Politikë

Votojnë krerët e shtetit dhe socialistët! Rama e Spiropali: Sot fjala e popullit! Begaj: Të plotësohen standardet më të mira! Veliaj voton në paraburgimin e Durrësit

11 Maj, 08:39| Përditesimi: 11 Maj, 17:06

  • Share

TIRANË- Krerët e shtetit dhe përfaqësues të politikës kanë votuar për zgjedhjet e 11 majit. E para që ushtroi të drejtën e votës ishte kryeparlamentarja Elisa Spiropali, e cila dha edhe një mesazh të shkurtër.

“Sa më shumë të votojnë për Shqipërinë, aq më shumë përgjegjësi qytetare tregojmë dhe aq më e mirë do të jetë e ardhmja jonë”, tha Spiropali.

Më pas, qendrës së votimit iu drejtua edhe presidenti Bajram Begaj, me bashkëshorten, i cili tha se këto zgjedhje janë të një rëndësie të veçantë, pasi zhvillohen pas hapjes së negociatave për anëtarësim me BE.

“Kjo ditë duhet të jetë një festë, ku qytetarët duhet të shprehin lirshëm vullnetin e tyre, pa presion dhe me përgjegjshmërinë se zëri i tyre do të dëgjohet. Po kështu, duhet të jetë procesi i administrimit dhe numërimit”, tha Begaj.

Kryeministri dhe kryetari i PS Edi Rama përcolli një mesazh nëpërmjet rrjeteve sociale, ku iu kërkoi qytetarëve që të votojnë në këtë ditë për të përcaktuar të ardhmen e vendit. Më pas, ai votoi së bashku me bashkëshorten Linda Rama në Surrel. Për mediat ai tha se sot do të flasë populli.

“Sot është fjala e popullit, kështu që të presim çfarë do të thotë populli”, tha Rama.

Të gjithë socialistët, kandidatë për deputetë, ministra e kryebashkiakë, hodhën votën në qendrat e votimit duke u bërë thirrje qytetarëve që të dalin masivisht në votime. Ndërkohë, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka ushtruar sot të drejtën e votës në ambientet e paraburgimit të Durrësit.

Ora 18:54
Deklarata e PS-së për mediat / Kace: Lini kafenetë, shkoni të gjithë të votoni, kanë mbetur dhe pak minuta! Nëse do jeni aty në radhë, askush nuk do ju ndalojë

 

Partia Socialiste, nëpërmjet përfaqësueses së saj Helena Kace, ka dhënë një deklaratë për mediat pak minuta përpara mbylljes së votimeve. Kace ka bërë thirrje nga selia e PS-së, veçanërisht për të rinjtë që të nxitojnë të votojnë edhe pse kanë mbetur edhe pak minuta deri nga mbyllja e votimeve.

Deklarata për mediat e Partisë Socialiste: 

Të dashur miq,
Të rinj dhe të reja, studentë dhe profesionistë të rinj, ka ngelur shumë pak kohë, në orën 7, po ka kohë sa të doni që ju të votoni. Lini librat nëse jeni duke mësuar, edhe merrni pak minuta pushim. Lini kafenetë, parqet dhe çfarëdo që të jeni duke bërë.
Votoni, votoni, votoni.
Ne të rinjtë dhe të rejat kemi më shumë për të humbur apo fituar nga kjo votë se kushdo tjetër. Prandaj, mos e lini këtë vendimmarrje në dorë të tjerëve. Bëni detyrën tuaj qytetare, sepse kjo votë është për të gjithë ata që duan një Shqipëri europiane. Edhe ju kujtoj, edhe pse koha është e shkurtër, nëse ju arrini në qendrën e votimit në orën 7, askush nuk ju ndalon dot që të ushtroni të drejtën tuaj të votës.

Ora 18:47
Pak para mbylljes së votimit, Rama mbërrin në selinë  e PS (VIDEO)


Kryeministri Edi Rama ka mbërritur në selinë  e PS pak para mbylljes së votimit për zgjedhjet e 11 Majit.

Kryesocialisti nuk komentoi asgjë para mediave.

Paradite në Surrel, kur votoi së bashku me bashkëshorten Linda Rama, kryesocialisti tha shkurt se sot është radha e popullit për të folur.

Ora 18:10
Zëdhënësja e PS sërish thirrje: Votoni! Nga vota juaj varet drejtimi që do të marrë Shqipëria 

 

Ndërsa kanë mbetur edhe një orë nga mbyllja e votimit, zëdhënësja e PS për zgjedhjet, Silda Çepe iu ka bërë sërish thirrje qytetarëve që të votojnë. Në një deklaratë për mediat, ajo tha se vota e qytetarëve do të përcaktojë të ardhmen e vendit, të ecë përpara apo të kthehet sërish pas. 

