Fushata elektorale ka hyrë në fazën finale të saj, teksa 11 maji po afron. Zgjedhjet parlamentare pritet të nxjerrin një parlament të ri, ku shumë nga deputetët që do ulen do jenë të rinj.
Por si po shkon puna e partive që duan të thyejnë mitin e “dy elefantëve” PD dhe PS. Cili do jetë rezultati i zgjedhjeve parlamentare të 11 majit?
Këto tematika u trajtuan sot në panelin e “5 Pyetje nga Babaramo” në Report Tv. Të ftuar të moderatorit Ilir Babaramo ishin Dashamir Shehu, kreu i partisë LZHK dhe koalicionit “Djathtas për Zhvillim”, si dhe gazetarët Poli Hoxha dhe Flogert Muça.
Deputeti Shehi tha se populli shqiptar është mërzitur nga të njëjtët njerëz në politikë prej 34 vitesh, të njëjtat fytyra, teksa shtoi se tani strategjia e partive ka ndryshuar, ku nga posterat i bëjnë fushatat me ekrane LED, me balerinë dhe shou.
“Prej 34 vitsh në politikë, ndryshojnë shumë gjëra. E tha edhe Kreshnik Spahiu, janë lodhur, s’ka entuziazëm, ka shumë përsëritje, janë të njëjtët personazhe. Edhe në krahasim me ato në botë, sepse mediat sociale janë njëlloj, nuk kanë ndryshim, si në Angli e Francë, kur bëhet miting njerëzit dalin në rrugë, se atje matet forca. Fjalimet nuk mbahen për mitingje e programe, por për forcë. Atje nuk mbahen fjalime si këtu. Atje ka pjesëmarrje, është festë e demokracisë, është shprehje e popullaritetit. Këtu ka kontestive zgjedhjesh, madje edhe mitingjet janë të paguara. A ke parë, e bën të madh sa të duash mitingun. Kjo është shpesh diferenca. Kemi parë parti që pasi të mbarojnë zgjedhjet, se mitingje bëjnë aktualisht, ku do shihet edhe forca e tyre. Vënë muzikë e disa pankarta dhe thua ti bëhet hataja. Mitingje bëjnë edhe forcat e vogla. Mjafton kapaciteti organizativ dhe paret. Kjo bëhet për të treguar forcën politike. Politika ka humbur substancën dhe ka përfundu te komunikimi”, shprehet Shehi.
Ai nënvizon se Rama e ka kthyer narrativë BE-në, por realiteti është ndryshe, kurse substanca politike ka humbur.
“Në këto zgjedhje ka nevojë edhe për substancë politike, të mbahet edhe përgjegjësi për ato që nuk janë bërë, e kjo politika jonë nuk e njeh këtë pjesë. Kryeministri psh., shumë që ka premtuar nuk i ka bërë, ka sekëlldi nga fushata, ai e di që s’i ka bërë, por thotë do shkojmë në Europë etj. Ndonjëherë e meritojnë edhe termin turmë se duhet të ketë njerëz që bëjnë edhe kritika e t’i thonë “nuk është kështu”. Tani fushata bëhet me LED e jo me postera, ku shfaqen arritjet me pamje, ose me balerina e kërcime, bëhet shou. Rama e ka kthyer në narrativë BE-në, por nga ana tjetër nuk i ka mbajtur premtimet, gjendja ekonomike duket, shëndetësia, arsimi, bujqësia e të tjera. Unë mendoj se Rama nuk e do BE-në, sepse nuk i do policët e Europës këtu. Europa nuk na fut për Ramën apo ndonjë tjetër, por shpresoj të vijë ndonjë tjetër. Përrallis poshtë e lartë në Shqipëri, pa mua nuk shkojmë dot në BE etj. pse s'na futi për 12 vite ne Rama në BE, pro do na fusë tani? Unë mendoj se Rama po na shet një ëndërr”, tha Shehi.
Kurse gazetari Poli Hoxha shprehet se loja e dy partive të mëdha është e shitur, kurse partitë e reja janë alternativa që po u tregojnë Ramës e Berishës se janë drejt fundit dhe vetëm po “blejnë kohë”.
“Është një lojë e shitur në tavolinë mes dy të mëdhenjve për të vazhduar tranzicionin. Pazare siç bënë për kodin zgjedhor, për interesat ekonomike, për listat. Populli e ka kuptuar tani se si funksionojnë këta. Partitë alternative për këtë shërbejnë, për t’u tregojnë Ramës dhe Berishës se janë në fundin e tyre. Rama dhe Berisha po blejnë kohë për mbijetesë”, tha ai.
Për Flogert Muçën, narrativa e Ramës për BE-në përkon me situatën gjeopolitike që e favorizon në Europë, marrëdhëniet e tij të mira me drejtuesit politikë të saj dhe konfirmimi që Brukseli i bën kësaj narrative.
“Koalicionet kanë sloganet e tyre, Rama për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, Berisha për Shqipërinë Madhështore, Dashamir Shehi për pronat e kështu me radhë. Këto parti ballafaqohen me këto programe kryesore. Rama psh., ka si faktor situatat gjeopolitike në rajon, ku BE ka hapur negociatat dhe situata ku ndodhet Shqipëria me procesin e anëtarësimit. Këto favorizojnë si pika mbështetëse të fabulës së tij tek qytetarët, e që e favorizojnë Ramën. Nga ana tjetër ai shfrytëzon edhe raportet e mira që ka me politikanët e BE-së. Deklaratat e funksionarëve të lartë të Brukselit konfirmojnë edhe narrativën e Ramës. Kurse Berisha ka dy non grata në SHBA dhe Angli”, u shpreh ai.
