Fushata elektorale nis ditën e nesërme zyrtarisht (11 prill), por takimet me strukturat kanë nisur prej javësh, me daljet në publik dhe në terren.
Por cilat janë projeksionet e dy partive të mëdha, PS dhe PD, sa mandate do marrin në Tiranë dhe rrethe, programet dhe premtimet për qytetarët.
Të ftuar për debat dhe analizë politike në ‘Studio Live’ sot ishin dy kandidatë për deputetë, Lisandër Hoxha nga PD dhe deputeti aktual i PS, Arben Pëllumbi.
Moderatori Arbër Hitaj i drejtoi pyetje të pranishmëve në lidhje me programin, teksa ata detajuan dhe atë çfarë po ofrojnë.
“Parimi i parë të përmbysim skemën e të ardhurave, sepse ka vështirësi, kanë ikur mbi 1 mln shqiptarë nga vendi. Ka një dispropocionalitet të ardhurash dhe raportesh biznesi dhe kjo duhet të ndryshojë. Kemi hartuar program që afrohet tek nevojat direkte dhe urgjente të shoqërisë. Një pjesë e madhe e familjeve jetojnë nën minimumin jetik, ashtu edhe pensionistët. Në 100 ditët e para do realizojmë paketën e dhimbshurisë, ku do vendosen minimumi jetik të paktën 200 euri e pensioni jo më pak se 400 euro. Jemi të vetmit që paguajmë 110 lekë naftën me taksa. Ulja e 24 lekshit që është taksa-Rama, që të jetë sa Kosova dhe Maqedonia. Rama bëri rrugë me 20-30 mln euro kilometri, si psh. Unaza e Madhe, nuk kushton aq, ose ajo me PP, Kashar-Thumanë, mbi 20 mln euro kilometri. Këtu kushtojnë 10-12 herë më shtrenjtë. Pse ndodh kjo, se duan të vjedhin. Këta në 12 vite as indeksimin nuk bënë”, tha Hoxha për Report Tv.
I pyetur për rezultatin e zgjedhjeve ai tha:
“Ne duam të fitojmë, nuk hyjmë te parashikimi i fatit. Në Tiranë do bëjmë përmbysje historike me pritshmëritë tona. Ne jemi njisha dhe këta janë mjaft. Këta edhe programin na kanë vjedhur, këta merren me akademi barinjsh, ka braktisje të vendit nga mrekullia që thonë këta”, akuzoi kandidati i PD-së kundërshtarët politikë.
Deputeti Arben Pëllumbi i kundërshtoi pikat e kritikave nga kandidati i PD, duke thënë se “ata premtojnë të pamundurën sepse e dinë se do humbasin”.
“Objektivi ynë është fitorja e mandatit të katërt, për të realizuar projektet dhe çuar Shqipërinë në objektivin e anëtarësimit në BE. Sfida kryesore që na pret në mandatin e ardhshëm janë skema e pensioneve, rritja e ekonomisë dhe kthimi i turizmit në elitar. Kemi agjendë për plotësimin e negociatave dhe mbyllur ato brenda 2027 dhe nuk kemi aspak kohë, në mënyrë që ta arrijmë dhe ta bëjmë vendin anëtar të BE-së më 2030. Këto janë dhe shtyllat e fushatës.
Skema e pensioneve e qeverisë së kaluar ishte e gabuar dhe nëse nuk do ishte ajo në vitin 2013 kur ne morëm pushtetin, nuk do ishim në këtë situatë. Kjo gjendje është pasojë e qeverisjes së kaluar. Nëse do rritet pensioni 100 euro për rreth 700 mijë pensionistë, llogaritet se duhen 70 mln euro në muaj dhe rreth 900 mln euro në vit nga buxheti i shtetit dhe tjetër është të premtosh dhe tjetër të realizosh, të cilat me shtesat e tjera shkojnë deri në 1,3 mld. Këta premtojnë se e dinë që do humbasin”, u shpreh Pëllumbi.
Por ai shtoi se shumë prej pikave janë edhe në programin e PS, por me hapa ekonomikë realë dhe të llogaritur.
“Ndryshimet në pensione dhe paga ne i kemi bërë vazhdimisht. Edhe kostot e rrugës janë për shkak të investimeve problematike dhe të gabuara më parë. Nëse do ishte punuar mirë nga qeveria e kaluar, nuk do ishte kjo situatë infrastrukturore. Pensioni minimal është sfidë edhe për ne, ku kemi paraqitur 200 euro në muaj. Nëse do rriten siç thonë në forcën tjetër të PD, do na duheshin 900 mln euro në vit vetëm për pensionet nga buxheti. Çdo gjë duhet të jetë e llogaritur mirë. Kjo e tyre është matematikë që nuk inkuadron, mund të jenë premtime elektorale, e pranojmë, por sepse e dinë që nuk fitojnë”, shpjegoi deputeti socialist ndër të tjera.