“Të dashur qytetarë, dita e votimit po shkon drejt mbylljes por ka ende mjaftueshëm kohë për të votuar prandaj ngrihuni vetë dhe votoni me një mik, shok e të afërm. Votoni. I bëjmë thirrje çdo të riu dhe të reje që të gjejnë pak kohë dhe të votojnë sepse nga vota  e tyre varet drejtimi që do të marrë Shqipëria. 

I bëjmë thirrje çdo gruaje e burri, atyre që po shijojnë pushimin e pasdites dhe atyre që janë në punë të gjejnë pak kohë dhe të votojnë, të bëjnë detyrën e tyre qytetare se me votën e tyre, do të vendosni nëse Shqipëria do të vazhdojë në drejtimin e duhur drejt Evropës apo do të humbasim kohë dhe vite të çmuara. I bëjmë thirrje çdo prindi, gjyshi e gjysheje të gjejë pak kohë për të votuar për të ardhmen e fëmijëve dhe nipërve tuaj. Qindra mijëra shqiptarë e kanë kryer detyrën e tyre qytetare, ata kanë votuar.

Bashkohuni edhe ju me ta. Qendrat e votimit janë ende të hapua. Mos harroni, nëse ju nuk votoni dikush tjetër do të vendosë për ju.”, u shpreh zëdhënësja. 

Ora 15:37
Zgjedhjet, zëdhënësja e PS Silda Çepe: Vota juaj në këto zgjedhje është e rëndësishme, merrni pjesë në votim,11 maji është dita juaj

 

Zëdhënësja për zgjedhjet pranë Partisë Socialiste, Silda Çepe, njëkohësisht edhe kandidate për deputete në listën e hapur të PS në Tiranë, në një deklaratë për media, u bëri thirrje qytetarve shqiptarë që të marrin pjesë në zgjedhje.

Ajo tha se vota e tyre në këto zgjedhje është shumë e rëndësishme.

‘Të dashur qytetarë. Sot është një ditë shumë e rëndësishme për të gjithë ne, për vendin tonë. Sot të gjithë ne kemi një mundësi, që vjen vetëm një herë në katër vjet, për të vendosur për të ardhmen e Shqipërisë, të familjeve tona, për të ardhmen e fëmijëve tanë. Vota juaj në këto zgjedhje është më e rëndësishme se kurrë. Përmes saj ju do të vendosni se në ç’drejtim do të ecë Shqipëria jonë. Prandaj, ju bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë: shkoni të votoni. Vendosni ju vetë për Shqipërinë që dëshironi për veten, për familjet dhe për fëmijët. Mos e lini këtë moment historik të kalojë pa zërin tuaj. 11 maji është dita juaj. Shqipëria ka nevojë për vendimin tuaj’, tha ajo.

Ora 14:49
Voton në ambientet e paraburgimit të Durrësit, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj

1743660591_erionveliaj.JPG

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka ushtruar sot të drejtën e votës në ambientet e paraburgimit të Durrësit. Ai votoi në orarin e përcaktuar nga administrata e institucionit, në përputhje me rregullat dhe procedurat për votimin e personave që ndodhen në paraburgim.

Pak ditë më parë, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u bëri thirrje qytetarëve që të votojnë Partinë Socialiste. I burgosur pa gjyq, Veliaj u kërkoi qytetarëve që kur të shkojnë për të votuar, të kujtojnë pak si ishte Tirana dhe si është sot.

Ai nënvizonte se vota në 11 maj nuk duhet të jetë një votë kundër Saliut apo partizave të dala nga barku i PD, por një votë për punën, për shpresën, për transformimin. “Vota juaj duhet të jetë një votë për të tashmen që na bën krenar dhe të ardhmen europiane që meritojmë.”

Ai e mbyllte statusin e tij me një ftesë për të votuar këtë të dielë Partinë Socialiste dhe Edi Ramën që Shqipëria të vijojë të ecë përpara.

Ora 13:58
‘Ju përshëndesim nga katuni jonë', Rama ndan videon me banorët e Surrelit, nuk kursen batutat: Ulini duart se është heshtje zgjedhore

 

Kryeministri dhe kreu i PS, Edi Rama ka ndarë një video në rrjete sociale pasi votoi në Surrel.

