Shpresa e Partisë Demokratike për të shpallur të pavlefshëm 11 majin dhe për t’u rikthyer në kutitë e votimit duke përsëritur zgjedhjet, u shua edhe në dyert e Kolegjit Zgjedhor. Të paktën për 4 qarqet e para, që Kolegji Zgjedhor shqyrtoi këtë të mërkurë, duke vendosur rrëzimin e ankimimeve të PD për Lezhën, Kukësin, Gjirokastrën dhe Korçën.
Trupa gjykuese nuk u bind nga argumentet e demokratëve se zgjedhjet ishin të parregullta, në to u përdor administrata zgjedhore, shitblerja e votës apo se u manipulua votimi nga jashtë.
Në ndihmë, PD-së nuk erdhi dot as argumenti i përfaqësuesit të saj Marash Logut, që nuk harroi të përmende betejën me anëtarin e KAS- Ilir Rusmajlin që sipas tij ka cenuar paanshmërinë e gjykimit të ankesave të opozitës në Komisionin e Ankimeve dhe Sanksioneve.
"Prania e Ilir Rusmajlit në KAS cenoi parimin e paanshmërisë, ne kemi kërkuar përjashtimin e këtij anëtari. Vetë ky anëtar ka shkruar vendimmarrjen për përjashtimin e tij. Ai as nuk duhet të ishte i pranishëm, as të merrte vendim, as të shkruante vendimin për kërkesën tonë për përjashtimin e tij”, tha Logu.
KAS më herët rrëzoi të gjitha kërkesat e PD-së për shpalljen të pavlefshme dhe përsëritjen e zgjedhjeve për të 12 qarqet e vendit. Kolegji është hallka e fundit ku ankimohet rezultati.
Përfaqësuesi i PD, Marash Logu, gjatë një seance në KAS
Teksa po mbahej seanca e ankimimit të PD-së për Lezhën, Kolegji Zgjedhor dhe KQZ i kanë drejtuar disa pyetje përfaqësuesit ligjor të demokratëve, Marash Logu.
KQZ rrëzoi pretendimet e opozitës, duke nënvizuar se procesi ishte i rregullt, nuk u ndalua asnjë qytetar që të votonte, nuk u gjetën shkelje serioze, teksa edhe përfaqësimi i anëtarit të KAS Ilir Rusmali është ligjor dhe jo në konflikt interesi.
Disa prej pyetjeve drejtuar PD ishin:
-Cila ishte shkelja konkrete e bërë nga kontrata me DHL nga KQZ.
-Cilat ishin shkeljet dhe rastet konkrete që keni denoncuar në KQZ për përdorim të administratës zgjedhore?
-Forma konkrete dhe prova esenciale ku bazon kërkesën për pavlefshmëri të zgjedhjeve?
-Në cilën pikë dhe cilën faqe të raportit të OSBE-ODIHR, shprehet me ndonjë problematikë në ndonjë qendër votimi?
Përfaqësuesi ligjor i opozitës u shpreh se:
“DHL shkeli kontratën duke bërë nënkontraktimin, ka të bëjë me faktin që operatorët e tjerë postarë as nuk i njohim as nuk i dimë dhe nuk dimë çfarë garancie na jep. Operatorët e tjerë postarë të vendosur aty pa miratimin e KQZ dhe palëve politike, cenojnë integritetin e zgjedhjeve.
Nëse ka nevojë t’ju lexoj raportin e ODIHR e bëj me kënaqësi, por kanë konstatuar në faqen 4 parregullsi”.
Kurse përfaqësuesja e KQZ në seancë nënvizoi se denoncimet janë bërë nëpër rrjete sociale.
“Pala ka paraqitur denoncime nga Facebook”, theksoi zyrtarja e KQZ.
Kurse për përjashtimin e anëtarit të KAZ, përfaqësuesja e KQZ theksoi se “nuk ka konflikt interesi mes punës së tij në institucion tjetër dhe në KAS”.
Gjithashtu KQZ e pyeti përfaqësuesin e PD-së nëse është konstatuar ndonjë rast ku ndonjë qytetar ishte ndaluar që të votonte, që mund të përbënte edhe një provë për parregullsi.
Komente
