Porosia në asamble e kryesocialistit Edi Rama për organizimin e partisë, ka nisur të zbatohet në terren nga socialistët. Nga Korça, në një takim me strukturat e PS, sekretari i përgjithshëm Damian Gjiknuri, është ndalur nisja e procesit të riorganizimit për zgjedhjet vendore, me një synim të vetëm: Fitoren.
”U mblodhën të gjitha strukturat e partisë të gjithë qarkut me qëllim fillimin e një procesi të rëndësishëm që është riorganizimi i PS për sfidat e mandatit 3.Ne kemi filluar një proces mirëorganizimi që fillon që me dixhitalizimin e anëtarësisë dhe së dyti me riorganizimin e të gjithë strukturave dhe përfshirjen e tyre maksimale që në momentet e para jo duke pritur fushatën zgjedhore. Kjo do të thotë që PS të jetë në gjendje të ndërtojë një strukturë të mirëfilltë elektorale në çdo kohë kur të jenë zgjedhjet qofshin vendore apo të përgjithshme. Pikërisht ky proces dhe ndryshmet e reja u bënë me këtë qëllim që ne të ndërtojmë struktura të gatshme të nisura nga eksperiencat e mira të realizuara në zgjedhjet e fundit me qellim qe partia të jetë në kërkesat që kërkon mandati i 3 dhe të jetë një forcë e aftë politikisht për të konkurruar në çdo kohë dhe të jetë gjithmonë fituese’’, tha Gjiknuri.
Takimet e socialistëve po vijojnë në çdo qark, siç ishte takimi i fundit i drejtuesit politik të qarkut, në Vlorë, Arben Ahmetaj. Në fokus të mbledhjes ishte organizimi i partisë që të bëhet gati për zgjedhjet vendore.
“Do bëheni për zgjedhje gati jemi në fushatë për reformim partie dhe do jemi gati dhe për zgjedhjet vendore”, tha Ahmetaj.