dokumenta që kemi kërkuar sa i takon votës së diasporës, pra jo vetëm për Greqinë por edhe për vendet e tjera ku qytetarët shqiptarë jabë pasur mundësinë të votojnë nga diaspora për herë të parë këtë vit, dokumenta që vërtetojnë se çdo zgjedhësi i ka shkruar personalisht në adresën e regjistruar në KQZ vota e tij. Por paralelisht me këtë zoti Komisioner ju bëjmë me dije se mbrëmë kemi depozituar në protokoll një kërkesë në lidhje me të gjitha ato qarqe që janë miratuar nga ju. Nëse do të miratohen këto qarqe sot, rezultatet në këto 3 zona zgjedhore, do të donim që ajo kërkesë meqë përmban 5 pika për 5 dokumentacione të ndryshme, do të donim që ta keni parasysh edhe për këto 3 qarqe, pra për Elbasanin, Durrësin dhe Tiranën, sepse kemi kërkuar dokumenta që kanë të bëjnë së pari me kryqëzimin e të dhënave të PER-it për të gjtha zonat zgjedhore, sepse do na duhen si prova për ankimimet tona",- tha Franc Nuri, përfaqësues ligjori i PD.
Nga zgjedhjet parlamentare të 11 majit Partia Socialiste shënoi një fitore të thellë duke siguruar 83 mandate, Partia Demokratike 50 mandate, PSD 3 deputetë, Partia Mundësia 2, Nisma Shqipëria Bëhet dhe Lëvizja Bashkë nga 1 deputet.
Komente
