TIRANË- Nuk ka asnjë dyshim që më 11 maj qytetarët do të votojnë me një fletë votimi gjigante. KQZ miratoi sot fletën e votimit, që do të kenë përmasa të mëdha, pasi në të do të përfshihen të gjithë emrat e kandidatëve për deputetë, qofshin ata në listë të mbyllur, por edhe në listën e hapur për të cilët mund edhe të votohet.
Për rrjedhojë kjo do të sjellë edhe një fletë votimi gjigande, sidomos në Qarkun e Tiranës, ku fleta e votimit do të ketë 539 emra, për 11 subjektet zgjedhore. Përmasat e fletës së votimit do të jenë 58,3 cm me 29,7 cm në të gjitha qarqet.
“Fleta e votimit është njësoj në kuptimin e madhësisë për të gjitha qarqet. Në Tiranë ka një dendësi më të madhe të emrave, por janë të gjithë të lexueshme, po të ishin me font më të madh do ishte më mirë. Por duke vendosur racionalitetin e madhësisë së fletës së votimit me mundësinë e leximit të kandidatëve, raporti qëndron mirë në këtë fletë votimi që kemi përgatitur”, tha Celibashi.
Fletët e votimit për 11 majin do të prodhohen nga ‘Cetis’ në Slloveni dhe shpërndarja tek diaspora, që voton për herë të parë, nis 10-ditëshin e parë të prillit.
Report Tv ka siguruar edhe modelet e fletëve për qarqet Korçë, Kukës, Lezhë, Shkodër dhe Elbasan, Vlorë, Tiranë, Fier.
Një ditë më parë, KQZ hodhi shortin për renditjen e subjekteve, nga ku rezultoi se Partia Socialiste do të ketë numrin 5, ndërsa Koalicioni i Berishës, numrin 1.
Komente
