Si shihet rezultati i zgjedhjeve të 11 majit, fitorja e thellë e PS-së dhe faktorët që ndikuan.
A dha rezultat Task-Forca e SPAK-ut dhe a pati ndërhyrje në diktimin e votës. Këto tema u trajtuan sot në panelin e “5 Pyetjet nga Babaramo” në Report Tv.
Të ftuar ishin deputeti socialist dhe kreu politik i saj në qarkun Dibër, Blendi Klosi, themeluesi i “Djathtas 1912” dhe kandidat në Vlorë për Djathtas për Zhvillim, Edvin Kulluri, gazetari Zylyftar Bregu dhe kandidati i Nisma Shqipëria Bashkë, Marsel Rupi.
Kulluri e pranoi humbjen e zgjedhjeve dhe rezultatin e dobët të koalicionit dhe opozitës në përgjithësi, duke renditur edhe faktorët. Ai nënvizoi se edhe makineria qeveritare ndikoi tek vota me ndërhyrjet e saj.
“U punua keq në opozitë nga të gjitha palët. Opozita është kjo që është, e gjithë opozita doli keq, nuk pati asnjë fitues përveç PS-së. Ishte një dështim me sukses. Opozita dështoi, teksa PS mori mandatet që i duheshin, nga 74 shkoi në 83. PD krijoi një frymë të keqe dhe ndarje në opozitë që solli këtë rezultat. PS ka të njëjtat vota, por mori rezultate si pasojë e gjendjes së opozitës, por edhe administratës së përdorur, burimeve qeveritare etj. Psh., një anonim del më i votuari në zgjedhje, kur flitet për banda kriminale dhe ku nuk funksionon sistemi, s’ia vlen as të flasësh me emra. SPAK i ka aty, le të veprojë. Rama ka thënë një gjë të drejtë, KÇK, ky vend është kap ça të kapësh. Shoqëria është në krizë morale, sociale dhe politike. Kemi qeveri me shumë zyrtarë të arrestuar, dënuar dhe hetuar, e kemi një opozitë me kryetarin që sot kaloi për gjykim. Kurse Task-Forca e Prokurorisë së Posaçme duket se nuk dha rezultat”, u shpreh ai.
Marsel Rupi i Nisma Shqipëria Bëhet deklaroi se sistemi zgjedhor ishte i padrejtë dhe duhej ndryshuar, pasi votat e fituara nuk i përgjigjen mandatit të vetëm të fituar në Tiranë.
“Sipas meje, PS mori më shumë deputetë kur u futën deputetë e ministra në burg. Pra nëse qeveria hyn në burg, ata mkarrin më shumë vota. Kjo është kllounadë që vijon prej 35 vitesh, ku shqiptarëve u blihet vota. Sistemi është i padrejtë, me propocional kombëtar do kishim 6 deputetë. Morën gati 70 mijë vota dhe kemi vetëm një deputet. Shumë njerëz thoshin se s’do fitonim, por jo vetëm ne morëm, por edhe të tjerët, edhe pse ishim parti të reja”, u shpreh ai mes të tjerash, teksa i qëndroi mendimit të parafolësit se SPAK nuk goditi siç duhej fenomenin e blerjes së votës.
Zylyftar Bregu ndau mendim tjetër:
“Pse fitoi kaq shumë PS? Nuk ishte çështje programi, mendoj se ishte çështje opozite. Sepse programi i PD-së nuk ngjiste, nuk krijoi besim, sepse lideri i PD-së është nën akuzë nga SPAK. Kryetari tjetër i partisë opozitare është në burg dhe askush nuk e sqaroi nëse ai bëhej deputet sipas ligjit apo jo. Tjetra, partitë e reja nuk gjetën formulën për t’u bashkuar, sepse sistemin e dinin që para zgjedhjeve”.
Kurse deputeti Klosi u shpreh se nuk ka pasur ndërhyrje të vota, vjedhje të saj apo blerje, teksa Task-Forca e SPAK u ngrit për atë qëllim dhe ka qenë e pandikuar për të hetuar.
“Nuk mund të blesh dhe ndikosh një rezultat kaq të thellë, me këtë numër e diferencë votash nëpër qarqe. As mund ta blesh kaq masivisht një popull të tërë. Ky rezultat është fal reformave të arritura nga PS dhe punës në 4 vite”, tha ndër të tjera ai.
Komente
