Politikë

Zgjedhjet/ Pëllumbi: Objektivi i PS mandati i katërt, kemi BE në krah! Qori: Nëse zgjidhem deputet, s’do jem kryetar i partisë! Kraja: Mungon demokracia! Jupi: PS-PD janë bashkë, të ikin

31 Mars, 21:44| Përditesimi: 1 Prill, 07:04

  • Share

Zgjedhjet parlamentare të 11 majit po afrojnë, por cili është projeksioni elektoral për fituesit e mundshëm.

A do e marrë Edi Rama dhe PS mandatin e katërt, apo PD do rikthehet për herë të tretë në pushtet me kryetarin e saj “non grata” në SHBA-Britani dhe i akuzuar nga SPAK për dosjen e aferës “Partizani”? A do e çajnë dot forcat e reja bipolaritetin politik PD-PS për të sjellë ndryshimin apo do ketë status-quo politike.

Këto tema u trajtuan sot në panelin e ‘5 Pyetje nga Babaramo’ në Report Tv, mbrëmjen e sotme (31 mars).

Të ftuar ishin deputeti i PS, Arben Pëllumbi, që kandidon përsëri për PS më 11 maj, kandidati Akil Kraja i PD, kandidatja e Koalicionit Euroatlantik, Taulanda Jupi dhe kreu i lëvizjes ‘Bashkë’, Arlind Qori.

“Të gjitha Kodet Elektorale kanë avantazhe dhe disavantazhe, nuk ka të mirë e të keq. Për shkak të vendimit të Kushtetueses u desh të merrej një vendim në Parlament dhe tani jemi përballë këtij kodi. Objektivi i PS është të marrë mandatin e katërt, pavarësisht se vjen nga tre mandate dhe nuk është edhe aq e lehtë. Askush nuk ka lindur në politikë apo vdes në politikë, vjen një ditë që edhe mund të largohesh. Momenti në të cilin ndodhet Shqipëria është që të japim të gjithë kontributin tonë për fitoren, edhe për shkak të integrimit dhe projektit të BE. Kjo do jetë votë për Shqipërinë drejt integrimit europian, pasi është moment historik. Vota përcakton se cili është i besueshëm, deri tnai PS ka qenë më e besueshme. PD përfaqësohet nga një personazh prej 35 vitesh, që lidhet edhe me histori të shëmtuara. Populli shqiptar nuk ka gabuar asnjëherë me votën e tij. Këtë herë kemi edhe BE-në në krah, pa atë s’e bënim dot”, tha deputeti socialist Pëllumbi.

Ndryshe mendon përfaqësuesi i PD, Akil Kraja:

“Gazmend Bardhi nuk ka qenë pro Sali Berishës, ai ka qenë kundër tij, por ja që tani është pjesë e jona në PD. Realiteti aktual tregon përfshirjen e qeverisë në skandale korrupsioni. Duhet respektuar prezumimi i pafajësisë për të gjithë, edhe për socialistët, po përse nuk u bë për Berishën dhe Salianjin. Pra mungon demokracia dhe barazia”, tha ai.

Përfaqësuesja e Koalicionit Euroatlantik, Taulanta Jupi mendon se ka nevojë për një rotacion politik pas tre dekadash, duke denoncuar dyshen Rama-Berisha që “natën bëjnë marrëveshje dhe ditën bëjnë sikur zihen”, por i votojnë.

“A do kemi rotacion për hir të rotacionin apo ndryshim thelbësor dhe ndryshim politik, konfigurim të ri në skenën politike shqiptare, me dy persona si Rama-Berisha që natën bëjnë marrëveshje dhe ditën grinden. Ata bashkuan votat për interesin e tyre, duke zgjedhur listat e mbyllura apo çështjen e herësit. Deputeti që duam i PS dhe Primaret e PD ishin thjesht makijazh. Shqiptarët duhet të kenë mundësi zgjedhjeje dhe përfaqësimi në Parlament”, u shpreh ajo.

Kurse kreu i lëvizjes “Bashkë”, Arlind Qori mendon se Shqipëria ka ndryshuar dhe shqiptarët besojnë se këtë herë mund të realizohet rënia e sistemit dhe bipolaritetit politik PS-PD.

