Damian Gjiknuri, gjatë takimit me qytetarët e Vlorës në Rajonin nr. 2

Politikë

Zgjedhjet/ Gjiknuri takime në Vlorë: Mos e shihni si garë individuale, ka edhe kandidatë përtej të majtës dhe të djathtës! E rëndësishme që vota të shkojë te PS

9 Prill, 15:03| Përditesimi: 9 Prill, 15:33

  • Share

Kandidati i Partisë Socialiste Damian Gjiknuri zhvilloi takim me banorët e Rajonit 2 në Vlorë, ku edhe garon për një vend në Parlament, por jo nga lista e mbyllur.

Ish-ministri që kandidon në listën e hapur, pohoi se mazhoranca i ka ‘ndezur motorët siç duhet dhe s'duhet të ndalojë deri në fund për fitoren’.

“Kam kënaqësi që do t'ju përfaqësoj. Rajoni 2, është një rajon që ka përfituar investime. Unë kam filluar të mbledh problematikat që lidhen me infrastrukturën jashtë pjesës qendrore të zonës, pasi pjesa qendrore është e mirëinvestuar. Ka ende probleme dhe dëshira ime ka qenë të përballem me problemet, me njerëzit, t'i dëgjoj, të shoh dhe problemet vet. Unë do të jem një suport i shtuar për ju, me qëllim që problematikat të fillojmë t'i adresojmë. Vlora është dëshmimtare e ndryshimeve të mëdha të mëdha që kanë një emër, Partia Socialiste”, tha Gjiknuri mes të tjerash.

Ai e cilësoi edhe një ‘rikthim’ të tij në Vlorë, aty edhe ku “e la”. Gjiknuri u shpreh se kjo nuk është një garë individuale, por në grup dhe mbështetësit e qytetarët mund të votonin për cilin kandidat të dëshironin, mjafton që vota të shkonte për numrin “5”.

“Për Vlorën, Partia Socialiste është e rëndësishme. Unë e quaj themelin politik të këtij qyteti. Identiteti ynë i majtë, është identiteti i barazisë qytetare, i mirëqenies qytetare nëpërmjet qeverisjes dhe këtë themel komunikimi dua ta mbaj me të gjithë ju, edhe si deputet i juaji.  Ne kemi një spektër të plotë zgjedhje, ku të gjithë të kenë mundësinë për të hedhur votën për atë koalicionin e gjerë të qytetarëve. Nuk duhet parë si garë individuale. Do të preferoja të merrja shumicën nga ju, por ka dhe të tjerë që kanë një dimension tjetër, që ju mund ta gjeni veten më mirë. Ka socialistë të thekur që mund të më pëlqejnë mua ose një tjetër, ka të tjerë që janë përtej të majtës dhe të djathtës, mund të gjejnë dhe emra të tjerë. E rëndësishme është që vota të shkojë për numrin 5, për PS”, tha kandidati para qytetarëve.

Kurse kryebashkiaku Dredha, u ndal tek investimet që po realizohen në qytetin e Vlorës, duke prekur konkretisht rehabilitimin infrastrukturor edhe të Rajonit 2.

"Investimi për ujësjellësin është futur në çdo arterie të Vlorës, për instalimin e të gjithë tubacionit. Aktualisht është në fazën që po testohet dhe më pas do të fillojë asfaltimi. Për Rajonin 2, kemi vendosur prioritet infrastrukturën rrugore, ndërsa do të sigurohet ujë 24 orë në çdo familje, dhe do të jetë ujë i pijshëm. Vlora është qyteti që përfiton nga investimet e Bankës Gjermane për Zhvillim. Gjithashtu brenda 10 ditëve përfundon edhe montimi i impiantit të trajtimit të ujrave të mbetjeve, Landfilli. Ne do të jemi të ligjëruar që, të gjitha makinat ekologjike që mbledhin mbetjet në qytet të derdhen në Landfillin e Sherishtës. Vlora do të jetë realisht aty ku ne e kemi vizionin. Vetëm duhet pak durim dhe besim tek kjo qeveri, tek Kryeministri Rama, sepse ka bërë një punë që realisht ka ndërtuar epokë”, tha ai.

Referuar kandidaturës së Gjiknurit, kryebashkiaku Dredha u shpreh se emri i tij po dëgjohet shpesh kohët e fundit në Vlorë, si ‘vlerë e shtuar’ për qytetin dhe më gjerë.

“Ka lënë një gur themi shumë të mirë në Vlorë, me punën e vet, me mënyrën si ka organizuar Partinë Socialiste këtu. Damiani nuk ka nevojë për mbështetjen tonë, jemi ne të gjithë bashkë që kemi nevojë për Damianin sepse njerëz si Damiani, i duhen jo vetëm Vlorës por gjithë Shqipërisë", tha kryebashkiaku.

I pranishëm në këtë takim edhe ish-deputeti i Rajonit 2, Anduel Tahiraj, që mbështeti kandidatin e ri që do përfaqësojë këtë zonë.

A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet t'u jepet mundësia prokurorëve të SPAK të rikandidojnë?