Rama shfaqet krah bashkëshortes Linda Rama dhe disa banorëve të tjerë të Surrelit, ndërsa me batuta shton se është me katunarët e tij. 

“Katuni jonë ju përshëndet. Ja ku jemi, uluni duart se është heshtje zgjedhore. Unë me katunaren time këtu, ja te katunari tjetër këtu. Të gjithëve iu urojmë një ditë fantastike nga katuni jonë.“, thotë Rama. 
 

Ora 13:39
Zgjedhjet/ Rama thirrje qytetarëve: Dilni dhe votoni, është detyrë qytetare dhe patriotike

Kryeministri Edi Rama u ka bërë thirrje qytetarëve që të ushtrojnë të drejtën e votës gjatë ditës së sotme. 

Në një video të publikuar në rrjetet sociale, ai tha se votimi është detyrë qytetare dhe patriotike.

“Jemi live nga komanda e përgjithshme ku mblidhen të dhënat e ecurisë së procesit dhe përfitoj nga rasti t’ju them të gjithëve që s’kanë shkuar ende të votojnë, që të shkojnë dhe të votojnë. Është e domosdoshme që vota të hidhet dhe të numërohet. Ti që mund të votosh, të mos mungosh është një detyrë qytetare, shoqërore dhe patriotike. Votoni me qetësi, me pak durim dhe sipas bindjeve tuaja”, tha Rama.

Ora 13:28
Manja nga Lezha: Vota është respekt për veten, familjen dhe Shqipërinë

Ministri i Drejtësisë dhe drejtuesi politik i Partisë Socialiste për qarkun Lezhë, Ulsi Manja, ka votuar duke bërë thirrje për pjesëmarrje masive në zgjedhje, duke theksuar rëndësinë e votës si një akt qytetar dhe moral.

“Vota është respekt për veten, për familjen dhe për Shqipërinë,” u shpreh Manja gjatë një deklarate publike, duke shtuar se pjesëmarrja në votime është një përgjegjësi e secilit qytetar.

Ai u bëri thirrje banorëve të Lezhës, Kurbinit dhe Mirditës që të marrin pjesë në zgjedhje me qytetari dhe vetëdije.

“Ftoj qytetarët e Lezhës, Kurbinit dhe Mirditës të votojnë masivisht dhe me qytetari,” theksoi Manja.

Ora 10:53
Zgjedhjet, voton Manastirliu: Një ditë e rëndësishme për qytetarët shqiptarë

 

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ka votuar në në qendrën e votimit në shkollën “Jeronim de Rada”. Manastirliu shprehet se kjo është një ditë e rëndësishme për qytetarët shqiptarë.

“Sot është një ditë e rëndësishme për qytetarët shqiptarë, që përmes votës së tyre do të shprehin vullnetin për qeverisjen e 4 viteve të ardhshme dhe për të ardhmen e Shqipërisë.

Ftoj të gjithë qytetarët e Tiranës të dalin masivisht në votime. Procesi po shkon normalisht në të gjithë Tiranën, jam e bindur që do të do të vijojë ashtu sikurse ka nisur, me të gjithë standardet dhe e sotmja do të jetë një ditë shembullore demokracie”, tha Manastirliu.

Ora 10:51
Rama voton me bashkëshorten në Surrel: Sot është fjala e popullit! Do të jemi vendi tjetër i BE

 

Kryeministri dhe kryetari i PS, Edi Rama ka votuar së bashku me bashkëshorten e tij në qendrën e votimit në Surrel.

Në një prononcim të shkurtër për mediat, Rama tha se sot është fjala e popullit. 

“Sot është fjala e popullit, kështu që të presim çfarë do të thotë populli”, tha Rama.

Më pas në një mesazh në anglisht, teksa tha: “Do të jemi vendi tjetër i BE”. 

Ora 10:49
Zgjedhjet/ Voton ‘neomalsorja’, falenderon banorët e zonave të thella të Dukagjinit që ecin 2 orë në këmbë për të shkuar në qendrat e votimit

 

Kryesuesja e listës së kandidatëve për deputet të Partisë Socialiste në Qarkun Shkodër, Marjana Koçeku, nga fshati Koman, ku shprehu vullnetin e saj me votë, u bëri thirrje qytetarëve të marrin pjesë në votime.

Një falënderim të veçantë ajo e ka për banorët e zonave të thella të Dukagjinit, të cilët sakrifikojnë deri në 2 orë duke ecur në këmbë për të shkuar në qendrat e votimit.

