Ka përfunduar procesi i votimit për qytetarët e Kosovës që jetojnë në Europë. Sipas informacioneve nga KQZ në Kosovë, votimin në përfaqësitë e vendit e kanë shfrytëzuar 71.16% e atyre që kishin zgjedhur votimin fizik ose 14,463 nga 20,324.
"Nga 20,324 votues të regjistruar për të votuar në përfaqësi diplomatike, kanë votuar 14,463 qytetarë, pa përfshirë Qendrat e Votimit në Washington, Ottawa, Toronto dhe New York",- njofton KQZ në Kosovë.
Për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, të drejtë vote brenda dhe jashtë Kosovës kanë mbi 2 milionë votues. Ndërkaq, nga 9 janari e deri më 8 shkurt, mërgata ka mundur të votojë edhe përmes postës.
KQZ ka njoftuar më herët se 104.934 votues janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës dhe 84.525 prej tyre zgjodhën që të votonin përmes postës.
Në garën për përbërjen e re parlamentare janë 28 subjekte politike dhe një kandidat i pavarur.
Qytetarët mund të zgjedhin një parti dhe deri në dhjetë kandidatë për deputetë. Nga këto votime do të zgjidhet përbërja e re e Kuvendit me 120 ulëse dhe deputetët më pas zgjedhin Qeverinë e re.
Qeveria aktuale në Kosovë udhëhiqet nga Albin Kurti, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje.
Këto janë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e pavarësisë më 2008. Deri më tani, në vend janë mbajtur një sërë zgjedhjesh të parakohshme.
Lumir Abdixhiku
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK), kanë mbajtur sot tubimet përmbyllëse të fushatave të tyre elektorale, ndërsa zgjedhjet do të mbahen nesër (9 shkurt 2025).
Kandidati për kryeministër nga LDK, Lumir Abdixhiku, premtoi rritje pagash dhe investime në shëndetësi.
"Kosova është një ditë dhe një votë larg pagave më të larta në historinë e saj dhe ndërtimit të spitalit më modern në rajon," tha Abdixhiku, duke theksuar angazhimin e tij për përmirësimin e kushteve ekonomike dhe shëndetësore në vend.
Ndërkohë, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, i bëri thirrje qytetarëve të mbështesin kandidatin e partisë për kryeministër, Bedri Hamzën. Ai e vlerësoi Hamzën si një politikan të ndershëm dhe të përkushtuar, duke theksuar se PDK ka zhvilluar një fushatë pozitive pa përçarje.
Në zgjedhjet e ardhshme parlamentare garojnë 28 subjekte politike dhe një kandidat i pavarur. Qytetarët do të votojnë për një parti dhe deri në dhjetë kandidatë për deputetë, të cilët do të formojnë Kuvendin e ri me 120 vende dhe më pas do të zgjedhin Qeverinë e re. Aktualisht, qeveria e Kosovës udhëhiqet nga Albin Kurti, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje.
Këto zgjedhje janë të parat të rregullta që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008, pas disa cikleve zgjedhore të parakohshme.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbajti konferencën e tretë për procesin e votimit në përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës.
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniçi, tha se në ambasadat dhe konsullatat e Kosovës, në shtetet e ndryshme, deri në ora 15:00 kanë votuar mbi 50% e votuesve të regjistruar.
“Në orën 13:00 sipas kohës lokale në Kosovë, ka nisur procesi i votimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Kanadë. Kemi pranuar të dhënat e pjesëmarrjes së votuesve deri në orën 15:00, nga 20 mijë e 324 votues të Republikës së Kosovës të regjistruar për votim, kanë votuar 10 mijë e 306 votues apo 50,91%”, ka thënë ai.
Deri në orën 11:00 në përfaqësitë diplomatike kanë votuar 21.60 për qind. Kryesuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi ka njoftuar se procesi i votimit po zhvillohet pa ndonjë pengesë.
Ky proces i votimit po organizohet në 19 shtete të botës, ku të drejtë vote kanë mbi 20 mijë qytetarë.
“Ju njoftojmë se nga komunikimi i vazhdueshëm me përfaqësitë diplomatike, procesi i votimit është duke u zhvilluar pa ndonjë pengesë. Gjithashtu ju njoftojmë se kemi pranuar të dhënat e para të pjesëmarrjes së votuesve në votime deri në orën 11:00. Nga 20 mijë e 324 votues të regjistruar për të votuar në përfaqësitë diplomatike deri në orën 11:00 kanë votuar 4390 votues, apo 21.60 për qind”, deklaroi ai.
Procesi i votimit po zhvillohet në 43 vendvotime, prej tyre 16 ambasada dhe 14 konsullata të Republikës së Kosovës. Votimi në përfaqësi diplomatike ka filluar në orën 07:00 dhe mbyllet në orën 19:00 sipas kohës lokale në secilin vend.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka njoftuar se të gjitha Qendrat e Votimit Jashtë Vendit, të përcaktuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, janë hapur sipas kohës së planifikuar në Ambasadat dhe Postet Konsullore të Republikës së Kosovës.
Në përputhje me vendimin e KQZ-së, MPJD thotë se ka shtuar kapacitetet në misionet diplomatike, për të garantuar një proces të rregullt votimi.
“Procesi ka nisur pa vonesa, me qendrën e parë të hapur në Stamboll, pasuar nga 28 qendra të tjera në Evropë, të cilat kanë nisur punën në përputhje me oraret e parashikuara dhe kohën lokale në vendet e caktuara. Ndërkohë, Qendrat e Votimit në Washington, New York, Ottawa dhe Toronto kanë përfunduar të gjitha përgatitjet e nevojshme dhe janë gati të presin votuesit sipas kohës lokale. MPJD ka shtuar kapacitetet e saj në misionet diplomatike dhe konsullore për të garantuar një proces të rregullt dhe të sigurt, duke koordinuar nga afër mbarëvajtjen e votimit.
Si rrjedhojë, MPJD ka ofruar të gjithë mbështetjen e saj logjistike, njerëzore dhe financiare për të siguruar zhvillimin e procesit në përputhje me standardet më të larta. Ftojmë të gjithë shtetasit e regjistruar me sukses për votim fizik që të paraqiten në Qendrat e Votimit dhe të ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike. Ju lutem mos harroni të merrni me vete dokumentin identifikues, pasaportën ose letërnjoftimin e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim./Kosovapress
Komente
![](https://report-tv.al/template/img/antipiracynote.jpg)