Saalbach, Austri - Skiatori shqiptar Denni Xhepa u pozicionua në vendin e 36-të në Kampionatin Botëror që po mbahet në Austri. Në disiplinën e Sllallomit Gjigant, Xhepa zuri vendin e 45-të në lëshimin e parë me kohën 1:26.79, ndërsa në lëshimin e dytë përmirësoi veten dhe u rendit në vendin e 37-të me kohën 1:22.66.
Kësisoj me kohën e përgjithshme 2:49.45 Xhepa nuk shkoi më shumë se pozita e 36-të në Botë, shumë larg nga pritshmëritë. Kjo ishte gara e dytë për Xhepën në këtë event, pasi disa ditë më parë nuk mundi të mbyllte garën po në këtë disiplinë.
Tanimë në debutimin e tij në një Botëror, Denni Xhepa duhet të kënaqet me vendin e 36-të dhe mbyll garimin. Gara e sotme e meshkujve u fitua nga austriaku Raphael Haaser që mori medalje ari, ndërsa në podium edhe zviceranët Thomas Tumler e Loic Meillard.
Të shtunë (15 shkurt) Lara Colturi provon sërish shansin e saj për medalje historike, pasi të enjten e kësaj javë ia doli të renditet e shtata në botë në Sllallomin Gjigant.
Rezultati dhe renditja e Deni Xhepës
Komente