Partia Demokratike nuk tërhiqet nga projekti për ta zhbërë reformën në drejtësi nëpërmjet Komisionit të Venecias, pasi reforma e tanishme është e Sorosit dhe politikë e PS-së.
Kështu shprehet kandidati i PD-së, Lisandër Hoxha, në ‘Studio Live’, teksa paralajmëroi edhe socialistët se nuk do i vjedhin dot më votat, pasi nuk kanë më Xhorxh Sorosit.
“Këta nuk e marrin dot mandatin e katërt. Këta nuk kanë më Xhorxh Sorosin për të vjedhur votat. Ka një kusht nga BE-ja, për zgjedhjet e lira e të ndershme. Këta nuk i hapin dot më kutitë për të vjedhur votat, e kanë thënë edhe ndërkombëtarët. As ambasadori nuk do e dijë ça ka brenda. Chris LaCivita i tha Ramës ‘Kukulla e Sorosit’, është anëtar i Republikanëve, do vijë dhe do drejtojë fushatën e PD-së në zgjedhje. LaCivita ka ardhur dhe do vijë, ka stafin e tij këtu dhe do drejtojë fushatën. Unë nuk jam zëdhënës i tij. Drejtësia të jetë larg politikës, korrupsioni të luftohet pa ngjyra. Lideri i opozitës u mbajt pa akuzë në burg. Reforma Soros duhet të futet në sitën e Komisionit të Venecias. Ne do bëjmë gjithçka që Komisioni i Venecias do i propozojë Shqipërisë, nuk kemi pse të mbahemi te drejtësia e Xhorxh Sorosit”, shprehet Hoxha.
Kurse kandidati i PS, Arben Pëllumbi, iu përgjigj se në Shqipëri votojnë shqiptarët dhe jo amerikanët, teksa akuzoi PD-në si parti e shkatërrimit në çdo qeverisje të saj.
“Këtu nuk voton as presidenti i SHBA, as sekretari dhe as ministri në Amerikë, por votojnë shqiptarët. Këta e prishën gjithçka, me idenë e çekut të bardhë, e zëruan gjithçka, i prishën dhe e lanë në këtë gjendje. Nuk i kemi më industritë, fabrikat, uzinat, bujqësinë, fermat, që u prishën të gjitha nga qeverisja e PD-së. Me PD gjithnjë ka pasur qeverisje problematika e të vështira. Këta lanë borxhe të mëdha kur ikën më 2013, vendi shpëtoi fal asaj marrëveshje që qeveria e PS bëri me FMN-në, se këta lanë dëme pas. Nuk është më drejtësia e dikurshme kur kreu i tatimeve drejtonte nga zyra, edhe pse drejtësia e hetonte dhe gjykonte për krime, nuk e di se çfarë drejtësia ishte kur kryeprokurorja quhej lavire bulevardi. Ai fshiu serverat, nuk la prokurorinë të hetonte. Sa për Sorrosin atë e solli Berisha në Shqipëri. SPAK dhe Drejtësia sot kanë vrarë frikën. Ne do jemi në mbështetje të tyre, kanë të gjithë mbështetjen tonë, për më tej do shihet pas rezultatit të zgjedhjeve, nëse do zgjatet apo jo mandati i prokurorëve. Do diskutohet kur ne të na besohet mandati i ardhshëm, e nuk bëhet fjalë për shkrirje, por rregullime dhe përshtatje me legjislacionin e BE-së”.
Pëllumbi akuzoi se PD-ja ka ende fytyrat e njëjta, të shkuara, të qeverisjes së parë, aq sa edhe veten e kanë vendosur në lista të sigurta nga frika, kurse të tjerët në listat e hapura për të mbledhur votat e bërë fushatën.
“Në PD fytyra të njëjta. Nuk gënjehen shqiptarët, shiko listën e PD-së të kuptosh. Ja tek është, këta do vijnë në pushtet? Pse nuk vendosën njerëz si ju (i drejtohet Hoxhës) të rrisnin besimin e qytetarëve, por futën veten e tyre në listat e sigurta, janë mbyllur atje, janë grupuar si në burg dhe nuk përballen me qytetarët në teren për votat. E thashë, këta në qeverisjet e tyre vetëm rrënim kanë sjellë”, u shpreh Pëllumbi.
Komente