Dashamir Shehi renditi edhe disa nga pikat e programit të koalicionit që drejton, duke ia kundërvënë gjendjes aktuale në Shqipëri, në të gjitha sektorët, të cilët i cilësoi edhe si dështim të qeverisjeve në premtimet e bëra ndër vite.
Shehi tha se aktualisht në Shqipëri nuk ka as fabrika dhe as uzina, ku nuk prodhohen as gozhdë më.
“Bujku dhe fermeri duhet të shkojnë dhe të jenë të financat, te leku. Ky është investim. Shëndetësia ka probleme të jashtëzakonshme, industria po e po, subvencione dhe rimbursimet mungojnë. Madje unë për pensionet shkoj përtej asaj që thotë Berisha, sepse mesataret aktualisht janë 190 mijë lekë, pra rritja sipas tij për 1 mijë lekë bëhet, duke e çuar 200 euro. Unë jam për një fond 300 mln euro që t’i shtohen pensioneve, të rriten përtej 200 euro, kjo është formula, s’ka tjetër, është sakrificë e madhe, vetëm kështu arrihet me ndihmën për shtresën sociale dhe pensionet. Unë propozoj këtë skemë. Rrogat, le të rriten, por duhet të ketë një riformatim të pagës, sipas rëndësisë së punës dhe sektorëve, të ketë një piramidë”, u shpreh kreu i koalicionit “Djathtas për Zhvillim”.
Ai kritikoi edhe fryrjen e administratës dhe institucioneve.
“Unë them që të ketë 10 ministri dhe 150 institucione. Ne jemi vend i vogël, pse na duhen 20 ministri? Pse duhen 850 institucione, janë njerëz që marrin paga. Jo thjesht marrin paga, por mbledhin edhe vota. Ne kemi edhe një projekt për shtetin shqiptar”,
Shehi e deklaroi votën e tij kundër bashkëpunimit me Ramën nëse socialistëve do u duhet vota e Djathtas për Zhvillim, teksa shprehu mbështetjen ndaj reformës në drejtësi dhe SPAK-ut.
“Nëse Rama ka nevojë për votën tonë, ne nuk ia japim. Vetëm nëse kapet 71 mandate në krahun tjetër, aty po hapet një debat i madh. Kushtetuta e 1998 është më e mirë, edhe pse ka nevojë për korrigjime, por ama jo kjo Kushtetutë, që ka marrëveshje mes dy palëve. Kjo është shpikje, paçavure, që vetëm një mendje djallëzore e bën. Kthimin e reformës territoriale, kthimin e disa komunave në zonat e mëdha ku ka nevojë dhe mungojnë shërbimet ndaj qytetarëve. Ne jemi për mbështetjen e reformës në drejtësi, goditjen e pandëshkueshmërisë dhe që SPAK ta çojë punën më tej, të jepet mesazhi se goditen edhe të këqijtë. Sot institucionet dhe sektorët janë nën kontrollin e qeverisë. kemi ecur ekonomikisht, por jemi pas në aspektin institucional. Unë nuk e mendoja kurrë se Shqipëria do ecte kaq shumë, në teknologji, ekonomi etj., por ama kemi ecur pas në aspektin institucional”, shpjegoi Shehi disa nga pikat e programit dhe problematikat që ka vendi aktualisht dhe që duhen ndryshuar.
Juristi Kreshnik Spahiu tha se vizionet e Dashamir Shehit qëndronin, por duke qenë në një forcë politike jo vendimmarrëse, e ka të vështirë që ta zbatojë apo realizojë.
Ai shtoi se do dëshironte që deputeti të ishte pjesë e qeverisë së ardhshme për të bërë të mundur apo për t’u imponuar në realizimin e programit dhe vizionit të tij politik, kurse Shqipëria sipas tij duhet të përgatisë një program opozitar për të ardhmen, pasi 12 maji do e gjejë përsëri me qeveri socialiste dhe pas 4 vitesh konsumi politik i mazhorancës do jetë edhe më i madh.
“Zoti Shehi ka eksperiencën dhe maturinë që i duhet një politikani. Ka vizionin e tij për programin elektoral që ka. Por unë nuk e ndaj me moshë këtë çështje, pasi vendi ka nevojë edhe për eksperiencë. Gjithçka matet me rezultate. Fatkeqësisht zoti Shehi nuk e ka mundësinë që të jetë në pjesën vendimmarrëse me pozicionimin politik ku ndodhet. Unë do doja që zoti Shehi të ishte pjesë e qeverisë së ardhshme. Shqipëria duhet të përgatitet për një program opozitar. Më 12 maj ne mund të jemi me të njëjtën qeveri socialiste, të shkojmë drejt 16 viteve, e kjo mund të jetë dhe duket si realitet. 16 vjet janë shumë, sepse kaq vite të konsumojnë. Rama premton 2030 për Shqipërinë në BE, pra premton diçka përtej këtij mandati. Ne rrezikojmë të shkojmë në të njëjtën situatë edhe më 2029, me të njëjtin program e situatë”, u shpreh Spahiu për Report Tv.
Komente
