Të gjithë emigrantët që kanë një kartë identiteti shqiptare apo një pasaportë, mund të votojnë edhe nëse ajo ka skaduar.
Qeveria vendosi të shtyjë deri më 31 maj 2025 vlefshmërinë e këtyre dokumenteve vetëm për ata që duan të regjistrohen në KQZ për votë përmes postës, duke plotësuar kështu një kërkesë që vinte nga vetë shoqatat e diasporës, por edhe nga opozita.
‘Këshilli i Ministrave miratoi një akt shumë të rëndësishëm, për zgjatjen e afateve të vlefshmërisë së kartave te identitetit (ID), dhe pasaportave biometrike. Kjo situatë do të zgjidhë shumë shpejt të gjithë këtë ngërçin e krijuar. Janë rreth 500 mijë shtetas shqiptarë, të cilëve u ka përfunduar vlefshmëria e kartave të identitetit. Në këtë mënyrë, me miratimin e këtij akti do të kenë mundësinë të gjithë shtetasit shqiptarë, që jetojnë jashtë vendit për të ushtruar të drejtën e votës si një e drejtë kushtetuese. Me miratimin e këtij akti të gjithë shtetasit shqiptarë do të votojnë sipas udhëzimeve të KQZ-së, duke u regjistruar në Platformën Elektronike të Regjistrimit, të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve’, tha ministri i Brendshëm Ervin Hoxha pas mbledhjes.
Deri më tani, në KQZ janë regjistruar 6 400 votues nga diaspora që i kanë mjetet e identifikimit të skaduara.
Por, qeveria nuk pranon kërkesën e opozitës që në zgjedhje të marrin pjesë edhe ata emigrantë që nuk kanë asnjë dokument identifikimi të lëshuar nga shtetit shqiptar, por kanë një pasaportë biometrike, të lëshuar nga një shtet i huaj.
‘Kjo nuk është e mundur të bëhet pasi ligji nuk e parashikon. Të gjithë shtetasit shqiptarë, të cilët kanë kartë identiteti dhe pasaporta biometrike të pavlefshme, pas miratimit të aktit që ne bëmë sot, do të kenë mundësi të regjistrohen në platformën e KQZ sipas udhëzimeve’, tha ai.
I menjëhershëm ishte reagimi i Sali Berishës, i cili tha se pa këtë, PD nuk voton agjë.
"Negociatat janë, Partia Socialiste kërkon të përjashtojë të gjithë shqiptarët me të drejtë vote jashtë Shqipërie, që nuk disponojnë dokumente shqiptare dhe ky është një akt antidemokratik, antikushtetues. Pasja apo jo e letërnjoftimit apo pasaportës shqiptare nuk ka asnjë implikim me qenien apo jo shtetas shqiptar. Pra, mund të jesh shtetas shqiptar dhe të mos kesh pasaportë shqiptare, por të kesh dokumente të një, dy apo tre vendeve të tjera që lejojnë dyshtetësi. Nuk e pranojnë socialistët.
Kështu që unë e deklaroj këtu, asnjë votim, asnjë ndryshim nuk bëjmë nëse nuk pranohet ky amendament i yni, që është krejtësisht pa asnjë lloj anësimi politik, por strikt për të respektuar të drejtën kushtetuese të shqiptarëve jashtë vendit.
Për ne, ky është kushti. Vota e diasporës vihet në rrezik nëse përjashton dy të tretat e shqiptarëve jashtë vendit. Ti e bën me këtë qëllim këtë, se këta e shohin që diaspora e urren PS-në. Shqiptarët e kanë turp të kujtojnë narkoshtetin që ka ndërtuar Edi Rama në Shqipëri. Shqiptarët nuk ia falin të largojë 1 milion persona në 10 vite. Këta menduan se do ishte ndryshe, por u del krejt tjetër. Ndaj dhe duan tani t’i kufizojnë", tha Berisha.
Nëse asnjë prej palëve nuk lëshon pe, e enjtja e 13 shkurtit mund të kthehet në një ditë kur diaspora nuk do të marrë lajme të mira.
Ilirjan Celibashi ka propozuar 3 ndërhyrje në Kodin Zgjedhor për të lehtësuar votën nga jashtë vendit, por më kryesorja sipas KQZ, është të miratohet neni që lejon komisionin të paguajë të gjitha kostot e postës që do të transportojë fletët e votimit. Me ligjin aktual, votuesi duhet të paguajë vetë për kthimin e zarfit në Shqipëri.
Vendimi i Këshillit të Ministrave për Pasaportat, i zbardhur:
“AKT NORMATIV PËR
NJË SHTESË NË LIGJIN NR.8668, DATË 23.10.2000, “PËR PAJISJEN E SHTETASVE SHQIPTARË ME PASAPORTË PËR JASHTË SHTETIT”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 101 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Neni 1
Pas nenit 14/3, të ligjit nr.8668, datë 23.10.2000, “Për pajisjen e shtetasve shqiptarë me pasaportë për jashtë shtetit”, të ndryshuar, shtohet neni 14/4, me këtë përmbajtje:
Neni 14/4
Dispozitë kalimtare
Afati i vlefshmërisë së pasaportave të shtetasve shqiptarë, që përfundon deri në datën 11 maj 2025, zgjatet deri në datën 31 maj 2025 për shtetasit me vendbanim jashtë vendit, votues në zgjedhjet për Kuvendin, të shpallura me dekretin nr.399, datë 5.12.2024, të Presidentit të Republikës.
Kjo zgjatje e afatit të vlefshmërisë së pasaportave ka efekt vetëm për ushtrimin e së drejtës për të zgjedhur në datën 11 maj 2025”.
Vendimi i Këshillit të Ministrave për Kartat ID, i zbardhur:
"AKT NORMATIV PËR NJË SHTESË NË LIGJIN NR.8952, DATË 10.10.2002, “PËR LETËRNJOFTIMIN ELEKTRONIK TË SHTETASVE SHQIPTARË”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 101 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Neni 1
Pas nenit 9/4, të ligjit nr.8952, datë 10.10.2002, “Për letërnjoftimin elektronik të shtetasve shqiptarë”, të ndryshuar, shtohet neni 9/5, me këtë përmbajtje:
Neni 9/5
Dispozitë kalimtare
Afati i vlefshmërisë së letërnjoftimit elektronik, që përfundon deri në datën 11 maj 2025, zgjatet deri në datën 31 maj 2025 për shtetasit me vendbanim jashtë vendit, votues në zgjedhjet për Kuvendin, të shpallura me dekretin nr.399, datë 5.12.2024, të Presidentit Republikës.
Kjo zgjatje e afatit të vlefshmërisë së letërnjoftimit elektronik ka efekt vetëm për ushtrimin e së drejtës për të zgjedhur në datën 11 maj 2025.”.
Neni 2
Hyrja në fuqi
Ky akt normativ hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
Mendoj se jo vetem shqiptaret pa dokumenta neper bote te votojne por,cdo i huaj qe ka vizituar si turist Shqiperine.Kjo do ta bente Shqiperine me"demokratike" dhe nje "parajse" ku asgje nuk kontrollohet.Lum si ne per keta politikan trushkulur.
PërgjigjuRepublika Popullore e BANANEVE
PërgjigjuUne mendoj se duhet të votojnë më ID të skaduar, me ID të huaj, dhe duhet të votojnë edhe ata që nuk dinë shqip.
PërgjigjuPO ASHT E VERTET.... TË VOTOJNË PA DALLIM NGJYRE LEKURE, RRACE DHE VET NDJESIE....