Ai tha se nëse do zgjidhej deputet në Parlament, nuk do të ishte më kryetar i partisë, por do e kalonte stafetën.

“Shqipëria ka ndryshuar. Nevoja dhe besimi se sistemi duhet thyer i bipolarizmit të PD-PS duhet thyer dhe për herë të parë pas 16 vitesh mund të ndodhë vërtetë, besimi është më i lartë se shumë vite më parë. Nëse do të zgjidhem deputet në zgjedhjet e 11 majit, kryetari i partisë “Bashkë” nuk do të jem unë, por do të jetë Redi Muçi. Ashtu siç e kam thënë edhe më parë, edhe kur kandidova për kryebashkiak të Tiranës dhe i qëndroj. Kryetari duhet të jetë shembulli i marrjes së përgjegjësive jo i përfitimeve, ai që vrapon më shumë se të tjerët dhe jep shembullin. Nëse qytetarët shqiptarë marrin pjesë masivisht në zgjedhje, sistemi politik aktual do të thyehet”, deklaroi Qori për Report Tv.

Ora 22:45
Zgjedhjet/ Pëllumbi: PD s’e deshi numërimin elektronik! Qori: S’do dëgjoni ankesë nga unë pas 11 majit për vjedhje votash, strukturë për kontrollin e tyre! SPAK të bëjë detyrën

 

Deputeti i mazhorancës, Arben Pëllumbi, tha sot në Report Tv gjatë debatit politik për zgjedhjet e 11 majit me të ftuarit në ‘5 Pyetjet nga Babaramo’ se PS ishte në favor të numërimit elektronik në disa qarqe në vend dhe të Diasporës.

Por për shkak të refuzimit nga ana e PD-së kjo nuk u arrit, sepse duhej edhe konsensusi në vota e ndryshime të Kodit.

Ai shpjegoi edhe se çfarë kishte ndodhur gjatë diskutimeve dypalëshe.

“Kërkohej ndryshim në Kod për kthimin e votës, se merrej përsipër vetëm për vajtjen. Pra kërkohej edhe PD për këtë marrëveshje. Ne donim që vota të numërohej elektronikisht, kurse këta (PD) nuk e deshën, propozuan që numërimi elektronikisht i votës së diasporës të mos bëhej, por të numëroheshin manualisht. Për më tepër që kërkonte logjistikë shtesë, pajisje, linjë interneti dhe për këto nuk u ra dakord nga pala tjetër, nuk u gjet konsensusi politik për këtë çështje, pasi ndryshimet në Kod bëhen bashkarisht”, shpjegoi ai.

Kreu i Lëvizjes “Bashkë”, Arlind Qori u shpreh se sigurisht numërimi elektronik apo me kompjuter është më i mirë se ai me dorë.

Por nënvizoi se partia e tij ka ngritur struktura të organizuara për monitorimin e tyre dhe pas 11 majit nuk do dëgjonin asnjë ankesë nga ai apo partia e tij për vjedhje votash.

“Nuk do dëgjoni nga unë dhe lëvizja që drejtoj pas 11 majit ankesa për vjedhjen e votës. Ne kemi ngritur struktura për monitorimin e procesit zgjedhor dhe numërimit. Nuk do ankohemi për vjedhje votash jo sepse nuk do tentojnë t’i vjedhin, por nuk do i lëmë. Për sistemin zgjedhor mendoj se më shumë punë bën SPAK sesa ne si politikë. Nëse SPAK bën punën e tij, duke ndjekur politikën që ble votat, që kërcënon, që devijon apo vjedh votën, t’i ndëshkojë. Vota elektronike është më e mirë, por edhe me stilolaps mund të kontrollohet nëse funksionojnë strukturat. Vota e partive të vogla historikisht është vjedhur nga partitë e mëdha PD-PS, sepse ato nuk kishin njerëz të guximshëm”, u shpreh Qori.

A.Q/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Mara emigrante ne Itali: 31/03/2025 22:16

    PD duhet te shkrijhet fare , po me PS cfar keni .Po ju vret e mira syte ? PS Force e pare partickat e krijuara rishtas jane kryetaret qe kane dale nga antishqiptarja pd ., keshtu qe nuk fitojne .O popull partiamo qe duhet te votohet eshte vetem PS .

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A e keni vendosur se për kë do të votoni më 11 maj?