Tiranë- Agjencia e Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) ka ndërhyrë në procesin e zgjedhjeve në diasporë, duke i kërkuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, një kopje të kontratës me operatorin postar DHL.
Kontrata nuk është bërë publike nga KQZ, dhe PS e PD, të dyja u ankuan për shkeljen e rregullave nga ana e kompanisë, e cila nuk po e dorëzon në çdo rast zarfin zgjedhor, në përputhje me rregullat dhe personalisht në dorën e votuesit.
AKEP thotë se ka marrë ankesa, dhe siç thuhet në dokumentin e siguruar nga Report TV, “është autoritet që mbron interesat e konsumatorëve”, ndaj i kërkon KQZ-së:
-Kontratën me DHL
-Problematikat e hasura deri më tani në zbatim të kontratës
Kjo shkresë mban firmën dhe vulën e kreut të AKEP, Gentian Sala.
Dhjetëra qytetarë janë ankuar në rrjetet sociale se zarfet zgjedhore ju janë lënë në kutinë postare, poshtë derës, tek të afërmit e komshinjtë, ose pa ju kërkuar ndonjë mjet identifikimi.
Kërkesa e plotë e AKEP:
“Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), bazuar në përcaktimet e ligjit nr. 46/2015 "Për shërbimet postare në Republikën e Shqipërisë", është organi mbikëqyrës i sektorit të shërbimeve postare në RSH dhe ndjek zbatimin e detyrimeve ligjore dhe nënligjore nga çdo subjekt që ofron shërbime postare, përfshirë trajtimin e ankesave të përdoruesve të këtyre shërbimeve në rolin e palës dërguese dhe/ose palë marrëse të objekteve postare.
Nisur nga ankesat e përcjella në AKEP si dhe për shkak të interesit të lartë në lidhje me procesin e shpërndarjes së objekteve postare ndërkombëtare për zgjedhjet parlamentare 2025, që përfshin jo vetëm KQZ por edhe qytetarët shqiptarë në rolin e palës marrëse dhe njëkohësisht të palës dërguese të këtyre objekteve postare ndërkombëtare, në mënyrë që AKEP së ushtrojë kompetencat në mbrojtje të interesave të përdoruesve, kërkojmë nga ana juaj:
Depozitimin e një kopje të kontratës së lidhur ndërmjet KQZ dhe DHL, si dhe
Të na vini në dijeni në lidhje me çdo problematikë të hasor gjatë zbatimit të kontratës për këto objekte postare
Duke ju falënderuar për bashkëpunimin”.
Komente
