Kosova do të zgjedhë të dielën qeverinë e re. Mbi 2 milionë shtetas të Kosovës kanë të drejtë të votojnë në zgjedhjet e 9 shkurtit, por ndër vite të drejtën e tyre nuk e kanë shfrytëzuar një pjesë e konsiderueshme. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur ndërkohë, se janë bërë të gjitha përgatitjet që ditën e dielë të zhvillohet procesi zgjedhor.
Partitë, 4 kandidatë për kryeministër
28 forca politike garojnë në këto zgjedhje, prej të cilave 20 parti politike, pesë koalicione, dy lista qytetare dhe një kandidat i pavarur.
Kandidatët për kryeministër janë Albin Kurti i Lëvizjes Vetëvendosje, i cili kërkon një mandat të dytë , Bedri Hamza i Partisë Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Ramush Haradinaj i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës
Në fushatën zgjedhore nuk mungoi gjuha nxitëse dhe e urrejtjes ndërmjet kundërshtarëve politikë. Mbi dy milionë euro është vlera që një parti politike ka të drejtë të shpenzojë për fushatën e zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit. Shpenzimet për këtë fushatë pritet të publikohen 30 ditë pas certifikimit të rezultateve, por ajo çka dihet deri më tani është se vetëm në Facebook, partitë dhe kandidatët kanë shpenzuar mbi 200 mijë euro në sponsorizime, shkruan REL.
Ndwrkohw Hulumtuesja e Lëvizjes FOL, Burbuqe Kastrati, tha se nga subjektet politike të certifikuara për zgjedhjet e përgjithshme të 9 shkurtit 2025, janë LVV, Koalicioni AAK - NISMA dhe LDK kanë në listat e tyre 23 kandidatë që kanë probleme me ligjin
Premtimet
REL ka bërë një analizë të premtimeve elektorale të partive.
Disa prej partive përmendin ndihmën për prodhuesit vendorë dhe fokusimin në ankesat e tyre, përfshirë tatimin e lartë mbi vlerën e shtuar, ekonominë joformale, kamatat e larta për kredi, mungesën e infrastrukturës, jostabilitetin me rrymë, e të tjera.
Çdo vit, Kosova importon mesatarisht mallra në vlerë prej 5 miliardë eurosh, ndërsa eksporton në vlerën e më pak se 1 miliard eurove. Në mesin e premtimeve të tyre përfshihen prodhimi i energjisë elektrike përmes gazit, apo edhe ndërtimi i një termocentrali të ri me thëngjill.
Sa I takon qasjes në dialogun me Serbinë, apo nëse duhet të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe, kandidatët për kryeministër – Albin Kurti i Lëvizjes Vetëvendosje, Bedri Hamza i Partisë Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Ramush Haradinaj i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës – kanë qenë të heshtur. Anëtarë tjerë të partive të tyre, përveç të Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet, kanë thënë hapur se Asociacioni duhet të formohet, por vetëm në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.
Vota e diasporës
Nga dy milionë votues me të drejtë vote 105 mijë janë qytetarë që votojnë jashtë Kosovës. Nga 104.924 votues që janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës, 84.525 prej tyre kanë zgjedhur të votojnë përmes postës, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).
Prokuroria Themelore në Prishtinë njoftoi dje se e ka nisur një hetim pas raportimeve se ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, dyshohet se është përfshirë në transportimin e kundërligjshëm të votave me postë të mërgimtarëve, për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë.
KQZ, njoftoi se tashmë janë shtypur edhe fletëvotimet me një numër total prej 1,752,650 fletëvotimesh, numër ky më i vogël sesa numri i votuesve.
Votues të rinj
100 mijë janë thirrur për të votuar për herë të parë të dielën e 9 shkurtit. Bazuar në Listën Votuese të certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve numri i shtetasve të Kosovës me të drejtë vote është 2.075.868 votues, prej të cilëve 1.970.944 votues janë votues që i takojnë Listës Votuese brenda Kosovës dhe 104.924 votues janë pjesë e Listës Votuese jashtë Kosovës.
Komente