Ora 10:13
Zgjedhjet parlamentare, voton ministri Gonxhja: Vota është themeli i demokracisë, dilni të votoni masivisht

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, njëkohësisht kandidat për deputet i PS në Qarkun Tiranë, Blendi Gonxhja, ka votuar mëngjesin e sotëm për parlamentin e ri.

Ai i ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin dhe të votojnë. 

'Qoftë kjo ditë me diell e me pjesëmarrje të lartë kudo! Vota, një e drejtë për të cilën kemi vuajtur dhe luftuar, është themeli i demokracisë, ndaj duhet të dalim e të votojmë masivisht!', shkruan ai. 

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja me bashkëshortën pas votimit 
Ora 10:04
Voton presidenti Begaj me bashkëshorten: Zgjedhje të një rëndësie të veçantë pasi kemi hapur negociatat me BE

 

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, bashkë me Zonjën e Parë, Armanda Begaj, votuan mëngjesin e sotëm për parlamentin e ri.

Kreu i shtetit theksoi se këto votime janë të një të rëndësie të veçantë pasi janë të parat zgjedhje që zhvillohen pas hapjes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian.

“M’u duk një proces i qetë. Proceset zgjedhore janë të rëndësishme për qytetarët, për vendin dhe demokracinë, por kjo ditë e sotme ka një rëndësi të veçantë për faktin që kemi hapur negociatat për anëtarësim në BE. Zgjedhjet duhet të plotësojnë standardet më të mira. Kjo ditë duhet të jetë një festë, ku qytetarët duhet të shprehin lirshëm vullnetin e tyre, pa presion dhe me përgjegjshmërinë se zëri i tyre do të dëgjohet. Po kështu, duhet të jetë procesi i administrimit dhe numërimit”,-tha Begaj.

“Në fushatë zgjedhore duhet të ketë ballafaqim idesh dhe ofertash dhe nuk duhet të ketë në asnjë rast në asnjë mënyrë gjuhë bullizuese, pasi një gjuhë e tillë nuk është e pranueshme as për politikanët dhe as për qytetarët e thjeshtë”,-tha Begaj.

Ora 09:23
Zgjedhjet/ Voton kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako

 

Kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako ka votuar për zgjedhjet parlamentare.

Ora 09:17
Zgjedhjet/ Voton kryebashkiaku Dredha, u kërkon qytetarëve të dalin sa më herët në votime për shkak të Giro d’Italia

 

Kryetari i Bashkisë Vlorë, Ermal Dredha ka votuar mëngjesin e sotëm në Qendrën e Votimit nr.4471.

Dredha u bëri thirrje qytetarëve të dalin sa më herët në votime, pasi në Vlorë do të zhvillohet sot edhe eventi sportiv Giro d’Italia, dhe disa akse do të bllokohen për këtë arsye.

I pyetur se a do të shtyhet orari i votimit pas kërkesës drejtuar KQZ për shkak të Giro d'Italia, Dredha tha se kjo kërkesë është refuzuar dhe qendrat e votimit do të mbyllen në orën 19:00.

Ora 08:31
Rama thirrje qytetarëve që të votojnë: Sot keni në dorë të ardhmen tuaj 

1746815775_edirama.png

Kryeministri Edi Rama iu bën thirrje qytetarëve shqiptarë që të votojnë. 

Në një postim në rrjete sociale, kreu i qeverisë shkruan se sot shqiptarët kanë në dorë të ardhmen e tyre. 

"MIRËMËNGJES 

Sot është Dita e Shqipërisë

Shqiptarët kanë në dorë të ardhmen e tyre

Votoni", shkruan Rama. 

Ora 08:27
Zgjedhjet/ Voton Spiropali: Sot është dita e qytetarëve! Të tregohemi se jemi evropianë me mendje dhe standarte 

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali ka votuar në qendrën e votimit në Parkun Olimpik për zgjedhjet e 11 majit. Në një prononcim për mediat, Spiropali iu bëri thirrje qytetarëve që të votojnë.  

“Sot është dita e qytetarëve shqiptarë, e shtetit, e kombit dhe Shqipërisë. Iu bëj thirrje të gjithëve që të votojnë sot me qytetari ashtu siç është zhvilluar fushata zgjedhore. Të tregojmë se jemi evropianë në mendje, zemër, ideale dhe standarte. Sa më shumë të votojnë për Shqipërinë, aq më shumë përgjegjësi qytetare tregojmë dhe aq më e mirë do të jetë e ardhmja jonë.”, tha Spiropali. 

Xh.D/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria votoi për Kuvendin e ri, si ju duk procesi i votimit?