Vendimi i Rithemelimit të Berishës për të nxjerrë një kandidat të vetin për Bashkinë e Kukës, duke bërë që opozita do të shkojë e përçarë më 24 shtator, po has rezistencë nga baza e demokratëve.
Mes 6 kandidatëve që i janë propozuar Rithemelimit për të qenë pjesë e primareve, është edhe kreu i PD në Kukës Arif Rexhmati, i njohur si figurë që mbështet nga Lulzim Basha. Me këtë propozim duket se baza e PD kërkon ta materializojë një bashkim që dy palët në ‘luftë’ prej 2 vitesh nuk kanë ndërmend ta bëjnë.
Më datë 27 gusht Grupimi i rithemelimit do të zhvilloj procesin e primareve për të përzgjedhur kandidatin në zgjedhjet e pjesshme të 24 shtatorit për bashkinë e Kukësit, ndërsa 6 kandidatët u konfirmuar mesditën e kësaj të mërkure, kur Sali Berisha mblodhi kryesinë.
Emra të tjerë që do të futen në garë në 27 gusht janë, Ardian Elezi, Emri Vata, Gezim Shehu, Uran Cengu dhe Ylber Zeneli. Më herët, ish kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” mjeku Admir Sinamati, ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në garë, ndërsa nëpërmjet një statusi në facebook jep shpjegim mbi tërheqjen e tij.
“Me gjithë thirrjet dhe insistimin e pafundmë nga ju, vërejtjeve apo mosdakordësisë së një numri të kufizuar individësh (që militojnë një pjesë me shpirt e pjesa dërrmuese e tyre sa për t'u dukur në PD) për të kandiduar më 24 Shtator 2023; unë kam vendosur të mos garoj në këto zgjedhje”.- shkruan Sinamati.
Lidhur më këtë çështje ka reaguar edhe deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku
“Akti i demokratit Admir Sinamati për të mos kandiduar dhe mbi të gjitha kërkesa e tij për një kandidat të përbashkët nga opozita është një lëvizje e zgjuar dhe e mençur”. Partia Demokratike ka detyrë të shkojë në zgjedhjet e parakohshme në Kukës me një kandidat dinjitoz, me integritet të përbashkët për të gjithë opozitën.”-shkruan Tabaku.
Pas arrestimit të Safet Gjicit, më 24 shtator Kukësi do të zgjedhë sërish administratorin e qytetit. Partia Socialiste do të paraqitet para kuksianëve me Albert Halilajn për të kërkuar të përsërisë suksesin e 14 majit, ndërsa forcat politike kanë afat deri me datë 1 shtator për tu regjistruar në KQZ si subjekte zgjedhore. Emrat e kandidatëve do të duhet të paraqiten jo më vonë se data 8 shtator.
Arif Rexhmati, kryetar i PD-së në Kukës, si dhe ish-kandidat i Partisë Demokratike për zgjedhjet lokale më 14 maj, është propozuar nga baza e demokratëve në Kukës që të jetë kandidat për primaret që do të mbajë Rithemelimi.
Por Rexhmati, thotë se në këtë moment gjykon se nuk është e nevojshme që demokratët të futen në një proces primarësh, pasi nuk i shërben konsolidimit të strukturave dhe gatishmërisë së tyre për fushatën.
‘Ndonëse mbështes parimin e konkurrencës, gjykoj ashtu si shumë prej demokratëve se futja në një proces primaresh kur ka mbetur vetëm një muaj nga zgjedhjet dhe kur situata e brendshme e demokratëve vazhdon të vuajë pasojat e konfliktualitetit dhe të fajësimit, me gjithë qëllimin e mirë në vetvete, nuk i shërben konsolidimit të strukturave dhe gatishmërisë së tyre për fushatën. Hatërmbetjet pas votimit krijojnë përçarja dhe jo bashkim të anëtarësisë, ndërsa besueshmëri e procesit jo vetëm që nuk jep garanci për bashkim, por mund të jetë burim konflikti gjatë dhe pas procesit me dëme të pariparueshme për rezultatin në zgjedhje.’- shkruan Rexhmati.